Prej të premtes deri të dielën në Linz mbahet gara e radhës e turit botëror të xhudos, “Grand Prix Upper Austria”.
Në mesin e 532 xhudistëve nga 79 shtete të ndryshme janë edhe pesë xhudistë të Kosovës. Si në secilën garë të rëndësishme, xhudistët kosovarë synojnë medalje në Austri.
Të premten garojnë Flaka Loxha e Fationa Kasapi, në kategorinë deri 57 kilogramë. Nuk janë bartëse dhe medalja eventuale do të ishte sukses i madh si për Flakën ashtu edhe për Fationën. Në kategorinë deri 57 kilogramë janë 37 xhudiste.
Të shtunën në tatami dalin Akil Gjakova e Dardan Cena, që garojnë në kategorinë deri 73 kilogramë. Akili është pretendent i fuqishëm për medalje. Është bartësi i dytë, pas brazilianit Daniel Cargnin. Por si zakonisht kategoria deri 73 kilogramë është shumë e fortë, e paparashikueshme dhe me konkurrencë të madhe. Dardan Cena nuk është bartës dhe plasmani në tetë më të mirët do të ishte sukses i madh për të.
Akil Gjakova së fundi ka shfaqur formë të lartë. Në garën e tij të parë këtë vit, Grand Slamin e Parisit, u rendit i treti. Më 16 dhjetor ishte i pari në Evropianin e Hapur në Prishtinë. Në nëntor ishte i treti në Evropianin e rregullt, ndërsa në tetor fitoi medalje argjendi në Grand Slamin në Abu Dabi. Ecurinë pozitive synon ta vazhdojë në Austri.
Edhe Dardan Cena ka bërë hapa të rëndësishëm para në garat e fundit dhe ngritjen graduale pritet ta konfirmojë në Linz.
Të dielën garon Loriana Kuka në kategorinë deri 78 kilogramë. Ajo është bartësja e shtatë. Loriana në fakt ka pasur telashe të mëdha kohët e fundit për të zënë vend në podium. Së fundi medalje me peshë fitoi në qershor të vitit të kaluar. Shpresohet që në Austri të japë shenja për kthim në nivelin më të lartë.
“Është garë e rëndësishme në rrugëtimin tonë drejt Lojërave Olimpike në Paris. Jemi në vitin olimpik dhe në secilën garë konkurrenca është e madhe. Por, xhudistët tanë kanë nivel dhe këtë pres ta tregojmë në arenë”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.
Ai ka vendosur të pushojë Distria Krasniqin e Laura Fazliun. Ndërkohë Nora Gjakova po e sanon një lëndim që e pësoi në garën e kaluar.