Mal Gashi e Eda Zeqiri janë notarët e Kosovës që janë paraqitur për Kampionatin Botëror të Sporteve në Ujë që tashmë ka nisur Doha të Katarit. Botërorin e organizon “World Aqatics”, që tashmë është njoftuar me rastin e notares kosovare, Hana Beiqi.
15-vjeçarja nuk është përzgjedhur për Botëror nga Federata e Notit e Kosovës. Klubi i saj, Otrila, ka vlerësuar se FNK-ja e ka diskriminuar Hanën. Vlerësim të njëjtë ka dhënë edhe Komiteti Olimpik i Kosovës, ndërsa FNK-ja ka mohuar që ka diskriminuar notaren e re. Madje FNK-ja ka akuzuar Komitetin Olimpik për tendencë të përzierjes në vendimmarrje të organeve të federatës.
Javën e kaluar Komiteti Olimpik i Kosovës i dha ultimatum FNK-së që ta përfshijë Hana Beiqin në ekipin për Botëror. Pasi kjo nuk ndodhi, KOK-u i shkroi letër organizatës World Aquatics.
“Përgjigja nga World Aquatics ka ardhur të hënën në Komitetin Olimpik të Kosovës. Në World Aquatics do të merren me këtë punë”, kanë thënë burime të KOHËS të afërta me zhvillimet.
Presioni publik është rritur lidhur me pretendimet për diskriminim të Hana Beiqit, që është mohuar nga Federata e Notit.
Garat e notit në Botëror nuk do të nisin deri më 11 shkurt, por Kosova vazhdon t’i ketë vetëm dy notarë në listë. Beiqi nuk është prej tyre.
“Është e dhimbshme për mua, pasi e kam merituar të shkoj. I kam dy disiplina olimpike me rezultatet më të larta në Kosovë dhe ky kampionat në Doha të Katarit që është duke u mbajtur, është i fundit kualifikues për Lojërat Olimpike. Është fatkeqësi që nuk më është dhënë mundësia dhe më janë mohuar rezultatet të cilat janë publike në ranglistë dhe në të gjitha portalet e notit”, ka thënë Hana Beiqi të dielën për KOHËN.
Ajo ka theksuar se vjet ishte diskriminuar madje edhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Ankesa e klubit Otrila i ishte drejtuar edhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Por nga MKRS-ja deri më tani nuk ka ndonjë qëndrim.
Akuza për diskriminim të sportistëve ka pasur edhe në të kaluarën. Por kryesisht janë kaluar në heshtje e pa ndonjë veprim.