Sport

Vushtrria dhe Liria para duelit që ua jep mundësinë ta ëndërrojnë kthimin në Superligë

Trajneri Samuel Nikaj po synon ta kthejë edhe njëherë skuadrën e Vushtrrisë në Superligën e Kosovës në futboll. Herën e parë Nikaj e ktheu Vushtrrinë në elitë në vitin 2019 dhe po synon ta bëjë të njëjtën gjë edhe këtë vit.

Këtë herë rruga është më e vështirë për ekipin vushtrrias, i cili u mobilizua para fillimit të këtij edicioni dhe e ktheu trajnerin Nikaj. Në vitin 2019, Vushtrria u kthye direkt në elitë si kampione e Ligës së Parë, kurse këtë edicion është dy ndeshje larg arritjes së qëllimit të madh. Fillimisht do të përballet me Lirinë e Prizrenit në barazhin e Ligës së Parë. Nëse e fiton këtë duel, do të luajë në ndeshjen e barazhit për Superligë kundër ekipit që përfundon i teti në elitë. Se kush do të përfundojë i teti në Superligë do të mësohet të dielën kur luhet xhiroja e fundit.

Dueli mes Vushtrrisë dhe Lirisë do të zhvillohet të shtunën prej orës 15:00 në stadiumin “18 Qershori” në Klinë. Të dy skuadrat do ta kenë përkrahjen e madhe të tifozëve në tribuna. Si tifogrupi vushtrrias “Forca”, ashtu edhe “Arpagjikët” e Prizrenit kanë paralajmëruar pjesëmarrje masive në këtë ndeshje, që vlerësohet tejet e rëndësishme për dy skuadrat.

Image

Vushtrria doli nënkampione e Grupit B të Ligës së Parë, kurse Liria përfundoi e dyta në Grupin A. Inkuadrimin në Superligë prej Ligës së Parë e siguruan Trepça ’89 dhe Ferizaj, që do ta zëvendësojnë Ulpianën dhe Feronikelin në edicionin e ri, që nis më 13 gusht.

Nikaj e ka parasysh rëndësinë e ndeshjes ndaj Lirisë. Ai të premten për KOHËN ka insistuar se ekipi vushtrrias do të dalë në fushë vetëm për ta kërkuar fitoren. Thotë se fitoren do ta kërkojë edhe në ndeshjen tjetër të barazhit, ndonëse nuk e di kundërshtarin dhe nuk ka ndonjë emër të preferuar. Krahas Vushtrrisë, Nikaj në vitin 2020 e pati kthyer edhe Flamurtarin e Prishtinës në Superligë, por në elitë ai nuk e ka drejtuar asnjërin prej ekipeve. Nikaj, që është nga Shkodra, në futbollin e Kosovës ka punuar vetëm në Ligën e Parë dhe është njëri prej trajnerëve më të suksesshëm në atë nivel.

“Ndaj Lirisë pritet të jetë një duel i zjarrtë sepse po përballen dy ndër dhjetë ekipet më me emër në futbollin e Kosovës, të cilat po kërkojnë kthimin në Superligë. Do të ketë luftë në çdo cep të fushës dhe besoj se të gjithë të pranishmit do ta shijojnë dhe do ta shohin futboll cilësor. Ne jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje, që e vlerësojmë se është shumë e rëndësishme dhe besoj që do t’ia dalim të kthehemi me fitore në shtëpi”, është shprehur Nikaj, që pret edhe përkrahjen e madhe të tifozëve vushtrrias. “Për atë që e kemi treguar gjatë gjithë këtij sezoni, mendoj se e meritojmë inkuadrimin në Superligë. Por, më e veçanta e kësaj është se ky grup lojtarësh, që ka dhënë shumë për Vushtrrinë, ka një mundësi reale që emri i tyre të skalitet me shkronjë të arta. E them këtë sepse inkuadrimi në Superligë në 100-vjetorin e klubit do të ishte qershia mbi tortë për karrierën e çdo njërit prej nesh në klub”.

Për dallim prej Vushtrrisë, që po kërkon kthimin në elitë pas dy edicioneve në një kategori më poshtë, Liria e Prizrenit në tri edicionet e fundit ka qenë pjesë e Ligës së Parë. Në vitin 2019, kur Vushtrria ishte inkuadruar në elitë, ekipi prizrenas ishte përshëndetur prej saj.

Kapiteni i Lirisë, mbrojtësi Robert Gjeraj, ka insistuar se ekipi i tij ka një rast unik të cilin nuk dëshiron ta lëshoj nga dora. Gjeraj thotë se te Liria janë të vendosur për ta mposhtur Vushtrrinë dhe pastaj kundërshtarin tjetër për t’u kthyer në Superligë. Sipas tij, Liria vendin e ka në elitë. Bëhet fjalë për njërin prej klubeve më me nam.

“Është një duel shumë i vështirë sepse luhet vetëm një ndeshje. Mirëpo kush është më i përgatitur në të gjitha aspektet, sidomos në aspektin psikik, do të fitojë. Ne të gjithë, duke filluar prej kryesisë, shtabit teknik, lojtarëve dhe qytetit të Prizrenit, jemi përgatitur mirë dhe duam të fitojmë. Është rast unik për ta bërë një hap të madh drejt kthimit në Superligë dhe besoj se do t’ia dalim së bashku me përkrahjen e fuqishme të tifozëve tanë”, ka thënë Gjeraj.

Kundërshtari, me të cilin do të përballen Liria apo Vushtrria për inkuadrim në Superligë, do të vendoset në xhiron e fundit të Superligës, që zhvillohet të dielën. Aktualisht vendin e tetë e mban skuadra e Malishevës. Malisheva ka 47 pikë, sa i ka edhe Drenica, që është e shtata. Në rrezik për të mbetur në barazh janë edhe Prishtina me 48 pikë dhe Dukagjini me 49.