Sport

Xhaka për përplasjen me futbollistin danez: Nuk lejohet kjo

Granit Xhaka ka udhëhequr si kapiten Zvicrën në barazimin pa gola me Danimarkën, të shtunën në Kopenhagë. Xhaka e Zvicra nuk ishin në ditën më të mirë, por nga barazimi, megjithatë, janë nxjerrë gjëra pozitive. Mediat në Zvicër kanë shkruar shumë për përplasjen që kishte Xhaka me lojtarin danez, Morten Hjulmand, në minutën e 68-të. Danezi fillimisht e fauloi Xhakën e më pas e goditi atë derisa ishte shtrirë në tokë. Dhe Xhaka u përgjigj duke e kapur për fanelle, në afërsi të fytit.

“Nuk bëhen gjëra si ajo”, ka thënë Xhaka për veprimin e Hjulmandit.

“Jam munduar të qëndroj i qetë gjithë sezonin dhe më pas dikush ka ndjenjën se duhet t’i tregojë trajnerit që i takon përbërjes bazë”, ka shtuar mesfushori luftarak.

Xhaka ka thënë se bëhet fjalë për respektin, ndërsa nuk ka komentuar më gjatë. Ka thënë se pyetjet e tjera duhet t’i bëhen lojtarit danez.

Ishte ky momenti i vetëm i tensionuar në ndeshjen Danimarkë – Zvicër. Seria pa fitore e Zvicrës ka vazhduar, por helvetikët kanë parë gjëra të duhura.

31-vjeçari Xhaka është i kënaqur.

“Synimi ishte të mbajmë portën të paprekur pas një kohe të gjatë. Dhe nuk kemi lejuar thuajse asgjë. Ishim më kompaktë, kemi treguar fytyrë tjetër dhe ishim të bashkuar sërish”, ka theksuar Xhaka.

Selektori i Zvicrës, Murat Yakin, ka bërë ndryshime në sistemin e lojës. Ka vendosur për tre mbrojtës qendrorë.

“Është e vështirë të luhet me këtë sistem në mënyrë të përkryer pas vetëm një javë stërvitje. Por pjesa e dytë ishte shumë më e mirë”, thotë Xhaka.

Mbrojtja e Zvicrës ishte dukshëm më stabile se në ndeshjet kualifikuese. Por sulmi sërish nuk shfaqi shumë.

Mbrojtja me tre lojtarë shpesh është shndërruar në mbrojtje me pesë lojtarë.

“Nuk duam vetëm të kujdesemi që të mos pësojmë gola. Duam edhe të fitojmë”, thotë Xhaka.

Si pjesë e ndryshimeve të bëra nga Yakini ishte edhe mbetja në stol e Xherdan Shaqirit. Ai fitoi rastin vetëm në minutat e fundit të takimit.

“Nuk di asgjë për rolin e ri”, ka thënë Shaqiri për SRF pas ndeshjes. Ai luajti prej minutës së 76-të. Shaqiri për kohë shumë të gjatë është lojtari më i rrezikshëm i Zvicrës.

“Trajneri mund të eksperimentojë në ndeshje miqësore. Në fund bëhen analizat se çka është mirë e çka jo. Statistikat nuk gënjejnë asnjëherë, vetëm duhet të shikohen ato. Është me rëndësi të luajnë lojtarët që paraqiten mirë në momentin e duhur. Do të qëndroj i qetë”, ka shtuar Shaqiri.

“Blick” ka bërë një analizë të paraqitjes ofensive të Zvicrës. Ka shkruar se lojtarët që u paraqitën në sulm nuk kanë bindur.

“Fakti që ekipi nacional nuk bën pa Shaqirin u bë i qartë në testin në Danimarkë. Të rinjtë si Okafor, Vargas e Amdouni janë munduar shumë, por sulmi nuk ka shfaqur ndonjë rrezik për portën rivale. Ndërkohë Shaqiri është prej fituesve të paktë të mbrëmjes. Kreativiteti i tij është i domosdoshëm për këtë ekip. Rutina e tij po ashtu. Shaqiri është i nevojshëm për një Evropian të suksesshëm, si lojtar i rregullt apo mbështetës”, ka shkruar “Blick”.