Serinë prej gjashtë fitoreve në Superligën e Kosovës në basketboll, skuadra e Trepçës e nisi pas humbjes nga Golden Eagle Ylli, ekip më të cilin do të përballet në xhiron e 14-të, që zhvillohet gjatë këtij vikendi.
Ylli pati triumfuar në udhëtim ndaj Trepçës në xhiron e shtatë, përpara se Trepça të reagoj me fitore kundër Istogut, Sigal Prishtinës, Pejës, Vëllaznimit e Bashkimit. Kjo seri pozitive ka bërë që Trepça të ngjitet në pozitën e parë në tabelë me 24 pikë të mbledhura, dy më shumë se Ylli që renditet i treti.
Me duelin e këtyre skuadrave do të hapet xhiroja e 14-të e elitës së basketbollit kosovar. Ky derbi luhet të shtunën prej orës 17:00 në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.
Te Trepça kanë insistuar se janë gati për këtë përballje, të cilën duan të fitojnë jo vetëm për suksesin e shtatë rresht, por edhe për hakmarrje ndaj Yllit për humbjen e shkaktuar.
Fundori amerikan, Darnell Edge beson në fitoren e Trepçës edhe pse vlerëson lart skuadrën e Yllit.
“Fillimisht pres një ndeshje shumë të fortë prej fillimit deri në fund. Ylli ishte më i mirë se ne dhe na mposhti në ndeshjen e fundit, që do të thotë se ne shkojmë atje për fitore. Prej asaj ndeshjeje të dyja ekipet kanë bërë ndryshime dhe kjo sigurisht se do të ketë ndikim që të luhet një ndeshje e fortë, siç i ka hije një derbit. Ne jemi përgatitur mirë dhe sigurisht se jemi gati për të dhënë gjithçka nga vetja për t’u kthyer në Mitrovicë me fitore. Me padurim e presim ndeshjen pasi duam të vazhdojmë me serinë pozitive që e kemi nisur pas humbjes nga Ylli”, tha Edge të premten për KOHËN.
Edhe te Ylli janë të vendosur për ta fituar këtë ndeshje në mënyrë që t’i afrohen edhe më shumë Trepçës në tabelë. Në derbi Ylli futet pas dy fitoreve rresht, ku arriti ta mposht Vëllaznimin dhe Proton Cable Prizrenit.
Tek Ylli ndaj Trepçës do të debutojë edhe përforcimi më i ri, amerikani Alonso Verge Jr. Fundori Valon Bunjaku beson në cilësinë e Yllit dhe pranon se ekipi nga Suhareka kërkon fitore ndaj Trepçës. Megjithatë, Bunjaku e di se nuk do të jetë lehtë, duke pasur parasysh formën e mirë që Trepça e ka treguar në gjashtë xhirot e fundit.
“Do të jetë një derbi i vërtetë, pasi të dyja ekipet do ta kërkojnë fitoren. Sigurisht, ne luajmë në shtëpi dhe besoj që me përkrahjen e tifozëve do të dalim fitues. Mirëpo, nuk do të jetë aspak lehtë pasi Trepça ka një ekip të mirë dhe këtë e ka dëshmuar kohët e fundit”, është shprehur Bunjaku.
Të shtunën zhvillohet edhe një tjetër ndeshje interesante, e cila nis në orën 19:00. Skuadra e Bashkimit përballet me Pejën në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
Bashkimi nuk është në moment të mirë pasi në nëntë ndeshjet e fundit ka një fitore e tetë humbje dhe ndaj Pejës do të futet për triumf në mënyrë që ta rikthej vetëbesimin në xhiron e parafundit për vitin 2023. Renditet i gjashti në tabelë me 17 pikë, pesë më pak se Peja që është e dyta.
Edhe kampionia në fuqi, Peja, synon fitoren ndaj Bashkimit, sidomos pas humbjes që e përjetoi xhiron e shkuar në shtëpi nga Sigal Prishtina. Te Bashkimi në këtë ndeshje pritet të debutoj Lejson Zeqiri, i cili ekipit prizrenas iu bashkua nga Prishtina.
Ndërkohë, Prishtina luan të dielën në kryeqytet kundër skuadrës së Vëllaznimit, ndeshje kjo që nis në orën 19:00 dhe mbyll këtë xhiro të Superligës së Kosovës. Në të njëjtën ditë zhvillohet edhe dueli mes Istogut dhe Proton Cable Prizrenit, i cili nis në orën 17:00 dhe luhet në qytetin e Prizrenit.
Të gjitha sfidat e xhiros së 14-të do të nisin me një minutë heshtje për ta nderuar trajnerin Illmen Bajra, i cili vdiq të mërkurën në moshën 32-vjeçare.
Superliga – XIV
E shtunë
G.E. Ylli – Trepça (17:00)
Bashkimi – Peja (19:00)
E diel
Istogu – P.C. Prizreni (17:00)
S. Prishtina – Vëllaznimi (19:00)
Trepça 13 24
Peja 13 22
G.E. Ylli 13 21
S. Prishtina 13 21
Vëllaznimi 13 20
Bashkimi 13 17
P.C. Prizreni 13 17
Istogu 13 14