Sport

Xhudistet po përgatiten në Rogla për shkëlqim në Tokio

Ushtrimet me ngarkesë maksimale, nga dy e tri herë në ditë, kanë karakterizuar kampin përgatitor të xhudisteve, që po mbahet në Rogla të Sllovenisë. Kampi përfundon pas dy ditësh, ndërsa zgjat gjithsej tri javë. Për një kohë pjesë e tij ishin vetëm xhudistet më të mira të Sllovenisë dhe ato të Kosovës.

Tani në bjeshkët e Roglas janë edhe xhudiste nga vende të tjera që po marrin pjesë në kampin përgatitor.

të vërtetë ushtrimet në Rogla nuk janë diçka e re për ekipin e trajnerit Driton Kuka. Rritja e ekipit të Kosovës ka nisur pas fillimit të bashkëpunimit me trajnerin slloven Marjan Fabjan dhe kur vizitat në Slloveni u bënë të rregullta.

Praktikës së suksesshme, trajneri i Kosovës, Driton Kuka, dhe ekipi i tij po i përmbahen ende. Dhe kjo nuk pritet të ndryshojë.

Për tri javë rresht, xhudistet kampione të Kosovës kanë zhvilluar ushtrime bazike në bjeshkët e Roglas, për të krijuar bazën që është e domosdoshme për sukses në Lojërat Olimpike të Tokios. Gara e xhudos në Tokio është në javën e fundit të korrikut. Por që forma e xhudisteve të jetë kulmore në korrik, baza duhet të krijohet tani.

Para Lojërave Olimpike, xhudistet do të paraqiten në Botëror. Për shkak të ngarkesës së madhe gjatë kampit në Slloveni, Kuka e di që në Botëror xhudistet e tij nuk do të jenë në formën më të mirë. Për të primare është që garueset, prej të cilave e gjithë Kosova pret medalje olimpike, të jenë në kulm të formës në Olimpiadë.

“Jam shumë i kënaqur që jemi në Slloveni. Në Rogla është baza jonë, që na shërben për përgatitje bazike. Tash jemi në përgatitjet finale për Lojërat Olimpike. Jemi gjithmonë me ekipin e Sllovenisë, por kësaj radhe kemi edhe shumë ekipe të tjera. Besoj që këto përgatitje do të rezultojnë me suksese të reja në Kampionatin Botëror, por sidomos për Lojërat Olimpike, që është caku ynë kryesor”, ka thënë Kuka të martën. Botërori i xhudos është prej 6 deri më 13 qershor në Budapest të Hungarisë.

“Botërori është pas disa javësh, por nuk është synimi ynë kryesor sivjet. Caku kryesor janë Lojërat Olimpike. Në Botëror nuk do të marrin pjesë të gjithë garuesit e ekipit tonë. Do të jenë disa, por nuk e di cilët saktësisht. Do të vendosim në ditët e fundit, për shkak se përgatitjet e një cikli olimpik, tashmë pesëvjeçar, duhet të rezultojnë me performancë jashtëzakonisht të mirë në Lojërat Olimpike. Shpresoj që kësaj radhe nga Tokio të kthehemi me medalje për shtetin tonë, Kosovën.

Në Lojërat Olimpike në Rio kemi pasur dy garues. Majlinda ka qenë aduti kryesor dhe është bërë kampione olimpike. Tani i kemi pesë garues të kualifikuar, por secili prej tyre ka gjasa për medalje. Si gjithmonë po shpresoj që nga këto gara të kthehemi me një medalje. Nëse kemi fat edhe me më shumë. Por kemi ndërtuar ekip serioz, ekip të mirë. Këtë po e dëshmojnë rezultatet në të gjitha garat që i kemi pasur në vitet e fundit. Po besoj shumë që edhe nga Tokio, Kosova do të kthehet me medalje nga sporti i xhudos”, ka shtuar Kuka.

Xhudistet kosovare janë të vetëdijshme për rëndësinë e stërvitjeve bazike në Rogla. Ndonëse stërvitje të vështira dhe me ngarkesë maksimale, ato i kanë përballuar me plot sukses dhe kanë treguar përkushtim maksimal. Këtë e ka konfirmuar edhe trajneri Kuka.

Në Tokio shumë pritet prej kampiones olimpike, Majlinda Kelmendi. Ajo është e përkushtuar që të fitojë medalje olimpike. Por podiumin në Tokio e kërkojnë edhe Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka e Akil Gjakova.

“Këto janë përgatitjet kryesore për Lojërat Olimpike. Unë nuk do të marr pjesë në Kampionatin Botëror që do të mbahet në Budapest, mirëpo po përgatitem për Olimpiadë. Gjithçka deri më tani ka shkuar shumë mirë, përgatitjet janë shumë të forta, kanë mbetur edhe dy ditë që të përfundojnë, kështu që jam shumë e lumtur që gjithçka ka shkuar ashtu siç duhet, ashtu siç është planifikuar. Nuk e kam pasur asnjë problem, asnjë lëndim, kështu që në përgjithësi ka shkuar mirë”, ka thënë Majlinda Kelmendi. Ajo e di se çka duhet për sukses në skenën më të madhe.

“Realisht po mundohem që të mendoj sa më pak për Lojërat Olimpike, thjesht të fokusohem dhe të ushtrojë sa më mirë, të përgatitem sa më mirë. Kam qenë atje më herët dhe e di se çka duhet, e di se si duhet të ushtroj, kështu që thjesht po mundohem të bëj krejt çka kam bërë para Lojërave Olimpike të Rios”, ka shtuar Kelmendi. Ajo natyrisht i gëzohet rritjes së ekipit olimpik.

“Tash jemi pesë garues të cilët jemi kualifikuar për Lojërat Olimpike dhe realisht presioni është shumë më i vogël. Në Lojërat Olimpike në Rio kemi qenë vetëm unë dhe Nora. Ajo është lënduar një muaj para garave dhe i gjithë presioni ka qenë tek unë. Kështu që sot për sot jemi pesë garues që e kemi normën olimpike dhe secili prej nesh ka mundësi të marrë medalje dhe realisht presioni është më i vogël”, ka theksuar Majlinda.

(Pamjet dhe intervistat e Kukës dhe Kelmendit, për KOHËN janë mundësuar nga RTV Slovenia, përkatësisht gazetari Alesh Potoçnik).