Nora Gjakova është bartësja e parë në Grand Slamin e xhudos, që prej së premtes deri të dielën mbahet në Astana të Kazakistanit. Rrjedhimisht është edhe pretendente e madhe për medalje.
Nora garon të premten, në ditën e parë të garave në “Barysy Grand Slam”. Është ngjarja e radhës e Turit Botëror të Xhudos, në të cilin mblidhen pikët më të mëdha për normë olimpike. Xhudistët kosovarë në Kazakistan i synojnë medaljet e radhës dhe pikët e radhës për ngritje në ranglistën botërore.
Si bartëse e parë, Nora në xhiron e parë është e lirë. Nora së fundi garoi në Botërorin në Doha, në fillim të majit. U rëndit e shtata. Në kategorinë e saj janë 24 xhudiste.
Gjithsej në Grand Slamin në Kazakistan garojnë 334 xhudistë nga 42 shtete të ndryshme.
Të shtunën garojnë tre xhudistë të Kosovës. Akil Gjakova kërkon pikët e radhës në kategorinë deri 73 kilogramë. Akili është bartësi i tetë, pra e pret një garë e fortë drejt podiumit. Por forma e Akil Gjakovës sa shkon e rritet dhe ai shpejt pritet të jetë lart në renditje.
Në kategorinë deri 63 kilogramë garon Laura Fazliu. Ajo është bartësja e dytë. Më lart se Laura në renditjen e kësaj kategorie është vetëm australiania Katharina Haecker.
Ndërkohë Loriana Kuka nuk është bartëse në kategorinë deri 70 kilogramë. Ajo është zhvendosur në këtë kategori pas telasheve që kishte me formë në kategorinë deri 78 kilogramë. Në garën e kaluar fitoi medalje dhe tjetër medalje synon në Kazakistan. Tashmë Loriana është e 55-a në ranglistën botërore në kategorinë deri 70 kg, ndërsa me tjetër medalje ngrihet për dhjetëra pozita.
Synimi i madh i xhudistëve elitarë të Kosovës është Olimpiada e vitit të ardhshëm në Paris. Normat olimpike priten nga Nora, Distria Krasniqi, Akili, Laura, Loriana e ndoshta edhe ndonjë xhudiste tjetër. E më pas, prej të gjithë këtyre shpresohet edhe në medalje.
Në “Tokio 2020”, Nora e Distria fituan medalje të arta olimpike. Majlinda Kelmendi kishte fituar të artë në “Rio 2016” dhe kështu standardi i vendosur është shumë i lartë.