Ylli irlandez i boksit Michael Conlan ka pësuar një humbje me nokaut të rëndë të shtunën mbrëma në luftën për titullbote në kategorinë pendël në versionin WBA.
Conlan u nokautoua në raundin e 12-të nga britaniku Leigh Wood në meçin e zhvilluar në Nottingham. Irlandezi përfundoi jashtë ringut të boksit, pas një serie të grushteve të Woodit.
Për Conlanin ishte humbja e parë në karrierën në boksin profesionist pas 16 fitoreve, ndërsa Wood ka shënuar fitoren e 26-të karshi dy humbjeve.
Conlan kishte nisur furishëm duke e rrëzuar Woodin në raundin e parë. Por, britaniku u rikthye, e rrëzoi Conlanin një herë në raundin e 11-të e më pas e nokautoi në raundin e fundit.
Deri në raundin e 12-të Conlan ishte duke kryesuar me pikë në vlerësimin e tre anëtarëve të jurisë.