Në mesin e rreth 1000 xhudistëve që aktualisht po ushtrojnë në kampin olimpik në Mittersill të Austrisë janë edhe xhudistët më të mirë të Kosovës. Nuk janë shumë në numër, por janë shumë të suksesshëm. Kampi në Mittersill është aktiviteti i parë ndërkombëtar i xhudos këtë vit dhe trajneri i Kosovës, Driton Kuka, e vlerëson shumë të rëndësishëm. Ai në fakt e vlerëson maksimalisht çdo aktivitet, çdo garë e çdo stërvitje. Me këtë qasje ka krijuar ekipin prej më të mirëve në botë.
Kuka tashmë e ka në mendje rrugën deri në lojërat olimpike “Parisi 2024”. Synimi i tij është i qartë – që xhudistët të jenë në formën më të mirë të mundshme në garën që gjatë verës do ta kenë në Paris. Përgatitja për Lojërat Olimpike të Parisit kanë nisur tashmë dhe ato do të marrin formë gjatë javëve e muajve të ardhshëm.
“Sa u takon garave, vitin e fillojmë në Grand Prix të Portugalisë. Më pas do të jemi në Grand Slamin e Parisit, garën më të famshme të xhudos. Besoj se në Paris do të jemi me ekip të kompletuar. Më pas kalendari është i ngjeshur me gara. Se në cilat do të marrim pjesë do të varet prej plasmanit dhe pikëve olimpike që do t’i fitojnë xhudistët në garat e para”, ka thënë Kuka për KOHËN.
Gara Grand Prix në Portugali mbahet pas dy javësh, përkatësisht prej 26 deri më 28 janar. Tashmë janë paraqitur 616 xhudistë nga 88 vende për këtë garë. Laura Fazliu, Loriana Kuka, Flaka Loxha dhe Shpati Zekaj pritet të garojnë prej ekipit të Kosovës.
Prej 2 deri më 4 shkurt është Grand Slami i Parisit. Grand Slami në Baku të Azerbajxhanit është në mes të shkurtit e në fillim të marsit Grand Slami në Uzbekistan. Në mars është edhe Grand Slami në Gjeorgji e në fund të marsit Grand Slami në Antalya të Turqisë. Në prill është Evropiani i xhudos në Zagreb të Kroacisë. Në maj është Botërori, ndërsa gara të tjera të rëndësishme ka deri në fund të korrikut, kur fillojnë Lojërat Olimpike, ngjarja kryesore sportive.
Pos në Evropian e Botëror, xhudistët e Kosovës do të paraqiten edhe në disa gara të nivelit Grand Slam e Grand Prix.
“Ajo që është e sigurt është që do ta ndjekim me përkushtim rrugën që në Paris të jemi në pikun e formës. Ky është prioriteti. Momentalisht jemi në Austri në një prej kampeve më të forta. Po shquhen me përkushtim në stërvitje Distria Krasniqi e Nora Gjakova. Dy kampionet tona olimpike po japin shembull të mirë në qasje, për dallim prej tjerëve që në përgatitje, sidomos në ditën e parë, erdhën të relaksuar”, ka shtuar Kuka.
Ai indirekt ua ka tërhequr vërejtjen xhudistëve të ekipit elitar. Kështu vepron herë pas here, kur konsideron se xhudistët nuk e kanë fokusin e duhur. Dhe vërejtjet e tij pasohen me reagim nga sportistët më të mirë në vend.
Pritet që Kosova të përfaqësohet në Paris me pesë xhudistë. Pos kampioneve olimpike, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, pritet të kualifikohen edhe Laura Fazliu, Akil Gjakova e Loriana Kuka.