Sport

Xhaka ndihet krenar që ka luajtur 200 ndeshje në Premier League

Granit Xhaka ka arritur një shifër jubilare të dielën. Ai luajti ndeshjen e 200-të në Premier League. Ndeshja e 200-të e Xhakës ishte ajo të cilën Arsenali e fitoi 5:0 ndaj Nottingham Forestit.

Ai është vetëm lojtari i 17-të i klubit londinez që e ka arritur këtë shifër dhe mesfushori i gjashtë.

“200 ndeshje në Premier League për këtë klub të mahnitshëm është gjë që më bën krenar”, ka thënë Xhaka për sajtin e Arsenalit pas ndeshjes.

“Më bën krenar për vete, për bashkëlojtarët, për stafin që kam pasur gjatë shtatë vjetëve këtu. Nuk është e zakonshme të luash 200 ndeshje për një klub si ky. Unë gjithnjë kam thënë se dua t’i jap diçka klubit si kompensim. Ndihem si në shtëpi, po ashtu, dhe shpresoj se shumë gjëra të tjera do të vijnë”, ka shtuar kapiteni i Zvicrës.

200 ndeshje në ligën më të fortë të futbollit në botë Xhaka i ka arritur me punë të madhe. Ai ka pasur telashet e tij, por tashmë ka gjetur qetësinë. Ka kthyer edhe përkrahjen e shikuesve që i dolën kundër një kohë.

“Nuk mund të arrish shifrën e 200 ndeshjeve lehtë. Duhet shumë punë e madhe, shumë disiplinë. Shumë njerëz ishin të përfshirë dhe afër meje në shtatë vjetët e fundit. Në fund, ka të bëjë me punën e madhe”.

Granit Xhaka ka festuar në mënyrë të përkryer ndeshjen e 200-të me Arsenalin – me fitore bindëse dhe kthim në pozitën e parë në Premier League.

“Kjo është ajo që duam të shohim ne lojtarët, tifozët dhe klubi. Mendoj se e meritojmë të jemi në pozitën e parë. Tani duhet të vazhdojmë para, të vazhdojmë të besojmë në njëri-tjetrin dhe që mund të bëjmë diçka të veçantë”, ka theksuar mesfushori kosovar.

Në 200 paraqitjet në Premier Leaguen angleze, Xhaka ka shënuar 18 gola, ndërsa ka bërë 25 asistime. Ai i ka edhe 108 ndeshje në Bundesligë e 44 të tjera në Superligën e Zvicrës. Për Zvicrën i ka plot 106 paraqitje. Xhaka tani është 30-vjeçar, ndërsa ka plane të mëdha për të ardhmen me Arsenalin dhe me Zvicrën. Kontrata aktuale me Arsenalin i përfundon në vitin 2024.