Sport

Ylli shpreson ta ndalë hovin e Trepçës

Basket

Fitorja e Trepçës ndaj Bashkimit javën e kaluar ishte e 20-ta rresht në elitën e basketbollit të Kosovës. Për mitrovicasit ishte vazhdimësi e formës fantastike pas triumfit në Kupën e Kosovës për herën e tretë rresht, në mesin e muajit shkurt.

“Xehetarët” shkëlqimin e vazhduan edhe në turneun e Ligës Unike që po organizohet në Vlorë. Mposhtën me lehtësi Kamzën në çerekfinale, ndërsa më pas e eliminuan edhe Sigal Prishtinën në gjysmëfinalen dramatike.

Por hovin e Trepçës synon që në finale të Ligës Unike ta ndalë Golden Eagle Ylli.

Ylli, që në çerekfinale e eliminoi Tiranën e më pas edhe kampionen në fuqi të Kosovës, Pejën, të dielën në orën 19:00 ballafaqohet me Trepçën në finalen e garës që ishte ndërprerë në nëntor të vitit 2022.

Kapiteni i suharekasve, Gëzim Morina, e di mirë fuqinë e Trepçës dhe ka qenë i matur para ndeshjes. Megjithatë, ai ka theksuar se Ylli do të luajë për ta arritur trofeun e parë të këtij viti.

“Na pret një ndeshje e vështirë. Trepça është skuadra me formën më konstante gjatë gjithë sezonit. Jo rastësisht ka arritur mbi 20 fitore rresht. Në anën tjetër, pas një fillimi jo të mirë, me ardhjen e trajnerit Petar Mijoviq kemi treguar rritje të vazhduar të formës”, ka thënë fillimisht Morina të premten për KOHËN.

Ylli ka ecuri prej gjashtë fitoreve të njëpasnjëshme në Superligë. Humbjen e fundit e kishte pësuar pikërisht nga Trepça, në ndeshjen e xhiros së 21-të.

“Mendoj se me meritë jemi në këtë finale dhe ndeshjen e presim të motivuar e me besim të madh se mund ta fitojmë trofeun tejet të çmuar për ne, pra këtë të Ligës Unike”, është shprehur Morina.

Trepça në stinorin e rregullt të elitës së basketbollit kosovar do të përfundojë në vendin e parë. Ka 25 fitore e dy disfata dhe prin me 52 pikë.

Menjëherë pas Trepçës është Ylli me 18 fitore e nëntë disfata, dhe me 45 pikë gjithsej, aq sa ka edhe Peja në vendin e tretë.

Në xhiron e fundit të stinorit të rregullt, Ylli ballafaqohet sërish me Trepçën.

“Po e pres një ndeshje që do të luftohet shumë nga të dyja skuadrat në formë të mirë. Mendoj se Trepça është në formë të mirë për të fituar, por kjo mund të arrihet vetëm nëse ne e luajmë lojën tonë dhe stilin tonë të basketbollit”, ka thënë Darnell Edge, njëri prej më të mirëve te skuadra mitrovicase.

Kevin Bracy Davis është një tjetër basketbollist me statistika të mira në edicionin aktual te Trepça.

“Po presim ndeshje shumë të fortë e të luftuar nga dy skuadra shumë të forta. Të dyja skuadrat do të jenë në formë. Por unë besoj se ne do ta fitojmë trofeun”, ka thënë Davis për KOHËN.

Të dielën, në Vlorë, nga ora 16:00 është dashur të zhvillohej edhe ndeshja tjetër për vend të tretë mes Pejës dhe Sigal Prishtinës. Klubet kanë njoftuar të shtunën mbrëma se kjo ndeshje nuk do të luhet për shkak të orarit të ngjeshur.

Në “Final 8” të Ligës Unike kanë marrë pjesë tetë skuadra. Janë paraqitur katër skuadrat më të mira nga Kosova dhe katër më të mirat nga Shqipëria.

Liga Unike kishte nisur në prill të vitit 2021. Edicioni i parë ishte mbajtur në formë turneu dhe kishte triumfuar Ylli. Në edicionin e dytë 2021/2022 pati triumfuar Peja në garën që ishte ligë e rregullt me 14 xhiro, e më pas plejofi. Edicioni i tretë 2022/2023 ishte pezulluar dhe nuk pati vazhduar më.

Liga Unike te basketbollistet do të mbahet në Prishtinë më 1 dhe 2 prill.

Do të paraqiten Bashkimi, Prishtina, Tirana dhe Penza.

Te basketbollistet, kampion në fuqi i Ligës Unike është Partizani i Tiranës.