Golden Eagle Ylli e ka fituar ndeshjen e parë çerekfinale të plejofit në elitën e basketbollit kosovar.
Skuadra suharekase të dielën në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, fitoi përballë Bashkimit me rezultatin 87:69.
Në tre minutat e para nuk pati asnjë pikë të realizuar, ndërsa periudha e parë u mbyll baras 18:18.
Diferencën vendësit e bënë në çerekun e dytë që u mbyll me rezultatin 23:14.
Mysafirët fituan në periudhën e tretë 22:18, kurse dhjetë minutëshi i fundit u takoi suharekasve që fituan 28:15.
Alonzo Verge Jr. ishte më i dalluari te vendësit me 26 pikë, shtatë kërcime e 12 asistime.
Kontribut në fitore dha edhe Nate Grimes që shënoi 17 pikë, 16 kërcime e një asistim.
Mysafirëve nuk u ndihmoi loja e mirë e Lejson Zeqirit që shënoi 27 pikë, katër kërcime e katër asistime.
Ylli përfundoi i treti në stinorin e rregullt, ndërsa Bashkimi i pesti.
Skuadra me dy fitore kualifikohet në gjysmëfinale.