Sport

Zeka insiston se Trepça ’89 u mban “ligjërata” klubeve për zhvillimin e lojtarëve

Arbnor Muja është lojtari i radhës që nga futbolli i Kosovës do të transferohet në atë evropian. Muja që vesh fanellën e Dritës ka arritur marrëveshje me Antwerpin në Belgjikë, ekip që do t’i bashkohet së shpejti. Ai ra në sytë e krerëve të klubit belg pas paraqitjeve të mira që i shfaqi në ndeshjet e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Krenar me transferimin e Mujës, është edhe kryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka. Ai ka thënë të dielën për KOHËN se 89-shi është shkollë për të gjitha klubet në Kosovë në zhvillimin e lojtarëve.

“Ne nuk kemi mjetet financiare sa Drita, Gjilani e Ballkani, por, ne si shkollë e futbollit, për të mos thënë akademi, mund t’iu mbajmë ligjërata të gjitha klubeve në Kosovë për zhvillimin e lojtarëve. Nuk ka asnjë klub në Kosovë që ka dërguar lojtarë në Evropë më shumë se Trepça ’89. Pengesa më e madhe për ne është infrastruktura”, u shpreh Zeka.

I pari i klubit nga Mitrovica konfirmon se ka përqindje në kartonin e Arbnor Mujës dhe pret që të arkëtojë mjete financiare nga shtija e tij. Ai po ashtu pret që këtë verë, rrugën e Mujës ta ndjekë edhe Muharrem Jashari, ish-lojtar i 89-shit që aktualisht luan te Drita.

“Me të thënë të drejtën jemi shumë krenarë si klub për Arbnor Mujën dhe të gjithë futbollistët që janë zhvilluar te Trepça ’89 dhe më pas kanë kaluar në klubet evropiane. Trepça ’89 ka përqindje në kartonin e Arbnor Mujës. Sigurisht në ditët në vazhdim do të sqarohen të gjitha. Ne i urojmë fat dhe suksese Mujës. Ne e kemi zhvilluar. Edhe kur ka qenë në Gjermani e Shqipëri, ne e kemi huazuar për t’u zhvilluar si lojtar”, tha Zeka. “Pesë për qind u takon klubeve ku është rritur lojtari. Sigurisht nuk është ndonjë shifër e madhe aty. Po e shoh që kanë shkruar, por Muja zhvillimin më të madh e ka bërë te Trepça ’89. Mujën nuk e ka njohur askush kur ka qenë te Trepça. Pres që këtë verë rrugën e Mujës ta ndjekë edhe Muharrem Jashari. Ka oferta edhe për të. Jam në kontakte edhe unë me menaxherë të ndryshëm”, theksoi ai.

Sipas Zekës, ekipi nga Mitrovica fokusin më të madh e ka në punën me të rinj dhe zhvillimin e tyre. 89-shi në edicionin 2022/23 është rikthyer në Superligë dhe do të paraqitet me një ekip të përbërë nga lojtarët e rinj.

“Ne punojmë shumë me të rinj. Mund të them që edhe në këtë vit do ta kemi moshën mesatare më të re në Superligë, diku 21-22 vjet. I kushtojmë rëndësi punës me të rinj dhe kjo ka pasur rezultat”, shtoi ai.

Zeka zbulon se deri më tani janë rreth 15 lojtarë që janë zhvilluar te 89-shi, të cilët tani luajnë në Evropë. Ai insiston se nuk ka qenë asnjëherë pengesë e kalimit të tyre nëpër klubet evropiane.

“Mund të them që janë diku rreth 15 lojtarë që janë bërë të njohur ose janë rritur te 89-shi dhe më pas e kanë vazhduar karrierën në Evropë. Nuk jam i kënaqur me shumën e parave që kemi marrë, por unë çdoherë punoj në kartonin e dytë. Unë nuk i pengoj lojtarët. Unë edhe pagat ua lë më të mira, në mënyrë që ata të jenë të motivuar për të punuar dhe për ta bërë hapin tjetër në karrierë”, deklaroi Zeka.

Përveç Arbnor Mujës që është zhvilluar te 89-shi, por në Evropë kaloi pas paraqitjeve të mira me Dritën në garat evropiane, prej ekipit nga Mitrovica në klubet evropiane kanë kaluar edhe disa lojtarë, ndër më të njohurit janë Rron Broja, Sie Bismark, Arb Manaj, Florent Hasani, Milot Avdyli. Zeka ka zbuluar shifrat financiare që ka marrë nga shtija e disa lojtarëve. Thotë se nuk është i kënaqur ende me të hyrat që ka siguruar.

“Unë i kam marr për Rron Brojën 168 mijë euro. E kam fituar rastin në FIFA. Shkupi nuk i ka respektuar rregulltat dhe më pas e kam dërguar rastin në FIFA dhe e kam fituar pasi kam pasur të drejtë. Për Arbn Manajn kam marr 70 mijë euro”, zbuloi ai.

“Buxheti i klubit është diku 400 mijë euro. Nëse e bëjmë një shitje i bie që vetëm 25 për qind i mbulojmë shpenzimet, e që është pak. Kemi disa donatorë, por është vështirë vetë të sigurohen shumica e mjeteve”, tha Zeka.

Në fund, Zeka thotë se dy lojtarë të rinj që ka në skuadër, tashmë kanë marrë oferta nga klubet e mëdha evropiane.

“E kam një lojtar në skuadër dhe ka shumë interesime për të. Është fjala për Emir Rashicën. Është 18-vjeçar dhe luan në pozitën e sulmuesit të krahut. Është te 89-shi tashmë tre vjet. Ka ardhur nga shkolla e futbollit ‘El Clasico’. Për të ka shfaqur interesim Rapidi i Vjenës dhe një klub nga Serie B. Shumë shpejt do të vendosim për të. Kemi pak telashe me prindërit, por besoj që do të sqarohen gjërat. Ai luan edhe te Kosova U19. Po ashtu, edhe për një lojtar tjetër kam ofertën nga Anderlechti”, përfundoi Zeka.