Arbër Zenelit i kishte mbetur merak që nuk ishte pjesë e Kosovës për ndeshjen miqësore kundër Zvicrës, më 29 mars të këtij vitit (1:1). Sulmuesi i krahut kishte munguar në ndeshjen kundër helvetikëve shkaku i një lëndimi.
Por këtë merak mund ta heqë vitin tjetër, kur Kosova do të ketë dy përballje me Zvicrën në kualifikimet për Evropianin e vitit 2024.
Kosova të dielën mësoi kundërshtarët për kualifikimet e “Euro 2024”, ndërsa në grupin I është bashkë me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën.
Zeneli është prej lojtarëve kryesorë të Kosovës. Ai e vlerëson Zvicrën favorite të grupit, ndërsa thotë se Kosova ka gjasat e saj për vend të dytë.
“Zvicra është favorite e grupit. Por besoj se vendi i dytë në grupin ku jemi ne, është i mundshëm”, ka komentuar shortin Zeneli, të dielën për KOHËN.
Kosova ndeshjen miqësore kundër Zvicrës e pati luajtur në stadiumin e Zuerichut “Letzigrund”, ku edhe Zeneli nisi shkëlqimin me Kosovën. Ai për Kosovën ka shënuar nëntë gola në 31 ndeshje që nga viti 2016. Në shumë ndeshje nuk luajti shkaku i lëndimeve.
Zeneli thotë se ëndrra e tij dhe e gjithë futbollistëve të Kosovës është të sigurojnë pjesëmarrjen në Evropian. E kjo ëndërr sipas Zenelit mund të bëhet realitet. Zeneli thotë se u duhet të paraqiten në çdo ndeshje me mentalitet fituesi.
“E kam parë shortin dhe është një grup i mirë për ne. Është një grup me ekipe të mira, por nuk është e pamundshme për ta fituar atë. E di se kemi kualitet në skuadër. Tash na duhet ta japim maksimumin të gjithë, sepse është ëndërr e madhe që ne të shkojmë në Evropian me Kosovën. Na duhet të hyjmë në këtë grup me mentalitetin për ta fituar çdo lojë dhe shpresoj që mund të shkojmë përpara”, ka thënë Zeneli, që të shtunën luaji ndeshje të madhe kundër gjigantit francez, PSG. Me Remsin ndalën në barazim PSG-në,0:0.
“Ka qenë një ndjenjë shumë e veçantë paraqitja ime në ndeshjen ndaj Paris Saint-Germainit që ka shumë yje në skuadër. Gjithmonë është e vështirë të luhet ndaj PSG-së për shkak se është një ndër skuadrat më të mira. Por ne jemi të kënaqur që kemi marrë një pikë”, ka thënë Zeneli.
Sulmuesi 27-vjeçar këtë edicion në Ligue 1 të Francës ka asistuar një herë në gjashtë paraqitje. Por ai shpreson të ketë minutazhë më të madhe te Reimsi në vazhdim të kampionatit.
Zeneli është pjesë e rëndësishme e Remsit dhe Kosovës. Por lëndimet e kanë frenuar së fundi.
“Për momentin nuk po luaj shumë, shpresoj që sa më shpejt të kem minutazhën e duhur. Unë po punoj fort në stërvitje për të qenë i gatshëm për ekipin, pastaj është trajneri ai që vendos”, ka thënë Zeneli.