Për Sigal Prishtinën është shumë e rëndësishme ta mbyllë me fitore pjesën e rregullt të edicionit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Me triumf në xhiron e 28-të, Prishtina do të konfirmohej e para në tabelë, pozitë prej së cilës do të futej në garat e plejofit. Prishtina do të luajë në udhëtim te Ponte Prizreni, që nuk ka asnjë ambicie pasi do të luajë në plejaut. Prizreni, edicionin e rregullt në Superligë do ta mbyllë në pozitën e parafundit (7).
Me ndeshjen Ponte Prizreni – Sigal Prishtina do të përfundojë pjesa e rregullt e kampionatit. Ndeshja do të zhvillohet të dielën prej orës 20:00 në Suharekë.
“Sigurisht që duam ta fitojmë edhe ndeshjen e fundit të pjesës së rregullt dhe të konfirmojmë futjen në plejof nga pozita e parë. Është shumë e rëndësishme për ne që të jemi në pozitën e parë, pasi do ta kemi përparësinë e terrenit vendas në synimin tonë për titullin e kampionit”, ka thënë kapiteni i Prishtinës, Dardan Berisha. “Ndaj Pontes do të futemi për fitore dhe pastaj do të përgatitemi që të jemi sa më të gatshëm për fazën gjysmëfinale. Do të jemi më të pushuar se ekipet që luajnë në çerekfinale”.
Vendi i parë në pjesën e rregullt është shumë i rëndësishëm për fazën e plejofit, pasi jep përparësinë e terrenit si në fazën gjysmëfinale, ashtu edhe në finale.
Prishtina do të startojë në gjysmëfinale pasi dy ekipet e para të pjesës së rregullt avancojnë në këtë fazë garash në plejof. Ndërkohë katër ekipet e renditura prej pozitës së tretë deri në të gjashtën do të luajnë në çerekfinale.
Si seria çerekfinale, ashtu edhe ajo gjysmëfinale fituesit do t’i përcaktojë me dy ndeshje të fituara, ndërsa finalja zhvillohet deri në tri fitore.
Në fakt tashmë janë caktuar çiftet e çerekfinales. Direkt në gjysmëfinale do të luajë edhe Peja, që është e dyta dhe në xhiron e fundit do të përballet me Rahovecin në palestrën “Karagaçi”, të shtunën prej orës 20:00. Peja konsiderohet favorite përballë Rahovecit që tashmë ka rënë nga elita. Peja nuk di për humbje në shtatë ndeshjet e fundit, ndërsa meritor për këtë vlerësohet trajneri nga Izraeli, Rami Hadar.
“Ne tashmë e kemi të sigurt vendin e dytë, por duam ta fitojmë edhe ndeshjen e fundit dhe të vazhdojmë serinë e fitoreve që e kemi pasur prej ardhjes së trajnerit të ri. Pas kësaj xhiroje do të fillojmë përgatitjet për fazën gjysmëfinale të plejofit”, ka thënë Alban Veseli, basketbollist i Pejës.
Të shtunën prej orës 16:30, skuadra e Trepçës do të përballet me Vëllaznimin në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Ndërsa të dielën prej orës 17:00, kampioni në fuqi, Golden Eagle Ylli, e pret Bashkimin në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, në të cilën këtë vit ekipi nga Prizreni i ka luajtur ndeshjet si vendas si pasojë e rinovimit të stërzgjatur të palestrës “Sezai Surroi”.
Këto katër skuadra do të përballen në fazën çerekfinale të plejofit. Golden Eagle Ylli, që është i treti në tabelë, do të luajë me Vëllaznimin, që për herë të parë siguron plejofin. Vëllaznimi është i gjashti, ndërsa këtë edicion është rikthyer në Superligë.
Ndërkohë dueli tjetër çerekfinal do të jetë ndërmjet Trepçës së vendit të katërt dhe Bashkimit që është i pesti.
Skuadrat që fitojnë nga dy ndeshje në këtë seri do të kualifikohen në gjysmëfinale, ku presin Sigal Prishtina e Peja.
Prishtina do të luajë me fituesin e ndeshjes Trepça – Bashkimi, ndërsa Peja më atë të duelit Ylli – Vëllaznimit. Garat e plejofit në elitën e basketbollit kosovar do të startojnë javën tjetër.
Superliga – XXVIII
E shtunë
Trepça – Vëllaznimi (16:30)
Rahoveci – Peja (20:00)
E diel
Bashkimi – G.E. Ylli (17:00)
P. Prizreni – S. Prishtina (20:00)
1. S. Prishtina 27 48
2. Peja 27 47
3. G.E. Ylli 27 46
4. Trepça 27 43
5. Bashkimi 27 38
6. Vëllaznimi 27 36
7. P. Prizreni 27 35
8. Rahoveci 27 31