Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është përballur dy herë me Çekinë. Ndeshjen e parë ndaj çekëve në Prishtinë, të luajtur më 7 shtator të vitit 2019, Kosova e pati fituar 2:1. Me të njëjtin rezultat Kosova kishte humbur në Plzen. Janë këto dy ndeshjet e vetme që Kosova i ka zhvilluar në garat kualifikuese ndaj Çekisë, kundërshtares së Shqipërisë në kualifikimet për “Euro 2024”.
Dy ndeshjet ndaj Kosovës nga afër i pati përcjellë edhe ylli i dikurshëm i Ajaxit dhe Çekisë, Tomash Galasek.
Ish-kapiteni i Ajaxit dhe futbollisti i Nuernbergut gjerman, Galasek, tani është asistenti i parë i selektorit të Çekisë, Jaroslav Shilhavy.
Galasek thotë se ka pasur mundësi t’i shohë shumë lojtarë të Kosovës që bëjnë gara në ligat evropiane. Kosovën si përfaqësuese e vlerëson, kurse e llogarit Shqipërinë në nivel pak më të lartë.
“Kam pasur mundësi për t'i parë disa lojtarë të Kosovës në kampionatet ku luajnë ata. Më kanë lënë përshtypje shumë të mirë. Më kanë befasuar sepse nuk e kam ditur që janë aq të fortë. Kur kam qenë në Kosovë atmosfera ka qenë shumë e mirë në stadium. Besoj që kur të vijë Kosova në Çeki, askush nuk guxon që ta nënvlerësojë Kosovën, por duhet ta presë një kundërshtare shumë të fortë. Për Shqipërinë mendoj se momentalisht është në një nivel më të lartë se Kosova. Do të kemi një sfidë të madhe kundër saj”, ka thënë Galasek për KOHËN.
Shqipëria e Çekia janë në Grupin E kualifikues për Evropianin e vitit të ardhshëm. Mes vete do të ballafaqohen më 7 shtator në Pragë dhe më 12 tetor në Tiranë.
Galasek ka kontratë si asistent te Çekia deri në vitin 2024, ndërsa synon të bëhet trajner i parë te ndonjë skuadër në Holandë, Çeki apo në Gjermani.
Galasek karrierën si lojtar e ka nisur te Banik Ostrava në Çeki, ndërsa u zhvillua si lojtar në Holandë.
50-vjeçari ka qenë dy herë kampion i Holandës me Ajaxin dhe dy herë fitues i Kupës me gjigantin holandez. Edhe Superkupën e Holandës e ka të fituar dy herë. Prej vitit 1996 e deri në vitin 2000 luajti te Willem II e më pas për gjashtë vjet tek Ajaxi.
Sukses të madh në Gjermani arriti me Nurnbergun kur në edicionin 2006/2007 e fitoi Kupën e Gjermanisë. Ka luajtur edhe për Borussia Moenchengladbachun, si dhe Erlangen-Bruck, ku edhe e mbylli karrierën.
Edhe me Përfaqësuesen e Çekisë ka bërë karrierë të madhe. Luajti në gjysmëfinale të Evropianit 2004, ndërsa ishte kapiten në Kupën e Botës 2006. Ka luajtur 69 ndeshje.
“Kam punuar shumë për të mos pasur momente jo të mira në karrierë. Kam punuar për momente të mira. Momenti më i mirë ka qenë transferimi tek Ajaxi i Amsterdamit, ku nënshkrova kontratën e parë si profesionist me një ekip të suksesshëm. Një moment tjetër i rëndësishëm në karrierë është Kampionati Evropian, që u zhvillua në Portugali në vitin 2004. Luajtëm kundër Greqisë në gjysmëfinale. Edhe pse kemi humbur 1:0 në vazhdime, ka qenë një prej momenteve më të mira në karrierë”, ka thënë Galasek.
Ai ishte pjesë e kampit treditor të organizuar nga Haki Imeri në Nuernberg të Gjermanisë.