Sport

Zeneli nuk i mori pagat për kohën në Turqi

Sulmuesi i krahut, Arbër Zeneli, ishte larguar nga Reimsi i Francës për t’iu bashkuar në fillim të shtatorit klubit elitar të Turqisë, Adana Demirspor.

Por qëndrimi tek ekipi i Superligës turke zgjati vetëm katër muaj. Reprezentuesi i Kosovës, Zeneli, në fillim të këtij muaji shkëputi kontratën me Adana Demirsporin.

28-vjeçari ka thënë se kontrata është prishur pasi nuk ka marrë asnjë rrogë.

“Mendoj se të gjithë e dinë se si është. Kontrata është prishur, por ende ka disa çështje të vogla që duhet të zgjidhen. Është një proces ligjor. Ka shumë pjesë. Së pari nuk më është paguar rroga qëkur kam nënshkruar me klubin në shtator dhe më pas si lojtar kam të drejtë ta prish kontratën. Po ashtu nuk e kam marrë kohën e lojës që shpresonim unë dhe klubi”, ka thënë Zeneli për gazetën suedeze “Boras Tidning”.

Për paga të papaguara u ankua edhe sulmuesi i Shqipërisë, Sokol Çikalleshi. Ai është pjesë e Konyasporit.

Futbollisti i Kosovës, Zeneli, ka asistuar një herë në 12 ndeshje me fanellën e Adanas në Superligën turke. Është raportuar se Zeneli pritet t’i bashkohet Elfsborgut suedez. Klubi elitar i Suedisë pritet ta prezantojë Zenelin sapo të bëhet kompletimi i dokumentacionit.

Zeneli nuk ka konfirmuar se është gati për Efsborgun, por pranon se mundësia është e mirë.

“Shumë gjëra bien në vend kur bëhet fjalë për Elfsborgun. Familja është këtu dhe do të ishte ëndërr të luaja me vëllain, Besfortin. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Në fund dua vetëm të luaj futboll dhe të ndihem mirë”, është shprehur Zeneli.

Arbëri tashmë po stërvitet me Elfsborgun, ku luan edhe vëllai i tij i vogël, Besforti.

Dëshirën për ta pasur Arbër Zenelin e kanë konfirmuar edhe nga klubi suedez.

“Arbëri ka qenë këtu. E kam takuar dhe dëshirojmë ta shohim të kthehet në shtëpi”, ka thënë menaxheri i klubit, Stefan Andreasson.

Zeneli hapat e parë me futboll i bëri pikërisht në klubin e Elfsborgut. Ai në janar të vitit 2016 u largua nga Suedia për ta vazhduar karrierën në Holandë, përkatësisht në klubin e Heerenveenit.

Në janar të vitit 2019 bëri një hap tjetër në karrierë duke iu bashkuar Reimsit të Ligue 1 të Francës. Në Francë u përball me lëndime, ndërsa humbi edhe vendin te Kosova. Për Kosovën në 33 ndeshje ka shënuar nëntë gola. Para se t’i bashkohej Kosovës, Zeneli luajti për ekipet zinxhirë të Suedisë.