Formën e mirë që e ka treguar në shtatë ndeshjet e fundit, skuadra e Prishtinës po synon ta dëshmojë edhe në derbin kundër Ballkanit. Prishtina pret fitore ndaj skuadrës suharekase, për t’iu afruar edhe më shumë kreut të tabelës.
Prishtina nuk di për humbje që nga xhiroja e dhjetë e Superligës së Kosovës në futboll, kur pësoi nga Drenica (1:0) në fillim të nëntorit. Prishtina në shtatë ndeshjet e fundit ka regjistruar pesë fitore e dy barazime dhe renditet e treta në tabelë me 28 pikë. Ballkani është i dyti në tabelë, por ka plot dhjetë pikë më shumë se Prishtina. Ka regjistruar katër fitore e një humbje në pesë duelet e fundit.
Si Prishtina, ashtu edhe Ballkani, e kanë nga një ndeshje më pak të luajtur. Prishtina nuk e ka zhvilluar duelin si vendase me Dritën (xhiroja e tretë), derisa Ballkani nuk e ka luajtur ndeshjen si vendas ndaj Gjilanit (xhiroja e 12-të).
Ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Ballkanit zhvillohet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” prej orës 13:30 dhe i takon xhiros së 18-të, të fundit të sezonit vjeshtor të elitës së futbollit kosovar. Dueli i parë ndërmjet këtyre dy skuadrave, i luajtur në Suharekë, pati përfunduar me fitoren e Ballkanit (2:1), ndonëse Prishtina ishte në epërsi deri në pesë minutat e fundit të ndeshjes. Prishtina në duelin e së dielës do të jetë pa kapitenin Lorik Boshnjaku, i lënduar.
“Atmosfera është mjaft pozitive në ekip, pasi vijmë pas një serie të ndeshjeve dhe rezultateve të mira. Me Ballkanin do të jetë një ndeshje e bukur dhe e vështirë. E vlerësojmë maksimalisht, pasi është një rival direkt dhe ekip shumë i fortë”, është shprehur mbrojtësi Gledi Mici, që iu bashkua Prishtinës para fillimit të këtij edicioni.
“Ndeshjen e kaluar e humbën në minutat e fundit dhe ishte një disfatë që na ka lënë shije të hidhur. Ne nuk mendojmë t’i revanshohemi Ballkanit për atë humbje, por ta fitojmë ndeshjen dhe t’i marrim tri pikët për ta vazhduar rrugën tonë. Edhe në këtë ndeshje, sikurse në të gjitha të tjerat, do të futemi për fitore”.
Te Ballkani insistojnë se në Prishtinë do të udhëtojnë për fitore, pasi duan të mos shkëputen të tabelë nga Drita që kryeson me 39 pikë të grumbulluara. Sulmuesi i krahut, Ermal Krasniqi, insiston se Ballkani është maksimalisht i përgatitur dhe i gatshëm për derbin me Prishtinën.
“Na pret një ndeshje shumë e vështirë dhe këtë e kemi parasysh. Prishtina në radhët e veta ka shumë lojtarë cilësorë dhe është një ekip i fortë. Në fillim ndoshta ishte në krizë të rezultateve, por tani e ka marrë veten pasi ka një ecuri shumë të mirë. Kështu që nuk do të jetë aspak ndeshje e lehtë, por normalisht ne do të dalim në fushë për ta fituar ndeshjen. Synimi është të kthehemi në Suharekë me pikët e plota”, është shprehur Krasniqi.
Xhiroja e 18-të nis të shtunën dhe përfundon të hënën. Hapet me duelin në Brestovik të Pejës, ku skuadra e Besës e pret Gjilanin, të shtunën (13:00). Besa është e fundit në tabelë me gjashtë pikë dhe ka vetëm një fitore në 17 ndeshje të zhvilluara, derisa Gjilani është jashtë formës, pasi në katër ndeshjet e fundit ka regjistruar po aq humbje. Nën hijen e derbit mes Prishtinës e Ballkanit, të dielën në stadiumin “Zahir Pajaziti” Llapi do të përballet me skuadrën e Feronikelit prej orës 13:00. Skuadra e trajnerit Tahir Batatina ka një ecuri pozitive, pasi në këtë duel futet pas tri fitoreve rresht derisa Feronikeli nuk di për humbje në pesë ndeshjet e fundit. Llapi është i parafundit në tabelë me 17 pikë, gjashtë më pak se Nikli që renditet në pozitën e katërt.
Ndërkohë, xhiroja do të mbyllet të hënën me dy ndeshje të cilat gjithashtu nisin prej orës 13:00. Drita luan në shtëpi kundër Arbërisë, derisa Trepça ‘89 e pret Drenicën, ekip që vjen pas një serie prej pesë humbjeve rresht.
Me ndeshjet e xhiros së fundit nuk përfundon stinori vjeshtor. Pritet të luhen dy ndeshjet e mbetura, që kanë ndikim direkt në kreun e tabelës.