Volejbollisti më i mirë shqiptar, Gazmend Husaj, do të paraqitet për herë të parë për Kosovën në kualifikimet për “Euro 2026”. Në fakt, paraqitja në “CEV EuroVolley 2026” nuk do të jetë e para vetëm për Husajn dhe disa volejbollistë të tjerë. Do të jetë debutim për Kosovën në kualifikimet evropiane.
Kosova është paraqitur një herë në kualifikimet e Botërorit 2018 dhe një herë në “CEV Volleyball European Silver League”. Në nëntë ndeshje njeh vetëm humbje.
Por te Kosova ka shpresë për fitoren e parë. Kosova është në Grupin G së bashku me Letoninë dhe Sllovakinë. Ndeshjen e parë e luan kundër Letonisë të shtunën në palestrën “Bashkim Selishta-Petriti” në Gjilan. Ndeshja nis në ora 17:00.
Përzgjedhësi i Kosovës në volejboll, Martin Nemec, ka vlerësuar punën e lojtarëve gjatë përgatitjeve. Kosova u grumbullua më 30 maj për ndeshjet kualifikuese të “Euro 2026”.
“Stërvitjet janë duke shkuar shumë mirë, sepse jemi në javën e pestë së bashku. I jemi falënderues edhe Federatës pasi na ka dhuruar kushte të mira për stërvitje përgjatë kësaj periudhe. Po përgatitemi sa më mirë dhe ta shohim paraqitjen tonë në ndeshje”, ka thënë Nemec.
Ardhja e Nemecit u vlerësua hap i rëndësishëm për forcimin e përfaqësueses dhe rritjen e nivelit të volejbollit në Kosovë. Nemec ka pasur karrierë të pasur si lojtar e si trajner.
“Kur kam folur fillimisht me të gjithë zyrtarët e Federatës së Volejbollit të Kosovës kemi thënë se po e nisim një kapitull të ri. Kemi sjellë gjëra të reja që nga fillimi i vitit dhe urojmë që programi zhvillimor do të jetë i suksesshëm. Këtë synojmë ta shfaqim dhe kemi vetëbesim të madh se mund të paraqitemi mirë”, është shprehur Nemec.
Kosova ka luajtur dy ndeshje kundër Letonisë në vitin 2018. Të dyja ndeshjet i humbi me rezultat të njëjtë, 3:0 në sete.
Por Nemec është optimist.
“Unë jam trajner që besoj gjithmonë në gjërat pozitive. Shpresoj se do t'i fitojmë disa ndeshje”, ka theksuar Nemec.
Pas ndeshjes së parë kundër Letonisë, më 28 gusht, Kosova luan në udhëtim ndaj Sllovakisë në Nitra. Me këto dy përfaqësuese i luan nga dy ndeshje.
Pos Husajt, nga Shqipëria te Kosova kaluan edhe Adriatik Kajtazi e Bardhyl Hajdaraj. Kajtazi ka nisur punën si trajner. Këta tre volejbollistë kishin vendosur të luanin për Shqipërinë në kohën kur volejbolli kosovar ende nuk ishte i pranuar në asociacionet ndërkombëtare të këtij sporti.
Edhe për Hajdarin do të jetë debutim për Kosovën. Ai pret paraqitje dinjitoze. Ai e cilëson Husajn armën më të fortë që ka Kosova.
“Kosovës i ka munguar grumbullimi tash e disa vjet. Unë kam pauzuar derisa Federata Botërore e ka dhënë dritën jeshile për të luajtur. Gjithashtu edhe Gazmendi që është tash pjesë e grupit, si lojtari më i fortë thuajse në gjithë historinë e Kosovës dhe Shqipërisë. Kemi të drejtë të luajmë sivjet për Kosovën. Gazi si më i moshuari dhe si bartësi kryesor i lojës, presim rezultate të mira. Nëse jo fitore, synojmë të paraqitemi denjësisht dhe të kërkojmë kualifikimin”, ka thënë Hajdaraj.
Ai ka vlerësuar punën që është bërë gjatë grumbullimit.
“Punë e mirë po bëhet. Edhe me Gazin pritjet janë shumë më të mëdha. Synojmë të fitojmë, pse jo, dhe të kualifikohemi. Lojë të mirë jemi duke bërë. Trajneri po zhvillon stërvitje të mira. Ta shohim tash rezultatin në ndeshjen e parë”, ka theksuar ai.
Për Hajdarajn, Letonia është kundërshtar i panjohur. Por pranon se Letonia është favorite.
“Nuk e njohim sa duhet Letoninë. Trajneri dhe Gazi e kanë studiuar lojën. Dy ndeshje i kanë parë pak a shumë disa video. Por nuk është që e njohim shumë. Nivel ka, edhe ndeshjet miqësore që i ka zhvilluar kohët e fundit me disa ekipe të forta, edhe ka fituar. Kështu që duhet të shohim. Favorit në letër janë ata. Fusha na favorizon neve. Kështu që, duke parë, duke bërë”, ka theksuar Hajdaraj.
Për t’i bërë ballë Letonisë, Hajdaraj pret mbështetje nga tribunat në Gjilan.
“Gjilani është vatër e volejbollit, kështu që presim të ketë shikues. Edhe femrat janë pas nesh me ndeshje. Kështu që, pritet atmosferë e zjarrtë”, ka thënë Hajdaraj.
Të shtunën pas një pauze trevjeçare paraqiten edhe volejbollistet e Kosovës. Volejbollistet herën e fundit ishin paraqitur në vitin 2021, ndërsa të shtunën nisin ciklin kualifikues për “Euro 2026”. Kosova është në Grupin G së bashku me Kroacinë dhe Rumaninë. Ndeshjen e parë e kanë ndaj kroateve. Ndeshja luhet të shtunën nga ora 20:00. Kundër Rumanisë luan në udhëtim më 29 gusht. I luan më pas edhe dy ndeshje të tjera ndaj rumuneve dhe kroateve.