Sport

Xhiroja përmbyllëse vendos për Evropë dhe mbijetesë

Java e fundit në Superligën e Kosovës në futboll (36), do të jetë përcaktuese se cilat skuadra do ta sigurojnë mbijetesën në elitë, cila do të luajë në barazh dhe ekipin që do të bie në Ligën e Parë për edicionin tjetër. Përveç mbijetesës, në këtë javë do të vendoset edhe skuadra e dytë që do ta luajë në Ligën e Konferencës.

Në garë për të siguruar mbijetesën janë pesë skuadra, Trepça ’89, Arbëria, Feronikeli, Drenica dhe Llapi, kurse për pozitën e dytë, që garanton garat evropiane, po luftojnë Drita dhe Ballkani.

Distanca mes Trepçës ’89, që është në pozitën e nëntë (të parafundit) dhe Llapit, që zë vendin e pestë, është vetëm tri pikë. Andaj gjithçka mbetet e hapur. Pozita e nëntë dërgon në Ligën e Parë, ndërsa e teta në plejaut. Skuadrat synojnë të dalin në vendin e shtatë, por ndonjëra do të mbetet e teta e ndonjëra edhe e parafundit. Më e rrezikuara për rënie konsiderohet Trepça ’89.

Trepça ’89 në ndeshjen e fundit kampionale do ta presë Drenicën në “Riza Lushta” në Mitrovicë.

Edhe drenicasit, që kanë 42 pikë në vendin e gjashtë, janë duke e kërkuar mbijetesën dhe do ta siguronin atë edhe me një barazim ndaj 89-shit.

Në anën tjetër, “minatorëve” u duhet vetëm fitorja, por edhe ajo mund të mos mjaftojë. Te 89-shi duhet ta presin edhe fundin e ndeshjeve të tjera për të parë nëse e kanë siguruar mbetjen në Superligë, janë në barazh apo bien në kategorinë e dytë të futbollit kosovar.

Trajneri i Trepçës ’89, Shpëtim Idrizi, ka thënë për KOHËN se e vetmja shpresë për skuadrën që ai drejton ka mbetur që ta sigurojnë barazhin.

Ai deklaroi se do të japin më të mirën në ndeshjen e fundit ndaj Drenicës dhe shpresojnë që Drita ta ndalë Arbërinë.

“Deri para kësaj ndeshjeje gjasat kanë qenë që t’i ikim barazhit, por me humbjen ndaj Ballkanit na ka mbetur e vetmja mundësi ta mposhtim Drenicën dhe të shpresojmë në barazh. Në bazë të kapacitetit që kemi, mendoj se do të jemi edhe edicionin tjetër në Superligë. Sigurisht se do të varet edhe nga ndeshja Drita – Arbëria. Nëse Drita e mposht Arbërinë dhe ne fitojmë ndaj Drenicës, e sigurojmë barazhin. Por nëse ndodh e kundërta, pra Arbëria fiton ndaj Dritës, ne rrëzohemi. Dritës i ka mbetur e vetmja mundësi për të shkuar në Evropë si e dyta, duke e mposhtur Arbërinë e që po besoj se ka forcë për ta bërë një gjë të tillë, sepse i duhet vetëm fitorja”, u shpreh Idrizi.

Fitorja që mund të mos mjaftojë

“Ne jemi të motivuar edhe pse vijmë pas një zhgënjimi, por kemi biseduar dhe bashkërisht kemi mbledhur forcat për të fituar ndeshjen kundër Drenicës. Jemi të përqendruar vetëm te ndeshja jonë”.

Ekipi nga Mitrovica ka bilanc pozitiv në duelet direkte ndaj Arbërisë, ku i ka fituar dy ndeshje, ka barazuar një herë dhe ka pësuar një disfatë. Kundër Llapit ka bilanc të njëjtë, nga dy fitore secili ekip, ndërkohë kundër Drenicës dhe Feronikelit ka bilanc negativ. Mund të vijë puna, varësisht rezultateve që dy apo më shumë skuadra të kenë pikë të njëjta dhe te vendos bilanci në ndeshjet e ndërsjella.

Përballjen me Trepçën ’89 vendimtare e ka quajtur trajneri i Drenicës, Sami Sermaxhaj. Ai ka deklaruar për KOHËN se ndaj mitrovicasve iu kryen punë edhe barazimi. Sermaxhaj ka shtuar se kanë përparësi në duelet direkte ndaj tri ekipeve që po luftojnë për mbijetesë. Vetëm kundër Arbërisë, Drenica ka bilanc negativ.

“Është vendimtare për të dyja ekipet, si për ne, ashtu edhe për Trepçën ‘89. Si asnjëherë më parë gara është shumë interesante si për dalje në Evropë, ashtu edhe për mbijetesë dhe gjithçka do të vendoset në xhiron e fundit. Tri-katër skuadra jemi të përfshira. Neve na konvenon edhe barazimi për të mbetur në ligë. Po ashtu edhe matematikat në favorizojnë, pasi ne jemi në përparësi me Llapin, Feronikelin dhe Trepçën ’89 në duelet direkte. Neve nuk na interesojnë matematikat e të tjerëve, ne do të punojmë gjatë kësaj jave që të arrijmë synimin që kemi”, u shpreh Sermaxhaj.

Me Sermaxhajn në krye, Drenica ka shënuar katër fitore, tri barazime dhe ka pësuar dy humbje.

Plani i Arbërisë

Skuadra e Arbërisë, që aktualisht është në pozitën që në fund dërgon në barazh, do ta ketë ndeshjen vendimtare ndaj Dritës në Gjilan. Drita po lufton për pozitën e dytë që dërgon në garat evropiane.

Për këtë duel, trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina, thotë se janë mobilizuar të gjithë. Sipas Morinës, ndaj ish-kampiones do të shkojnë vetëm për fitore.

“Jemi të mobilizuar shumë. Kemi qenë të mobilizuar gjatë gjithë kampionatit, por e dimë që jemi dëmtuar në disa ndeshje. Në ndeshjet e fundit kemi hyrë në seri të mirë të rezultateve dhe shpresojmë që ta vazhdojmë edhe në ndeshjen e fundit ndaj Dritës. Kundër Dritës do të shkojmë për fitore. Për ne është gjithçka ose asgjë ajo ndeshje. Drita i ka ambiciet e veta, ne i kemi tonat. Sigurisht nuk jemi të qetë, sidomos në ndeshjet e fundit, por jemi të bashkuar për të bërë ëndrrën realitet, që të mbesim në Superligë”, u shpreh Morina, që insiston se Arbëria nuk është varur dhe nuk do të varet nga askush.

“Ne nuk jemi varur nga askush që nga fillimi i kampionatit. Ne jemi varur vetëm nga vetja jonë dhe njëjtë do të jetë edhe në xhiron e fundit. Ne nuk kemi qenë pjesë e matematikave të askujt. Kemi luajtur futboll. Edhe atëherë kur kemi humbur, kemi pasur paraqitje shumë të mirë. E rëndësishme është se të gjithë jemi të bashkuar që të arrijmë të mbesim në Superligë. Që nga presidenti, anëtarët e kryesisë, e po ashtu edhe lojtarët e lënduar që janë, të gjithë janë afër klubit”.

Morina flet edhe për barazhin dhe thotë se ndeshjet e tilla janë shumë të vështira.

“Nëse do të mbesim në barazh, sigurisht që nuk do të jetë aspak e lehtë. Dukagjini dhe Flamurtari kanë skuadra shumë të mira. Barazhi është vetëm një ndeshje. Është si ndeshje e Kupës ku vendoset gjithçka, andaj do të ishte e vështirë”.

Llapi – Feronikeli është ndeshja tjetër që mund të përcaktojë shumë gjëra. Përderisa Llapi është në vendin e pestë me 42 pikë, Feronikeli është i shtati me një pikë më pak (41).

Llapjanëve u kryen punë edhe një pikë, kurse Feronikeli nuk do të ketë të sigurt asgjë me barazim, pa u ditur rezultatet e ndeshjeve të tjera.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka pohuar se kundër Feronikelit do të hyjnë vetëm për tri pikë. Batatina thekson se do ta mbajë premtimin e dhënë për ta mbyllur sezonin në vendin e pestë.

“Ne futemi vetëm për fitore kundër Feronikelit, sepse premtimi im ka qenë që do ta mbyllim kampionatin në pozitën e pestë. Nuk dua që premtimet që i kam dhënë të mos i mbaj. Unë do të merrem vetëm me skuadrën time. Do ta japim maksimumin në fushë dhe jemi shumë të motivuar. Besoj që edhe freskia do të vijë në shprehje te skuadra ime dhe tri pikë do të mbesin në ‘Zahir Pajaziti’”, tha Batatina i cili do ta drejtojë Llapin në garat evropiane.

Trajneri i Feronikelit, Faruk Elshani, thotë se do të punojnë gjatë tërë javës për të qenë sa më të gatshëm për ndeshjen ndaj Llapit.

Ai theksoi se dueli me Llapin do të jetë i vështirë, por shton se ka besim te lojtarët e skuadrës që drejton.

“Do të punojmë gjatë gjithë javës dhe do të përgatitemi maksimalisht për ndeshjen kundër Llapit. Po besoj që me angazhim maksimal mund t’ia dalim që të mbesim në Superligë. E dimë që do të jetë ndeshje e vështirë, pasi edhe Llapi nuk e ka siguruar mbijetesën, por secili klub i ka synimet e veta. Nuk e di nëse do të na kryente punë edhe barazimi, pasi do të varet shumë edhe nga ndeshjet tjera se si do të përfundojnë. Do të jetë një sfidë e madhe edhe për mua si trajner, pasi e kam marrë klubin në kohë të vështirë, por kam besim te lojtarë dhe me angazhimin e të gjithëve do t’ia dalim”, tha Elshani.

Feronikeli ka bilanc pozitiv në duelet direkte ndaj Trepçës ’89, ku ka fituar dy ndeshje dhe ka luajtur baras dy herë. Bilanc më të mirë ka edhe kundër Arbërisë. Ndaj lipjanasve ka dy fitore, një barazim dhe një humbje.

Të gjitha ndeshjet e javës së fundit (36), do të zhvillohen të dielën nga ora 15:00. Nëse skuadrat në fund të kampionatit përfundojnë me pikë të njëjta, atëherë do të shikohen duelet direkte.

Prishtina është kampione e Superligës për edicionin 2020/2021, kurse Llapi është fitues i Kupës së Kosovës.

Prishtina do ta përfaqësojë Kosovën në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, kurse Llapi do të luajë në kualifikimet e Ligës së Konferencës, së bashku me nënkampionin.

Ballkani, që është i treti, në xhiron e fundit luan ndaj Prishtinës në kryeqytet. Me fitore dhe dështim eventual të Dritës del në vend të dytë.