Sport

Xhudistët sjellin medaljet evropiane, bëhen gati për ato olimpike

“Urime kampionë”. Kështu e përshëndeti ekipin e Kosovës në xhudo të dielën mbrëma një qytetar i cili po lëvizte me veturë në afërsi të kufirit të Kosovës me Maqedoninë e Veriut.

Pasi falënderuan qytetarin për urimin, anëtarët e ekipit të udhëhequr nga kryemjeshtri Driton Kuka nisën të flasin për suksesin e fundit të arritur në Kampionatin Evropian të mbajtur në Montpellier të Francës.

Në fundjavë nxënësit e Kukës i fituan plot katër medalje evropiane në Francë, shtet ku vitin e ardhshëm do të mbahen Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

Distria Krasniqi fitoi medalje të argjendtë, ndërsa Nora Gjakova, Akil Gjakova dhe Laura Fazliu fituan medalje të bronzta.

Trajneri Kuka e ka vlerësuar lart suksesin e arritur në Montpellier.

“Në Francë na priu fati, pasi prej gjashtë garuesve katër medalje është rezultati më i madh i arritur ndonjëherë në kampionate evropiane. Kemi fituar edhe medalje të arta, por numerikisht nuk i kemi fituar asnjëherë katër medalje. Një paraqitje e jashtëzakonshme, një kampionat jashtëzakonisht i fortë, sepse është mbajtur në Francë, shtet i cili ka marrë pjesë me ekipin e parë e po ashtu pothuajse gjitha ekipet kanë qenë të mobilizuara, sepse janë të rëndësishme edhe pikët olimpike. Kam pritur se do të kthemi me një medalje ose dy, por katër medalje është një e arritur që as unë nuk e kam pritur”, ka thënë Kuka gjatë intervistës dhënë për KOHËN pak pasi ekipi i xhudos kaloi kufirin Maqedoni e Veriut - Kosovë.

“Ky është rezultati më i mirë për mua si trajner edhe pse në Kosovë mendojnë se duhet gjithmonë e arta. Por kam thënë që në garat elitare siç janë Evropianët, Botërorët apo Lojërat Olimpike edhe e bronzta është e artë për një shtet si Kosova. Hiç tri medaljet arta olimpike dhe medaljet e arta botërore, mund të them që ky është rezultati më i madh në xhudo”.

Kuka është tejet i lumtur për medaljen e fituar nga Akili dhe Laura. Të dy garuan të shtunën. Trajneri Kuka insiston se xhudistët i kanë tejkaluar pritjet e tij.

“Kanë shkuar edhe përtej asaj që kam pritur, kështu që jam jashtëzakonisht i kënaqur. Është përmbushur me këtë garë puna jonë, kështu që vitin e ardhshëm nga Lojërat Olimpike të kthehemi me medalje, që do të ishte mrekulli për vendin tonë”.

Kryemjeshtri beson se edhe nga Parisi, Kosova do të kthehet me medalje. Një medalje sipas tij do të ishte e arritur e madhe nga Lojërat Olimpike.

“Besoj se do të kthehemi me medalje. Edhe një medalje do të ishte shumë e madhe për Kosovën nga Lojërat Olimpike. Katër norma janë të sigurta, besoj se edhe Loriana do të kthehet në formën e saj dhe besoj se pesë norma do të kemi për Paris 2024”, ka thënë Toni Kuka.

I kënaqur me medaljen është shprehur Akil Gjakova. Ai së fundi ka gjetur formën pas një periudhe shterpe.

“Duke marrë parasysh që gati dy vjet nuk kam fituar medalje, jam kthyer nga lëndimi dhe jam ngritur në nivel. Medalja erdhi në kohën e duhur si në Abu Dabi ku fitova 700 pikë e tash edhe medalja evropiane që do të thotë shumë për karrierën time. Është medalja e dytë dhe jam shumë i kënaqur dhe shpresoj të shkoj mirë deri në rrugën për në Olimpiadë”, ka thënë Gjakova.

Motra e tij, Nora, thotë se synimi i madh i radhës është medalja olimpike.

“Qëllimi im është medalja në Lojërat Olimpike, kjo është për çka po përgatitemi. Kjo garë ishte përgatitje për garat tjera dhe e vlefshme për Lojërat Olimpike dhe na tregon për gjendjen që e kemi”, ka thënë fituesja e medaljes së artë olimpike në “Tokio 2020”.

Edhe kampionia tjetër olimpike, Distria Krasniqi, pret të kthehet me medalje nga Olimpiada e ardhshme.

“Kjo medalje tregon se jam gati për Lojërat Olimpike. Shpresoj ta kem paraqitjen e njëjtë si në Tokio”, ka thënë Disi.

Pritje për medalje tjera nga ngjarjet e mëdha ka edhe Laura Fazliu.

“Jam nisur me synimin për ta fituar të artën, por gjërat nganjëherë nuk shkojnë siç dëshiron. Por medalja është medalje dhe edhe me të bronztën jam shumë e kënaqur”, ka thënë Fazliu.