Sport

Xhiroja e fundit vendos kampionët në dy grupet e Ligës së Parë

Emri i dy skuadrave që do të ngjiten automatikisht në Superligën e Kosovës në futboll do të mësohet të shtunën, kur edhe do të zhvillohet xhiroja e fundit në Ligën e Parë.

Si në Grupin A ashtu edhe në Grupin B do të mësohen skuadrat kampione, që do të jenë pjesë e elitës edicionin e ardhshëm. Do të përcaktohen edhe ekipet nënkampione që do t’i luajnë dy ndeshje në barazh në tentim për të siguruar pjesëmarrjen në Superligë.

Në Grupin A, Malisheva është vetëm një pikë larg zyrtarizimit si kampione e këtij edicioni. Është e para në tabelë me 57 pikë, dy më shumë se Dukagjini që zë vendin e dytë. Malisheva do të luajë në Gjakovë kundër Vëllaznimit derisa Dukagjini në Mitrovicë do të përballet me Trepçën. Si Vëllaznimi ashtu edhe Trepça e kanë siguruar mbetjen në Ligën e Parë. Në rast se Malisheva e fiton titullin e kampionit, atëherë për herë të parë në histori do të luajë në elitë.

Në Grupin B, Ulpiana patjetër duhet ta mposhtë si mysafire Ramiz Sadikun për ta mbajtur pozitën e parë. Ulpiana është lidere në këtë grup me 50 pikë, një më shumë se Flamurtari, që është i dyti dhe luan në udhëtim ndaj Vllaznisë së Pozhoranit.

Skuadrat që përfundojnë në vendet e dyta do të përballen mes vete në barazh përpara se të luajnë me ekipin që përfundon në pozitën e tetë në Superligë. Dhe fituesi do të jetë në elitë.

Të gjitha ndeshjet e dy grupeve të Ligës së Parë do të zhvillohen të shtunën, prej orës 15:00.