Gara më e famshme e xhudos ka vlerë edhe më të madhe këtë vit për dy prej sportistëve më të mirë të Kosovës. Distria Krasniqi do ta ketë një provë serioze në kategorinë e re, ndërsa Akil Gjakova kthehet në tatami për herë të parë që nga lojërat olimpike “Tokio 2020”.
Grand Slami i Parisit, që njihet si gara më e famshme dhe më madhështore e xhudos, mbahet të shtunën e të dielën në “Accor Arena”, në kryeqendrën franceze. Është edicioni i 51-të i Grand Slamit të Parisit.
Kosova vjet mungoi në këtë ngjarje, kur kthehet me katër garues. Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, garon në kategorinë deri 52 kilogramë, ku një javë më parë e fitoi të artën në garën “Grand Prix” të mbajtur në Portugali. Akili do ta kërkojë suksesin në kategorinë me konkurrencë të jashtëzakonshme, atë deri 73 kilogramë. Pas zhgënjimit në Portugali, më shumë sukses kërkojnë Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë dhe Flaka Loxha në kategorinë deri 57 kilogramë. Katër përfaqësuesit e Kosovës garojnë të shtunën.
Gara zhvillohet në katër tatami dhe fillon në orën 10:30. Blloku final është prej orës 17:00. Shpresat janë të mëdha se pjesë e bllokut final, ku luftohet për medalje, do të jenë edhe garuesit e Kosovës.
“Është prej garave më të mëdha të xhudos. Garë me shumë traditë dhe me peshë të madhe. Për Akilin është garë e kthimit pas Lojërave Olimpike. Mbetet të shihet se kush është me formë. Kategoria e tij si gjithnjë është e mbushur me garues të nivelit më të lartë”, ka thënë për KOHËN, Driton Kuka, trajner i Kosovës në xhudo. Atij të premten iu nda çmimi i Trajnerit më të mirë të Vitit 2021 në xhudo, të cilin e kishte fituar në dhjetor. Pra gara e Parisit ende pa nisur është bërë e veçantë për Kosovën.
“Distria nesër e ka ditën për të parë se ku është karshi top-garueseve në kategorinë deri 52 kilogramë”, ka shtuar Kuka.
Distria fitoi të artën olimpike në kategorinë deri 48 kg, por ka vendosur që të garojë në 52 kg që të mos ketë nevojë për të hequr vazhdimisht peshë.
Në Paris, në sallën e famshme, do të garojnë 285 xhudistë nga 52 shtete.
Distria është bartësja e shtatë në kategorinë deri 52 kg. Bartësja e parë është e para në ranglistën botërore, francezja Amandine Buchard. Chelsie Giles e Britanisë së Madhe, Fabine Kocher e Zvicrës, Astride Gneto e Frnacës dhe Ai Shishime e Japonisë pritet të jenë konkurrentet kryesore të Distrisë.
Akil Gjakova është bartësi i pestë në kategorinë e tij. Lasha Shavdatuashvili i Gjeorgjisë, Tsogtbaatar Tsend-Ochir i Mongolisë, Hidayt Heydarov e Rustam Orujov të Azerbajxhanit janë rivalët e mëdhenj të Akilit, së bashku me japonezin Soichi Hashimoto, Fabio Basile e ndonjë tjetër.
Laura e Flaka do të testohen në një garë me konkurrencë shumë të fortë.
“Konkurrenca si për Laurën ashtu edhe për Flakën është shumë e fortë. Në Grand Slam e kanë vështirë. Por ngadalë vijnë në sistem. Qasjen natyrisht se duhet ta ndryshojnë”, ka theksuar Kuka.
Parisi është synimi i madh i të gjithë xhudistëve të Kosovës. Në këtë qytet mbahet Olimpiada e ardhshme, në vitin 2024.