Sport

Volejbollistet e reja përfitojnë nga përvoja e madhe e trajnerit Suxho

Të ulura në parket në formë rrethi, volejbollistet e Kosovës U17, po bisedonin e po qeshnin bashkë me trajnerin Donald Suxho.

Fillimi ishte relaksues. Por, nuk shkoi shumë kohë dhe gjithçka u kthye në seriozitet.

Suxho, një prej emrave më të mëdhenj të volejbollit shqiptar, nisi t’u tregonte vashave të Kosovës për ndërtimin e aksioneve. Ato e dëgjonin me kujdes.

Përzgjedhësi Suxho thotë se te sportistet e reja nuk është me rëndësi vetëm puna me top.

Puna si përzgjedhës i Kosovës U17, për Suxhon është fillim i mbarë.

“E kam qejf sfidën dhe kam shumë dëshirë që eksperiencën që kam bërë si sportist, si njeri që jam nga Korça, nga Shqipëria, t’ia jap përsëri shtetit tim, në Shqipërinë e madhe”, thotë me krenari Suxho.

46-vjeçari Suxho si përzgjedhës i Kosovës U17 u zyrtarizua para dy muajsh, ndërsa punën e ka nisur në fillim të këtij viti.

Ai karrierë ka bërë me përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka luajtur në Kampionate Botërore dhe në Lojëra Olimpike. Karriera e ka dërguar në shumë vende të botës.

Tani ka detyrë të re. Në Kosovë. Ai thotë se e pranoi sfidën, pasi e ardhmja e sportit është te të rinjtë.

“Grup i ri, me emocion, me pasion dhe ka talent. Ka talent dhe ka të ardhme. Unë jam shumë i gëzuar që kam parë talent, sepse është hera e parë që jam trajner i vajzave. Po punoj shumë fort. Po bëhemi grup çdo ditë, sepse nuk është e lehtë të bëhesh grup i mirë për dy javë. Çikat, si u thoni ju, po dëgjojnë, po punojnë, dhe ka sfida si gjithmonë. Kemi ditë të mira, kemi ditë të këqija. Por, po mësojmë jo vetëm nga teknika dhe nga topi, por edhe nga mentaliteti. Si të luajnë ndeshjen, si të bëhen grup, si ti kontrollojnë emocionet. Dhe ajo është gjëja më e mirë për të ardhmen.

Kam lëvizur në gjithë botën, kam luajtur edhe si profesionist në gjithë botën dhe kam shumë dëshirë që tërë eksperiencën, mentalitetin, ushtrimet, dalëngadalë t’ua jap Kosovës dhe Shqipërisë. Dua të bëjmë një strukturë që të mos jemi vetëm për dy javë, por të jemi për dy vjet, pesë vjet, dhjetë vjet”, ka thënë Suxho të enjten për KOHËN.

Kosova U17 në mesin e janarit zhvillon ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian. Turqia është nikoqire e kualifikimeve, kurse Kosova luan në grupin B. Në grup janë edhe Bullgaria, Moldavia dhe Rumania. Ndeshjen e parë Kosova e luan me Rumaninë më 18 janar.

“Kjo është sfidë e madhe, sepse ka vajza që nuk kanë luajtur kurrë në lojëra ndërkombëtare dhe do jetë për mua një gjë interesante të shikoj se si do ta përballojnë atë emocionin e parë. Siç po luajmë këtu, siç po bëjmë stërvitje dhe ndeshje miqësore, do të kemi rezultat të mirë. Mentalitetin që u them këtyre vajzave është pika tjetër, pika tjetër, pika tjetër. Mendoni vetëm për tani, mos mendoni për ndeshje, mos mendoni për nesër. Me këtë mentalitet dhe me atë energji dhe me punë, shpresoj të dalim mirë”, është shprehur Suxho.

Megi Bislimi, pjesë e skuadrës së Dritës, është vetëm 14-vjeçare. Ajo është e kënaqur me përgatitjet dhe është e bindur në paraqitje solide.

VIDEO:

“Kemi filluar përgatitjet qe disa javë në Prishtinë. Besoj që edhe me ekipin jemi lidhur shumë mirë. Sa u përket garave besoj që ne do të japim maksimumin tonë, të paraqitemi sa më mirë. Pse jo, të kemi edhe fitore në Turqi”, ka thënë Bislimi.

Blerdina Voci e klubit Gjinoci, 16-vjeçare, thotë se eksperienca e trajnerit do t’i ndihmojë ato për të marrë pikë në Turqi, pse jo edhe fitore.

“Kemi dhënë maksimumin në çdo ditë të stërvitjes, pavarësisht se kemi qenë të lodhura, sepse kemi ushtruar dy herë në ditë pa pushim. Mendojmë se do të arrijmë ato që ne dëshirojmë, pra fitoren”, ka thënë Voci.

Deri më tani volejbolli ka pasur telashe për fitore në skenën ndërkombëtare. Në Turqi me Kosovën U17 synohet hapi i rëndësishëm para.