Sport

Xhudistët në Baku, në kërkim të medaljeve të radhës

Katër prej xhudistëve më të mirë të Kosovës kanë udhëtuar për në Baku të Azerbajxhanit, ku prej të premtes deri të dielën do të paraqiten në garën e nivelit Grand Slam.

Gjithsej në këtë garë me rëndësi janë 407 xhudistë nga 64 shtete të ndryshme.

Të premten garon Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kilogramë. Të shtunën garojnë Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë dhe Dardan Cena në kategorinë deri 73 kilogramë. Të dielën në tatami paraqitet Loriana Kuka në kategorinë deri 78 kilogramë.

Nora është bartësja e tretë, ndërsa e pret garë e fortë. Do të luftojë për vend në podium me kanadezen Christa Deguchi, francezen Sarah Leonie Cysique, gjeorgjianen Eteri Liparteliani, izraeliten Timna Nelson Levy e xhudiste të tjera. Në Grand Slamin e Parisit, Nora u rendit e pestA, më 2 shkurt. Synon që në Baku të kthehet te medalja.

Laura është bartësja e dytë në kategorinë deri 63 kilogramë. Rivale kryesore pritet ta ketë kanadezen Catherine Beauchemin-Pinard, që është bartëse e parë. Laura po ashtu mbeti pa medalje në Paris. Ishte ndalur në luftën e dytë. Në Baku, Laura pritet të dëshmojë se gara në Paris ishte vetëm një “ditë e keqe”.

Dardan Cena nuk është bartës në kategorinë deri 73 kilogramë. Por pas tri fitoreve në Paris, që ia siguruan vendin e shtatë, 20-vjeçari synon të dëshmojë se i takon nivelit serioz të xhudos.

Bartëse nuk është as Loriana Kuka në kategorinë deri 78 kilogramë. Medalja do të ishte me shumë peshë për Lorianën, që është brenda zonës që i siguron normën olimpike, por thuajse në kufi të saj. Dhe vendi në podium do t’i mundësonte Lorianës të fitojë pikët që do ta stabilizonin brenda zonës që siguron normën olimpike.

Kryetrajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka vendosur që nga gara në Baku të pushojë dy medalistët nga Grand Slami i Parisit, Distria Krasniqin dhe Akil Gjakovën.

Sajti i Unionit Evropian të Xhudos ka shkruar që Nora e Laura janë në mesin e favoriteve kryesore në kategoritë e tyre. E ka përmendur edhe Lorianën, që është kthyer në kategorinë deri 78 kilogramë pas një periudhe jo shumë bindëse në 70 kg.

“Në kategorinë e re Loriana është ende duke shikuar për një fitore të madhe. Grand Slami në Baku mund të jetë një mundësi e madhe për të”, ka shkruar EJU.

Trajneri Driton Kuka ka theksuar se secila medalje do të ishte e rëndësishme për ekipin, ndër të tjera edhe për vazhdimësi të sukseseve. Xhudistët kosovarë sjellin vazhdimisht medalje nga garat e mëdha.