Sport

Xhudistët nisin “sulmin” për gjashtë norma olimpike

Kampi olimpik stërvitor, që do të mbahet në Mittersill të Austrisë "hap" vitin 2018 për xhudistët kosovarë. Në Mittersill tashmë janë trajneri Driton Kuka, kampionia olimpike Majlinda Kelmendi dhe xhudistët Akil Gjakova e Shpat Zeka. Në fund të javës atyre iu bashkohen edhe Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Laura Fazliu, Loriana Kuka e ndonjë xhudiste tjetër.

Dhe për të gjithë këta, pra për ekipin e Kosovës në xhudo, viti 2018 vlerësohet me shumë peshë. Gjatë këtij viti nis cikli olimpik për "Tokio 2020" dhe kështu garat fitojnë në peshë, pasi në to mblidhen pikë për ranglistë olimpike. Në fakt pikët në dy vjetët e fundit para olimpiadës kanë peshë dy herë më të madhe se në dy vjetët e parë. Cikli olimpik zyrtarisht nis në qershor të këtij viti dhe ekipi i Kosovës ka pritje të mëdha në të, shkruan sot Koha Ditore.

Në Olimpiadën e kaluar Kosova mori pjesë me dy xhudiste, ndërsa kishte tri norma të fituara. Në "Tokio 2020" ekipi i Kosovës në xhudo pritet të përfaqësohet me pesë apo gjashtë xhudistë.

Derisa për "Rio 2016", Distria Krasniqi ishte me normë, por nuk mundi të garonte pasi në të njëjtën kategori garoi Majlinda Kelmendi, për Tokio trajneri Driton Kuka nuk pritet të ketë telashe të tilla. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).