Sport

Xhudistët e Kosovës në tatami, Kosova i pret medaljet nga Lojërat Mesdhetare

Xhudistët e Kosovës të martën kanë mësuar kundërshtarët, ndërsa prej të mërkurës pritet t’i sigurojnë medaljet aq shumë të dëshiruara të Lojërave Mesdhetare. Në tri ditët e para të garave në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Oran të Algjerisë, Kosova nuk ka fituar medalje. Dhe kjo pritet të ndryshojë të mërkurën, kur në tatami dalin xhudistët e trajnerit Driton Kuka.

Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Akil Gjakova, Laura Fazliu, Flaka Loxha, Erza Muminoviq, Shpati Zekaj e Arbër Kullashi e përfaqësojnë Kosovën në garat e xhudos në “Oran 2022”. Prej tyre priten disa medalje.

Të mërkurën garon kampionia olimpike Distria Krasniqi, që është favorite për të artën në kategorinë deri 52 kilogramë. Garojnë edhe Erza Muminoviq në kategorinë deri 48 kilogramë dhe Flaka Loxha në kategorinë deri 57 kilogramë. Të tjerët garojnë të enjten dhe të premten.

Njëjtë si në sportet e tjera, nuk ka shumë garues nëpër kategori. Dhe me dy-tri fitore sigurohet medalja.

Distria Krasniqi është bartësja e parë në kategorinë deri 52 kilogramë dhe xhiron e parë e kalon pa luftë. Në xhiron e dytë e pret fituesen e përballjes mes qipriotes Sofia Asvesta dhe turkes Buketnur Karabulut. Në kategorinë deri 52 kilogramë janë 11 xhudiste.

Erza Muminoviq ka kaluar në kategorinë deri 48 kilogramë dhe nuk është bartëse. Edhe në këtë kategori janë 11 xhudiste. Erza në raundin e parë takohet me turken Gulkader Senturk.

Në kategorinë deri 57 kilogramë, Flaka Loxha fillimisht takohet me italianen Giulia Caggiano. Në 57 kg janë nëntë garuese, ndërsa Flaka është bartësja e tretë. Rrjedhimisht është pretenduese për medalje.

Kundërshtarët i kanë mësuar edhe xhudistët që garojnë të enjten e të premten. Akili, Loriana e Laura vlerësohen konkurrentë për medalje, por rastin e kërkojnë edhe Shpati Zekaj e Arbër Kullashi.

“Synojmë medalje, natyrisht. Ekipi është në gjendje të mirë dhe nëse xhudistët shfaqin potencialin, atëherë medalje duhet të fitohen. Është garë me rëndësi dhe duhet të japim më të mirën për të arritur sukses”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Tradicionalisht nxënësit e Kukës ishin të vetmit që kanë fituar medalje për Kosovën në ngjarjet shumësportëshe për seniorë. Kjo nisi me Lojërat Evropiane të vitit 2015, kur Nora Gjakova fitoi medaljen e vetme për Kosovën. Në Lojërat Mesdhetare të vitit 2018, Kosova fitoi katër medalje, prej tyre tri të arta. Të gjitha medaljet u fituan nga xhudistët. Të artë ishin Distria Krasniqi, Nora Gjakova e Akil Gjakova. Medalje të argjendtë kishte fituar Loriana Kuka.

Në Lojërat Evropiane të vitit 2019, Kosova fitoi tri medalje. Natyrisht nga xhudoja. E artë ishte Majlinda Kelmendi, e argjendtë Nora Gjakova kurse e bronztë Loriana Kuka.

Rrëfim krejt tjetër është Olimpiada, ngjarja kulmore sportive. Kosova ka tri të arta në këtë ngjarje, falë xhudos. Majlinda ishte e artë në Rio 2016, ndërsa Nora e Distria në Tokio 2020.

Sa u takon Lojërave Mesdhetare që po mbahen në Oran, medalje janë synuar edhe në boks, karate e mundje. Madje më optimistët, si drejtuesit e KOK-ut, kanë parashikuar medalje në të gjitha sportet ku Kosova merr pjesë. Karateistët e mundësit e kanë kryer garën pa medalje, ndërsa në boks vëllezërit Shpejtim e Bashkim Bajoku mund të sigurojnë medalje të mërkurën, në rast të fitoreve.

Vëllezërit Bajoku vlerësohen me gjasa të mira, por natyrisht më shumë pritet nga xhudistët, tashmë të konfirmuar si elitë botërore.

Pos Kosovës, ekipe elitare në Lojëra Mesdhetare kanë dërguar edhe Spanja, Turqia, Serbia, Sllovenia, Kroacia e disa vende të tjera.

“Të gjithë sytë do të jenë te kampionia olimpike Distria Krasniqi, njëjtë si te shoqja e saj e skuadrës, Laura Fazliu, që fitoi medaljen e argjendtë në Evropianin e këtij viti”, ka shkruar sajti zyrtar i Unionit Evropian të Xhudos.

Sa u takon garave të xhudos, Kosova nuk ka medalje që nuk e ka fituar. Për nga niveli, gara në Lojëra Mesdhetare nuk u afrohet atyre ku xhudistët kosovarë kishin suksese kulmore.

Në Lojërat Mesdhetare paraqiten 157 xhudistë nga 23 shtete. Shumica janë prej Evropës. Afrika përfaqësohet me 5 shtete e 36 xhudistë, ndërsa Azia me dy shtete e pesë xhudistë.