Sport

Xhudistët në Portugali me synim për ta nisur vitin mbarë

Të premten ka nisur gara e parë ndërkombëtare e vitit 2024 në sportin e xhudos. Në Odivelas të Portugalisë po mbahet gara Grand Prix, në të cilën po paraqiten plot 624 xhudistë nga 90 shtete të ndryshme.

Si rrallë herë, Kosova nuk kishte garues në ditën e parë. Nuk kishte as të shtunën, ndërsa do të përfaqësohet me dy xhudistë të dielën.

Për garën e parë të vitit, trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka vendosur të angazhojë vetëm Loriana Kukën dhe Shpati Zekajn. Loriana do të garojë të dielën në kategorinë deri 78 kilogramë, ndërsa Zekaj në kategorinë deri 100 kilogramë.

Pra në Portugali nuk garojnë më të mirët e Kosovës, kampionet olimpike Nora Gjakova e Distria Krasniqi, si dhe Akil Gjakova e Laura Fazliu. Ata do të startojnë me gara në muajin shkurt.

Për Lorianën gara në Portugali është me shumë vlerë. Ajo aktualisht është brenda zonës që siguron normën për Lojërat Olimpike “Parisi 2024”, njëjtë si Nora, Distria, Akili e Laura. Por Loriana është në kufi të zonës që siguron normë dhe secila fitore për të është me vlerë të madhe. Nga maji i vitit të kaluar, Loriana Kuka ka garuar në kategorinë deri 70 kg, me synim për më tepër sukses. Nuk shfaqi atë që synohej nga ekipi i Kosovësv në xhudo dhe ajo kthehet në kategorinë deri 78 kilogramë, ku ka garuar për kohë shumë të gjatë. Loriana ka medalje botërore e evropiane, por ka pasur telashe për të shfaqut potencialin në vitin e fundit.

Në Portugali, Loriana nuk është në mesin e bartëseve. Në xhiron e parë do të përballet me kroaten Karla Prodan.

Për Shpati Zekajn, gara e fortë në Portugali shërben për të fituar përvojën e domosdoshme në nivelin e të rriturve. Koha e tij ende pritet të vijë. Në xhiron e parë Shpati është i lirë, ndërsa në të dytën përballet me francezinFrancis Damier. Niveli i dy xhudistëve është i përafërt, ndërsa Shpati Zekaj do ta synojë fitoren. Për të secila fitore në Grand Prix do të ishte e vlefshme.

Menjëherë prej 2 deri më 4 shkurt mbahet njëra prej garave kryesore të vitit, Grand Slami i Parisit. Në kryeqendrën franceze, Kosova pritet të paraqitet me ekipin më të fortë.

Në Paris top-sportistët e Kosovës do të kthehen edhe në fund të korrikut. Gara e xhudos në Lojërat Olimpike 2024 është prej 27 korrikut deri më 3 gusht.