Përfaqësuesja e Kosovës në volejboll në konkurrencën e femrave ka dy javë që po stërvitet intensivisht në Istog. Drejtuesit e përfaqësueses kanë zgjedhur Istogun për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet kualifikuese të “EuroVolley 2021”. Për Kosovën, ky është grumbullimi i parë që nga viti 2018 kur ishte tubuar për “CEV Silver League”.
Atmosfera në kampin stërvitor ishte mjaft e mirë derisa volejbollistet premtuan paraqitje të mira në këto kualifikime.
Përzgjedhësi i Kosovës, Lorik Ilazi, së bashku me stafin e trajnerëve kanë mbajtur stërvitje deri në tri herë në ditë për të qenë sa më të përgatitur për kualifikimet që i vlerësojnë të rëndësishme.
Kosova është pjesë e Grupit D kualifikues së bashku me Malin e Zi, Sllovakinë dhe Finlandën. “Dardanet” të mërkurën në mëngjes do të nisen drejt Podgoricës, ku edhe do të zhvillohen ndeshjet e para të këtij grupi.
Për trajnerin Ilazi, përgatitjet deri më tani kanë shkuar shumë mirë dhe sipas plan-programit. Ai është i bindur se puna e bërë në këto dy javë do të shpërblehet me paraqitje të mira në Podgoricë.
“Së pari, na pret një garë e vështirë në kualifikimet për Kampionatin Evropian. E them këtë për shkak se jemi katër skuadra pjesë e një grupi prej të cilit dy të parat do të kualifikohen për në Evropin. Kjo është dëshmi për cilësinë dhe rëndësinë e këtyre kualifikimeve. Kemi dy javë që jemi duke u përgatitur intensivisht në Istog dhe besoj se kjo do të na shërbej që të paraqitemi sa më mirë në këto takime”, është shprehur Ilazi të martën për KOHËN.
“Mund të them që e kemi dhënë maksimumin në stërvitje. Ne shpresojmë dhe nuk dyshojmë që do ta japim maksimumin tonë në ndeshje, por e kemi parasysh që përballë kemi shumë ekipe të forta. Megjithatë, ne nuk do të dorëzohemi, do të synojmë të arrijmë rezultate pozitive".
Optimiste para këtyre ndeshjeve eliminatore është shprehur edhe kapitenia e Kosovës, Adelajda Prenga. Prenga në sezonin e sapopërfunduar në Kosovë, e ka fituar titullin e kampionit me skuadrën e Dritës. Volejbollistja e Dritës beson se grupi i lojtarëve dhe puna që është bërë në këto dy javë do të sjellë rezultate të mira në këto kualifikime. Prenga ka pranuar se kundërshtarët e Kosovës janë favoritë, por është optimiste për rezultate pozitive.
“Këtë vit mund të them se është një grup i vajzave ndryshe nga grumbullimet e tjera që i kemi pasur pasi janë vajza të reja, me një dëshirë shumë të madhe për punë dhe për rezultatet pozitive. Besoj që këtë vit do të arrijmë të bëjmë diçka shumë të mirë në këto kualifikime. I njohim kundërshtarët, pasi i kemi parë disa takime të tyre, janë ekipe shumë më lart se ne, por mendoj që me këtë punë që kemi bërë dhe me këtë angazhim do të arrijmë të vijmë deri te rezultatet pozitive”, u shpreh Prenga.
Në kampin e “Dardaneve” janë të grumbulluara 14 volejbolliste nga Superliga e Kosovës derisa dy të tjera, Zyla e Venera Kadriu vijnë nga një kolegj në SHBA.
Në mesin e lojtarëve të ftuara nga elita e Kosovës është edhe Blinera Jaha. Pasuesja e Dritës, Jaha, beson se Kosova do të ketë një paraqitje të dinjitetshme në kualifikimet e Kampionatit Evropian.
“Kemi punuar shumë gjatë këtyre javëve për të qenë sa më të gatshme për këto ndeshje kualifikuese. Jemi një grup i lojtarëve që besoj se do të japim maksimumin në këto ndeshje, të cilat i kemi. E dimë se nuk do të jetë e lehtë por besoj se me angazhim maksimal nga secila lojtare do të arrijmë të kemi paraqitje të mira në këto takime. Kemi punuar shumë mirë gjatë këtyre ditëve dhe shpresoj që në fund të na shpërblehet puna të cilën jemi duke e bërë”, theksoi Jaha.
Drita ka më së shumti lojtarë në përfaqësuese. Por prezantohen edhe skuadrat e tjera.
Qendra e ekipit të Skenderajt, Bleona Kadriu, beson se të gjitha volejbollistet do të japin gjithçka nga vetja në këto kualifikime. Madje, Kadriu thotë se përkundër që nuk kanë shumë informacione për kundërshtarët, është e bindur se Kosova do të paraqitet mirë dhe mund të marrë ndonjë rezultat pozitiv në këto takime.
“Kundërshtarët nuk i njohim edhe aq shumë, pasi nuk kemi luajtur ndaj tyre. Por jemi duke punuar vazhdimisht në stërvitje që të paraqitemi sa më mirë në këto takime. Jemi një grup shumë i mirë i lojtarëve dhe atmosfera është jashtëzakonisht e mirë. Shpresoj që këtë ta shfaqim edhe në ndeshjet të cilat do t'i luajmë”, deklaroi Kadriu
Faza e parë e kualifikimeve për “EuroVolley 2021” do të mbahen nga 7 deri më 9 maj në Podgoricë të Malit të Zi. Kosova ndeshjen e parë do ta luajë ndaj nikoqirit, Malit të Zi, më 7 maj. Në ndeshjen e dytë “Dardanet” luajnë ndaj Sllovakisë, ndërsa më 9 maj e mbyllin ciklin e parë me Finlandën. Dy vendet e para në grup kualifikohen në “EuroVolley 2021”. Ndeshjet e ciklit të dytë luhen prej 13 deri më 15 maj në Sllovaki.