Sport

Vrapimi për pavarësi

Velona Mani ishte ndër atletet më të reja pjesëmarrëse në garën e organizuar për nder të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Por 11-vjeçarja arriti ta fitonte epitetin e vrapueses së pavarësisë në garën “Vrapimi Pavarësia 2022”, e organizuar nga Federata Atletike e Kosovës (FAK), në qytetin e Vitisë. Mani është atlete e klubit të Llapit, ndërsa fitoi garën në 1.000 metra. Ajo madje nga zyrtarë të Federatës shihet si atlete premtuese. Mani ishte fjalëpakë, por premton se Kosovës në të ardhmen do t’i sjellë medalje nga ngjarjet e mëdha evropiane e botërore.

“Jam shumë e lumtur që arrita ta fitoja këtë çmim dhe kjo më shtyn të vazhdoj edhe më shumë të punoj, të stërvitem për të arritur më shumë”, ka thënë atletja e re e klubit Llapi.

Në kategorinë e saj, por te meshkujt, më i miri ishte Çlirim Zymberi. Suksese të mëdha premton edhe fituesja e garës në gjashtë kilometra, Florentina Restelica.

“E mbylla me sukses garën në 6000 metra, ashtu edhe siç kam pritur. Por, nuk do të ndalem me kaq, pasi do të punoj edhe më shumë për të arritur rezultate edhe më të mëdha se ky i Pavarësisë. Nuk do të ndalem me kaq”, është shprehur ajo.

Olti Bytyqit i takoi epiteti i më të mirit në garën e 6 kilometrave. Në garën e organizuar të enjten kishte garues që kishim marrë pjesë edhe në të kaluarën. Ndër ta ishte edhe Albion Ymeri. Ymeri e fitoi për herë të parë epitetin e më të mirit në kategorinë e seniorëve. Te senioret më e mira doli Natyra Shala.

“Kjo është hera e tretë që marr pjesë, por e para që po fitoj. Dy herët e tjera kam dalë i treti ose i dyti, por kësaj radhe dola i pari. Jam shumë i lumtur me rezultatin, sepse ka qenë terreni më i vështirë se në herët e kaluara, pasi ka pasur edhe erë, por jam i kënaqur edhe me këtë rezultat”, ka theksuar Ymeri, që është edhe çiklist.

Gara “Vrapimi Pavarësia 2022” u organizua për herë të katërt në Komunën e Vitisë, ndërsa morën pjesë rreth 200 atletë të klubeve të ndryshme të Kosovës. Por, pati edhe atletë nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut. Ka premtime se kjo garë do të jetë edhe më madhështore në të ardhmen. Kryetari i Federatës së Atletikës së Kosovës, Halil Sylejmani, thotë se ka pritur garues edhe më shumë. Madje, është optimist se vrapimi i pavarësisë do të jetë edhe më madhështor në vitet e tjera.

“Federata Atletike e Kosovës në kalendarin e saj e ka si garë të përhershme dhe do të vazhdojë ta organizojë gjithmonë. Organizimi ka qenë ashtu siç i ka hije një federate. Do të kishim pasur dëshirë që të kishim edhe më shumë garues, por edhe këta pjesëmarrës e kanë shënuar denjësisht garën e Pavarësisë”, ka thënë Sylejmani.

Për kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, gara e organizuar në qytetin që e drejton u bë edhe më madhështore për faktin se u organizua pikërisht në datën 17 shkurt, ditën kur Kosova e shpalli Pavarësinë.

“Së bashku me Federatën e kemi organizuar këtë manifestim sportiv, pra garën e atletikës, në mënyrë të shkëlqyer. Po shohim një entuziazëm të qytetarëve të Vitisë. Unë mendoj se ia ka vlejtur shumë, pasi edhe moti ka mbajtur mirë dhe morën pjesë garues nga e gjithë Kosova, gjë që ka qenë edhe qëllimi ynë për t’i bërë bashkë”, ka thënë Haliti.

Nga Federata Atletike e Kosovës shpërblime morën edhe fitues të kategorive të tjera.

Në kategorinë 500 metra fitues doli Flaonit Buzhala, ndërsa në konkurrencën e femrave Vildane Salihu. Pionieri më i mirë u shpall Lorent Mazreku, kurse pionierja më e mirë ishte Olketa Gega. Genci Lugja e fitoi garën te kategoria e veteranëve.

Të enjten janë organizuar edhe disa turne në sporte të ndryshme për nder të 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në disa sporte të tjera janë kryer ditë më parë.