“Do të shihemi vitin tjetër”. Me këtë premtim u largua nga Kosova gjermani Otto Kneitinger, nënpresidenti i parë i Unionit Evropian të Xhudos.
Kneitinger, si shumë prej drejtuesve dhe zyrtarëve të EJU-së, mbeti i impresionuar nga ngjarja e organizuar të shtunën e kaluar, më 16 qershor, në Prishtinë.
Kryeqendra e Kosovës ishte nikoqire e Kampionatit të Hapur të Evropës në Xhudo. 40 xhudistë e shumë më tepër zyrtarë e drejtues ishin në Prishtinë për ngjarjen që Unioni Evropian e ka organizuar për herë të parë. Shumë prej xhudistëve ishin të nivelit më të lartë evropian e botëror. Rrjedhimisht edhe gara ishte e fortë dhe shumë interesante. Madhështore e bënë shikuesit e shumtë në tribunat e palestrës plot mangësi në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Mangësitë e defektet në palestër, e sidomos në hapësirat ndihmëse të saj, mund të jenë vërejtur nga drejtuesit e xhudos evropiane. Por ata nuk erdhën për të inspektuar këtë objekt sportiv. Ishin në Prishtinë për një ngjarje që i shërben rritjes së mëtejme të xhudos kosovare.
Xhudoja kosovare në fakt ka kohë që është shumë e madhe. Shumë e suksesshme. Imazhi më i mirë i shtetit të Kosovës në botë. Më e mira që ofron Kosova për pjesën tjetër të Evropës e botës.
“Fakti se xhudoja është sporti numër një në Republikën e Kosovës nuk duhet t’i shpjegohet asnjë shikuesi apo mysafiri të huaj. Kjo kuptohet pa u thënë”, ishte një prej deklaratave të gjermanit Kneitinger.
Dallon të jesh sporti numër një në vend e pa sukses ndërkombëtar dhe të jesh sporti numër një në vend dhe të kesh suksese të mëdha ndërkombëtare. Xhudoja kosovare bën pjesë në grupin e dytë.
Evropiani i Hapur i mbajtur në Prishtinë e rikonfirmoi këtë. Për të shumtën herë madje. Te xhudistët, të cilët garuan në kategorinë deri 73 kilogramë, Akil Gjakova e fitoi medaljen e artë, ndërsa Dardan Cena e fitoi medaljen e bronztë. Te xhudistet, që garuan në kategorinë deri 57 kilogramë, Nora Gjakova e Distria Krasniqi fituan medalje të bronzta.
Kështu Kosova ishte më e suksesshmja në Evropianin në Prishtinë. Kjo nuk ka ndodhur vetëm në kryeqendrën e vendit. Edhe në disa ngjarje të mëdha në të kaluarën, duke përfshirë Kampionatin Evropian për seniorë, në të cilin Kosova ishte e para në listën e medaljeve. Do të ndodhë edhe në të ardhmen kjo.
Puna që Driton Kuka, trajneri i Kosovës në xhudo, e bën në palestrën e bukur në Pejë është garanci për këtë.
Ai kishte hyrë në “ujërat seriozë” të xhudos në fillim të viteve 2000. Me Majlinda Kelmendin, por edhe Nora Gjakovën kishte në duar diamantë që i përpunoi gradualisht dhe i shndërroi në top-xhudiste botërore. Punën e bënte në sallën e xhudos të ndërtuar në pronë të familjes dhe sinjalet se diçka shumë e mirë po bëhej erdhën në vitin 2009. Majlinda, tani trajnere në stafin e Driton Kukës, fitoi titujt e botës dhe Evropës për juniore.
Puna u intensifikua, ndërsa në vitin 2013 erdhi medalja e parë nga Kampionati Evropian për të rritur. Pësuan dy tituj të botës nga Majlinda, medalja e artë në lojërat olimpike “Rio 2016” dhe plot suksese të tjera. Gradualisht po rritej edhe Nora Gjakova, që kulmin e arriti në lojërat olimpike “Tokio 2020”, të mbajtura në vitin 2021 për shkak të pandemisë. Në Tokio suksesin më të madh të mundshëm në sport e arriti edhe Distria Krasniqi.
Pos Majlindës, Norës e Distrisë, suksese të mëdha kanë arritur Akil Gjakova, Loriana Kuka, Laura Fazliu. Suksese pak më të vogla kanë edhe plot xhudistë të tjerë.
Në fillimet e karrierës, Toni Kuka ka eksperimentuar shumë. Rrugës gjeti modelin për të shndërruar xhudistët në më të mirët në botë. Ai zhvillohet vazhdimisht, njëjtë si xhudoja dhe sporti në përgjithësi. Por po e mban hapin me pjesën tjetër të botës, me gjithë numrin e vogël të xhudistëve dhe konkurrencës thuajse brutale, sidomos nga superfuqitë botërore.
Është pra puna e Driton Kukës, i përkrahur vazhdimisht nga vëllai Agron Kuka, president i Federatës së Xhudos së Kosovës, që e ka shndërruar Kosovën në superfuqi të këtij sporti me origjinë në Japoni. Kosova është superfuqi e xhudos nëse sukseset krahasohen me numrin e xhudistëve në vend, por edhe numrin e banorëve dhe madhësinë e shtetit.
Madhështia e Kosovës në xhudo u dëshmua në Lojërat Olimpike në Tokio.
Japonia, si vendi ku xhudoja filloi të praktikohej, kishte planifikuar medalje në kategorinë deri 48 kilogramë dhe atë deri 57 kilogramë. Japonezët ndoshta kanë pritur të sfidohen nga vendet e tjera me xhudo të zhvilluar si Franca apo Rusia. Por u sfiduan nga një vend me më pak se dy milionë banorë dhe me një “grusht” xhudistësh elitarë. Jo vetëm që u sfiduan, por mbetën pa medalje ari në dy prej kategorive që kanë synuar t’i dominojnë.
Nora e Distria, si kampione në fuqi, në Evropianin në Prishtinë mbetën pa medalje ari. Fituan medalje bronzi, që për nivelin e tyre është sukses solid. Jo më tepër.
Kompensimin e bëri Dardan Cena. I pa llogaritur në mesin e favoritëve, 20-vjeçari që ka lënë familjen në Prishtinë dhe është vendosur në Pejë për të ndjekur ëndrrën për karrierë të suksesshme në xhudo, shkëlqeu në tatami dhe fitoi medaljen e bronztë në fund. Ishte një sukses i papritur që dëshmoi potencialin e Dardanit, por edhe punën që bëhet në sallën e tashmë Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.
Medalja e Dardanit, por edhe e arta e Akil Gjakovës dëshmuan vijimësinë dhe zhvillimin e mëtejmë të ekipit të Kosovës në xhudo. Ekipit të vogël, por me vepër të madhe.
“Çdo xhudist dhe kushdo që e përcjell xhudon e di se sa e fortë është xhudoja e Kosovës. Nuk është e lehtë të kesh tri kampione olimpike, tri medalje të arta, veçanërisht kur merr pjesë në vetëm dy edicione të Lojërave Olimpike. Kosova është një prej shteteve lidere të xhudos jo vetëm në Evropë, por edhe në botë”, ka thënë Catarina Rodrigues, drejtore sportive e EJU-së.
Rodrigues është nga Portugalia, vend që po ashtu ka xhudo të nivelit serioz. Mban pozitë të rëndësishme në Unionin Evropian të Xhudos dhe e di se sa shumë punë bëhet nga xhudistët kosovarë. Është puna e madhe dhe serioze në stërvitje që shpesh xhudistët kosovarë i vë mbi të tjerët.
Xhudoja ka një sistem unik të garimit.
Pos kampionateve botërore dhe kampionateve kontinentale, ka garat Masters, Grand Slam e Grand Prix. Garat e këtij niveli i takojnë turit botëror të xhudos. Janë gara ku fitohen pikë për normë olimpike dhe që mbahen në vende të ndryshme.
e di se çfarë mund të them më shumë për xhudon e Kosovës në aspektin e rezultateve. Kampione Olimpike, medalistë botërorë, evropianë. Ekipi i Kosovës një prej skuadrave më të forta në Evropë, po ashtu edhe në botë. Ajo që ne mund të bëjmë, është të përgëzojmë punën e Federatës së Xhudos së Kosovës, trajnerin Driton Kuka, dhe presidentin Agron Kuka për punën e shkëlqyer, si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen. Tani, po presim rezultate të mëdha nga Kosova edhe në Lojërat Olimpike në Paris”, thotë Hrvoje Lindi, nënpresident i EJU-së.
Hrvoje Lindi është njëri nga tre nënpresidentët e Unionit Evropian. Është nga Kroacia, një vend me traditë më të gjatë se Kosova në xhudo. Por sukseset e xhudistëve kosovarë janë dukshëm më të mëdha në dekadën e fundit.
“Natyrisht se xhudoja e Kosovës ka ndikim në imazhin e vendit. Në Pejë e keni Qendrën Nacionale. Ne e dimë se shumë sportistë të huaj dhe përfaqësuese të huaja e përdorin këtë qendër. Është mirë për xhudon e Kosovës dhe po ashtu edhe për zhvillimin e xhudistëve në të gjithë Evropën. Edhe kjo gjë na bën të lumtur po ashtu”, ka shtuar Lindi.
Qendra Nacionale është ndërtuar në kuadër të përkrahjes shtetërore për xhudistët, pas sukseseve kulmore të tyre. Tashmë xhudoja përkrahet me programin “Kosova, shtet i xhudos”. Do të investohen miliona në këtë projekt. Qendra Nacionale në Pejë do të kompletohet me objekte përcjellëse dhe në vitet e ardhshme do të shërbejë për kampe të mëdha ndërkombëtare e gara të ndryshme. Salla të xhudos do të ndërtohen edhe në qendrat e tjera të Kosovës. Do të praktikohet xhudoja nëpër shkolla. Dhe natyrisht do të organizohen ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare të xhudos.
Evropiani i Hapur ishte ngjarja e parë madhore. Të tjera pritet të pasojnë. Provimi është kaluar me sukses të plotë. Pos me suksese në tatami, Kosova u shqua edhe me organizim të Evropianit.
“Kam ardhur këtu në muajin gusht për vizitën e parë. Nga ai moment kam kuptuar se sa i përkushtuar ka qenë ky ekip për të mbajtur një ngjarje kaq të mirë. Dhe mund t'iu them se që nga momenti që kemi filluar puna ka qenë shumë e lehtë, sepse ekipi i punëtorëve e ka përgatitur shumë mirë ngjarjen. Gjithçka ka ndodhur ashtu siç jemi pajtuar. Jemi të lumtur me ngjarjen, përgatitjet dhe po ashtu për garën, që ka shkuar shumë mirë”, ka theksuar drejtorja sportive e EJU-së, Rodrigues.
“Jemi shumë të kënaqur që e kemi ngjarjen e parë këtu në Kosovë, në Prishtinë, me Kampionatin e Hapur Evropian. Është një organizim madhështor. Kemi ardhur këtu me bashkëpunëtorët disa muaj më parë për t'u përgatitur për gjithçka, sepse e kemi ditur se nuk ka pasur ndonjë ngjarje të madhe zyrtare këtu. Po ashtu kemi pasur takime me presidenten, Qeverinë dhe Ministrinë e Sportit. Jemi më shumë se të kënaqur dhe të lumtur se si është organizuar, për punën e të gjithë vullnetarëve, stafit, njerëzve dhe të gjithëve. Janë shumë të shoqërueshëm dhe është organizim i nivelit të lartë”, ka thënë Lindi.
Evropiani, njëjtë si programi “Kosova, shtet i xhudos” e ka të qartë qëllimin – rritjen e numrit të xhudistëve, përmirësimin e mëtejmë të rezultateve. Një federatë, përkatësisht një sport, që i solli vendit tri medalje të arta olimpike pa përkrahje të denjë, natyrisht që meriton të përkrahet në të gjitha format. Me shtrirjen e mëtejme të xhudos, shpresohet që të gjenden Majlinda e Nora të tjera. Të dalë në skenë ndonjë Akil apo ndonjë Laurë e Distri, që do të mundësojnë që himni i Kosovës të intonohet nga vendet më të ndryshme në botë, nga Rusia në Japoni, nga Franca në Brazil e ku jo.
Drejtuesit e xhudos kosovare e çmojnë programin shtetëror. Drejtuesit e Unionit Evropian po ashtu. Prania e drejtuesve të shtetit në Evropian, presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Sportit, Hajrulla Çeku, sipas EJU-së është dëshmi se sa seriozisht merret xhudoja në Kosovë.
Drejtuesit e shtetit, natyrisht, nuk mund të qëndrojnë larg atyre që bënë më së shumti për imazhin e Kosovës. Që mundësuan ngritjen e flamurit të Kosovës në qytetet e ndryshme të Rusisë, që detyruan garën ruse të qëndrojnë gatitu gjatë intonimit të himnit të Kosovës.
“Kampionati i hapur evropian i xhudos “Prishtina 2023”, organizimi i të cilit i është besuar Kosovës, përveçse përbën një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme sportive, shënon edhe një hap të rëndësishëm për afirmimin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare të sportit. Kampionati sjell mundësi të shkëlqyeshme për të treguar se Kosova tashmë jo vetëm që është fituese e medaljeve olimpike, por edhe në mënyrë të shkëlqyeshme organizon ngjarje të nivelit të lartë evropian, duke e vendosur Kosovën në radhën e vendeve me kapacitet të lartë organizativ. Organizimi në vendin tonë është si rrjedhojë e mirënjohjes që Federata e Xhudos ka përfituar, natyrisht, shkaku i sukseseve kulmore të sportistëve tanë dhe të Federatës së udhëhequr nga zotëri Kuka, me trajner të jashtëzakonshëm si Driton Kuka, e po ashtu edhe me kampionët tanë”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Gjatë fjalimit të saj në Evropianin në Prishtinë, presidentja Osmani ka përmendur Majlinda Kelmendin dhe frymëzimin që përfaqëson ajo për brezat e sportistëve që po vijnë. Ajo ka përmendur edhe ndikimin e suksesit të xhudisteve në imazhin e shtetit të Kosovës në botë.
“Sukseset e Majlindës në arenën ndërkombëtare, përfshirë medaljen e artë olimpike, janë dëshmi e fuqisë dhe talentit të sportistëve kosovarë. Sukseset e xhudisteve tona, që tashmë po vazhdojnë tutje këtë rrugë të trasuar kaq fort, Nora Gjakovës dhe Distria Krasniqit, që tashmë njihet si xhudistja më e mirë në botë, kanë arritur pra, jo vetëm të fitojnë medaljet e arta në Lojërat Olimpike, por po ndihmojnë në krijimin e një imazhi jashtëzakonisht pozitiv për sportin tonë dhe për shtetin tonë. Këto suksese asnjëherë nuk janë vetëm fitore personale. Ato janë shembuj frymëzues për brezin e ri dhe dëshmi se sportistët tanë, jo vetëm që mund të konkurrojnë, por edhe të triumfojnë në skenën ndërkombëtare. Sporti është pjesë thelbësore e kulturës dhe e suksesit të vendit tonë. Prandaj, organizimi i Kampionatit këtu, në kryeqendrën e Kosovës, shërben si platformë për ta ndërthurur krenarinë me sukseset e sportistëve tanë, duke bërë që Kampionati të jetë një ngjarje e paharrueshme për sportin kosovar. Federata e Xhudos e Kosovës meriton vlerësim të veçantë për punën e jashtëzakonshme ndër vite, për arritjen e rezultateve dhe për organizimin e këtij kampionati. Faleminderit shumë për mundin tuaj! Dhe pikërisht niveli i organizimit tregon se kjo federatë, jo vetëm që është e zonja të organizojë në mënyrë profesionale e të suksesshme kampionate të tilla, por edhe të shkëlqejë në organizime të tilla”, ka shtuar presidentja Osmani.
Xhudoja vështirë se mund të zhvillohet më tej pa burime të sigurta financiare, pa përkrahje të vazhdueshme shtetërore. Për këtë janë të vetëdijshëm në Federatën e Xhudos së Kosovës. Në të njëjtën kohë janë krenarë që përkrahjen e vazhdueshme dhe serioze të shtetit e kanë siguruar me punë dhe rezultate kulmore në ngjarjet më të mëdha.
Presidenti i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, tashmë është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Unionit Evropian. Edhe kjo e arritur është falë rezultateve të xhudistëve, por natyrisht edhe serioziteti që ka shfaqur Agron Kuka në prezantimet e deritashme.
Ai ka folur për vlerën e shumëfishtë të organizimit të Evropianit në Prishtinë.
“Ne mendojmë që kjo garë ka rëndësi dhe peshë të madhe për vendin tonë, duke e ditur faktin që vetëm nga Federata Evropiane e Xhudos i kemi 48 zyrtarë. Shumica janë nga vendet e ndryshme të Evropës. Me plot gojën e them që pos tre që kanë qenë në inspektim, të gjithë të tjerët, për ta është hera e parë në Kosovë. Përveç anës sportive e ka peshën shumë të madhe edhe sa i përket promovimit të vendit tonë, te vendet e tjera evropiane. Kështu që ka vlera të mëdha të ndryshme sa u përket mbajtjes dhe organizimit të këtij kampionati”, ka theksuar Agron Kuka, kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës.
Agron Kuka dhe ekipi i tij kanë projektet e idetë për zhvillimin dhe shtrirjen e mëtejme të xhudos. Kjo përfshin edhe organizimin e garave më të mëdha në Kosovë.
“Vetë fakti që na është besuar një kampionat i tillë, tregon që ndikimi i xhudos kosovare dhe rezultateve tona që janë arritur me vite radhazi në skenën evropiane dhe botërore, tregon që kjo ka qenë ajo që e ka vendosur dhe e ka marrë epilogun e tillë, që të mbahet një garë e tillë këtu. Shpresoj që kjo garë të përsëritet edhe në vitin e ardhshëm. Mendoj që në të ardhmen e afërt, pas disa viteve, të jemi të gatshëm të organizojmë edhe një Kampionat jo të Hapur, por të mirëfilltë Evropian, për të gjitha kategoritë, që është një sfidë më të vërtetë e madhe, pasi që e dimë se infrastruktura nuk e mundëson një gjë të tillë. Por, po shpresoj që pasi është marrë organizimi i Lojërave Mesdhetare, besoj që infrastruktura të përmirësohet dhe të kemi mundësinë të mbajmë edhe një kampionat të tillë”, ka shtuar Agron Kuka.
Organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare natyrisht rrit profilin e xhudos kosovare. Por ngjarje të mira organizojnë edhe vende që sukseset i kanë të vogla. Ndërkohë Kosova ka suksese të mëdha dhe për këtë do të njihet edhe më tutje në botë.
Driton Kuka është figura kryesore në këtë. Puna e tij doli në pah edhe në Evropianin e Hapur në Prishtinë.
“Unë po ndihem jashtëzakonisht mirë dhe e di që ky sukses në vendin tonë çon peshë shumë më shumë. Por, të them të drejtën, i kam pasur disa orë pak të çuditshme, dhe nuk e di se a do të doja të kisha dëshirë më të kem një event të tillë, sepse për mua ishte shumë stres i madh. Mund ta krahasoj ngarkesën dhe stresin, ndoshta edhe më të madh se në Lojërat Olimpike.
Sidomos konkurrenca e meshkujve ka qenë konkurrenca e tmerrshme mund të them. Xhudisti nga Azerbajxhani sivjet pothuajse nuk ka humbje. Ka fituar Kampionatin Evropian të rregullt në muajin nëntor. Ka fituar para disa javëve Grand-Slamin e Tokios që është ndoshta më e fortë se vetë Lojërat Olimpike. Ai ka ardhur këtu, të them, të bëjë shëtitje drejt medaljes së artë, por, ia kemi prishur pak llogaritë dhe jam shumë i lumtur që ia kemi prishur. Është kënaqësi që para këtij publiku të mrekullueshëm e kemi një medalje të artë e tri të bronzta. Katër garues, katër medalje. Më mirë nuk do të mund ta imagjinoja”, thotë Driton Kuka, trajner i Kosovës.
Para Evropianit në Prishtinë, Driton Kuka është deklaruar fare pak. Edhe xhudistët është munduar t’i mbajë të fokusuar dhe rezultate dëshmon se kishte sukses në këtë.
Tani fokusi i Toni Kukës është Olimpiada e Parisit.
Pas medaljes së Majlindës në Rio dhe medaljeve të Norës e Distrisë në Tokio, të tjera medalje synohen në “Parisi 2024”. Tri medalje të arta është pritje më shumë se e ekzagjeruar. Kuka do të ishte i kënaqur edhe me një medalje, pavarësisht të artë, të argjendtë apo të bronztë. E rëndësishme për të është që Kosova të lërë gjurmën e saj në ngjarjen kulmore sportive.
Në fakt Olimpiada për Kosovën duket e pavlerë pa xhudon. Në dy edicionet e kaluara ishte kështu. Shenjat janë se njëjtë do të jetë edhe në Paris.
Edhe pjesëmarrja e Kosovës në Lojëra Olimpike është për meritë të madhe të xhudistëve dhe sukseseve të tyre.
“Unë besoj shumë që ka qenë pikërisht xhudoja e Kosovës që ka ndikuar jashtëzakonisht shumë që të anëtarësohemi në Komitetin Olimpik dhe në të gjitha institucionet sportive internacionale. Po mendoj që roli i xhudos, roli i Federatës, roli i ekipit sportiv ka bërë që të njihemi së pari si xhudo, pastaj si sport, e në fund edhe si Kosovë. Mos t'i përmendim tash ato ngritjet e flamujve, flamurit tonë, intonimin e himnit nëpër të gjitha ato shtete, të cilat edhe nuk na e duan të mirën tek e fundit. Por, ne kemi arritur ta bëjmë”, tha Mustafë Veseli, trajner i xhudos.
Toni Kuka, por edhe Veseli e të tjerët kanë nisur e kanë përfunduar karrierën duke ëndërruar të paraqiten në Lojëra Olimpike dhe ngjarje të tjera të mëdha. Tani kosovarët jo vetëm që paraqiten në të gjitha ngjarjet, por edhe i organizojnë ato. Madje me sukses të plotë.
“Jemi shumë krenarë dhe të them sinqerisht jemi të befasuar çfarë po shohim këtu. Organizimi perfekt, tifozët perfektë. Pas bisedave që kemi pasur do të kthehemi sërish këtu vitin tjetër, me këtë Kampionat, nëse ju dëshironi. Ne jemi të gatshëm”, tha Otto Kneitinger, nënpresidenti i parë i EJU-së.
Me shumë mundësi Kneitinger dhe drejtuesit e tjerë të Unionit Evropian do të kthehen vitin tjetër në Prishtinë. Për Evropianin e Hapur apo ndonjë ngjarje tjetër kontinentale apo globale. Do të shohin sërish xhudo kulmore dhe me siguri do të mësojnë emrin e ndonjë top-xhudisti të ri që do të skalitet nga duart e kryemjeshtrit Driton Kuka.