Kampionati Ballkanik ka dëshmuar se Kosova është e pakonkurrencë në regjion sa i takon xhudos. Ballkaniku është mbajtur të shtunën e të dielën në palestrën “Karagaçi” në Pejë, ndërsa Kosova ka fituar shumicën e medaljeve.
Të shtunën u mbajt gara në konkurrencën individuale, ndërsa të dielën ishte gara ekipore. Ekipet përfaqësuese janë përbërë nga xhudistë e xhudiste.
Në ekipore, Kosova ka fituar titullin e kampionit. Në finale e mposhti bindshëm Malin e Zi. Ndërkohë, në konkurrencë individuale, Kosova i fitoi tetë medalje të arta, dy të argjendta e pesë të bronzta.
Mali i Zi e Rumania i kishin nga dy medalje të arta, ndërsa Turqia e Bosnjë-Hercegovina nga një. Kanë garuar edhe xhudistë të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Greqisë dhe Moldavisë.
Të artë për Kosovën fituan Distria Krasniqi, Flaka Loxha, Laura Fazliu, Loriana Kuka, Muhamedin Veseli, Dion Sharapolli, Akil Gjakova e Shpati Zekaj.
Në konkurrencë ekipore u paraqit Nora Gjakova, kampionia në fuqi olimpike. Kampionia tjetër olimpike, Distria Krasniqi, u paraqit vetëm në konkurrencë individuale.
Në fakt për nivelin që kanë Nora e Distria, por edhe top-xhudistët e tjerë të Kosovës, Ballkaniku nuk ishte prej garave të forta.
Trajneri Driton Kuka ka pritur që Kosova të jetë konkurrente për ekipin më të suksesshëm. Ai ka theksuar se gara ekipore ishte e veçantë dhe diçka e re për Kosovën. Kuka ka thënë se atmosfera ishte e bukur, sidomos në finalen ndaj Malit të Zi që u paraqit me ekipin më të mirë. Trajneri i Kosovës thekson se secila luftë ishte e fortë dhe se gjithë xhudistët kosovarë kanë shfaqur potencialin për fitore në fund me rezultatin maksimal, 6:0.
Në përgjithësi, Driton Kuka ka vlerësuar paraqitjen e Kosovës.
“Pasi mori pjesë ekipi olimpik, i kam pritur 4-5 të arta. Por tetë të arta dhe medalja e artë ekipore është edhe për mua befasi. Disa xhudistë të rinj e kanë shfrytëzuar këtë momentum për të dhënë më të mirën. Dhe jam jashtëzakonisht i gëzuar që pos asave tanë të sportit kanë ardhur në shprehje edhe xhudistët e rinj. Kjo është vlerë e shtuar e kësaj gare”, ka thënë Driton Kuka.
Kosova tashmë ka nisur me organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare të xhudos, pasi ka prekur nivelin superior në këtë sport. Organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare parashikohet në programin “Kosova shtet i xhudos”. Në dhjetor në Prishtinë do të mbahet Kampionati i hapur Evropian.
Nora Gjakova pret që xhudistët kosovarë të shfaqin nivel të lartë në Evropianin në dhjetor. Sa i takon Ballkanikut, ajo ka pritur paraqitjen dominuese. Ajo ishte kapitene e ekipit të Kosovës dhe pranoi kupën.
“E pritshme. Jemi përgatitur. Nuk është niveli për të cilin përgatitemi. Përgatitemi për gara të nivelit më të lartë. Kemi pritur që sot të dominojmë. Shkoi ashtu si jemi përgatitur. Është ndjenjë më ndryshe që jemi paraqitur në vendin tonë. Ishim më të motivuar se në vendet e tjera dhe kjo na ndihmoi që të kemi paraqitje më të mirë”, ka thënë Gjakova.
Ballkaniku ishte një test jo i vështirë për ekipin olimpik të Kosovës në xhudo para garave të tjera më të mëdha.