Volejbollistet e Dritës kanë protestuar të martën para objektit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kundër rivlerësimit të ndarjes së mjeteve financiare nga pakoja ekonomike për sport.
Protesta ka qenë 18 minutëshe duke simbolizuar 18 titujt e fituar nga KVF Drita.
MKRS-ja në nëntor shpalli listën e federatave, klubeve dhe organizatave joqeveritare që përfituan nga fondi për ringjallje ekonomike. Fillimisht u njoftua për ndarjen e 1,9 milion eurove. Që pas publikimit të parë, kishte pakënaqësi të mëdha. Kështu, MKRS-ja dërgoi në rivlerësim projektet, duke mos përfshirë ato të federatave. Pas rivlerësimit, lista e përfituesve pësoi ndryshime të mëdha. Por sërish pakënaqësitë ishin të mëdha. Mbetën të pakënaqura sidomos klubet që mësuan se do të përkrahen më pak pas rivlerësimit të projekteve.
KV Dritës i janë zvogëluar të hyrat pas rivlerësimit, e po ashtu edhe KHF Vushtrrisë. Ka pasur klube që janë larguar plotësisht nga lista, e klube që kanë hyrë në listën e përfituesve vetëm pas rivlerësimit. Ndërkohë, shumicës së klubeve i ka ndryshuar vlera e përkrahjes.