Sportistët më të mirë të vendit kanë udhëtuar për në Baku të Azerbajxhanit, ku prej së premtes e kanë garën e radhës. Bëhet fjalë për xhudistët e trajnerit Driton Kuka, që paraqiten në Grand Slamin “Heydar Aliyev”.
Në Grand Slamin në Baku do të paraqiten 452 xhudistë nga 61 shtete të ndryshme. Në ekipin e Kosovës janë dy kampionet olimpike, Distria Krasniqi e Nora Gjakova. Në Baku do të garojnë edhe Akil Gjakova, Laura Fazliu e Loriana Kuka.
Të premten garojnë Distria në kategorinë deri 52 kilogramë dhe Nora në kategorinë deri 57 kg. Të shtunën garojnë Akili në kategorinë deri 73 kilogramë, Laura në kategorinë deri 63 kg dhe Loriana në kategorinë deri 70 kg.
“Lojërat Olimpike po afrohen dhe gara tashmë është shumë e fortë. Të gjithë synojnë pikët për renditje sa më të mirë për normë olimpike. Në Baku konkurrenca është shumë e fortë. Por dihet cilësia e ekipit tonë dhe natyrisht synimi është të fitojmë medalje dhe të fitojmë pikë të reja për ngritje në ranglistë. Synojmë paraqitje sa më të mirë dhe pikë të reja, në mënyrë që të jemi më të qetë në përgatitjet për Lojërat Olimpike që verën tjetër mbahen në Paris”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.
Distria është bartësja e parë në kategorinë deri 52 kg, por pritet të ketë konkurrencë të madhe nga Chelsie Giles, Reka Pupp, Odette Giuffrida e ndonjë tjetër.
Nora është bartësja e katërt dhe synon pikë të reja për ngritje të mëtejme në ranglistë. Rafaela Silva, Eteri Liparteliani dhe Timna Nelson Levy janë të renditura më lartë se Nora në kategorinë deri 57 kg.
Bartësja e parë është edhe Laura në kategorinë deri 63 kg. Synimi i saj natyrisht është vendi në podium dhe kështu hapi tutje drejt pozitës së parë në ranglistën botërore. Aktualisht është e dyta në ranglistën e kategorisë së saj. Loriana nuk është në mesin e bartëseve në kategorinë deri 70 kilogramë, ku është duke e kaluar një periudhë testimi.
Edhe Akil Gjakovën e pret garë e fortë në kategorinë deri 73 kg, ku nuk është bartës. Hidayet Heydarov dhe Lasha Shavdatuashvili janë xhudistët kryesorë të kësaj kategorie në Baku. Të dy janë të njohur për Akilin, që synon tjetër hap drejt “Parisi 2024”.
Deri në fund të vitit kanë mbetur vetëm edhe tri gara të Turit Botëror të Xhudos, ku mblidhen pikët më të mëdha për ranglistë olimpike. Në fund të tetorit është Grand Slami në Abu Dabi, ndërsa më pas në nëntor apo dhjetor është Grand Slami i Tokios.
Xhudistët kosovarë do ta kërkojnë suksesin edhe në Kampionatin Evropian që mbahet në Montpellier të Francës prej 3 deri më 5 nëntor. Por synimi i madh është përgatitja e duhur për Lojërat Olimpike. Të gjithë pesë xhudistët që garojnë në Baku pritet të jenë në Paris me normë të fituar. Dhe të gjithë do të synojnë medalje olimpike.