Sport

Volejboll, aktivizohen ekipet A të Kosovës pas një kohe të gjatë

Pas një kohe të gjatë, përfaqësueset A të Kosovës në volejboll në të dyja konkurrencat do të paraqiten në garat evropiane. Kështu ka njoftuar Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK) të enjten se viti i ardhshëm do të jetë i mbushur me aktivitete pasi me pesë gjenerata të ndryshme do të paraqiten në kualifikimet evropiane. Megjithatë, vëmendja kryesore do të jetë te përfaqësueset A në të dyja konkurrencat. Si volejbollistët ashtu edhe volejbollistet e Kosovës, vitin e ardhshëm do të paraqiten në kualifikimet për “CEV EuroVolley 2026”, me ndeshjet e para që do të luhen në gusht 2024. Për dallim prej volejbollisteve që do të rikthehen në garat evropiane pas një pauze dyvjeçare, volejbollistët nuk janë paraqitur për gati gjashtë vjet. Volejbollistet herën e fundit ishin paraqitur në vitin 2021, ndërsa volejbollistët e përfaqësueses A në vitin 2018. Sekretari i përgjithshëm i FVK-së, Valon Nikqi, ka thënë se tashmë janë paraqitur ekipet A, ndërsa shorti dhe përcaktimi i grupeve do të bëhen në fillim të vitit 2024. Sipas Nikqit, qëllimi primar i FVK-së ka qenë që vitin tjetër të aktivizojë përfaqësueset A në të dyja konkurrencat.

“Ne tashmë jemi paraqitur për pjesëmarrje në këto kualifikime me ekipet A, ndërsa shorti do të tërhiqet në fillim të vitit të ardhshëm, ku do t’i mësojmë kundërshtarët dhe grupet”, ka thënë Nikqi për KOHËN. “Qëllimi ynë ka qenë që pas disa vjetësh paraqitjeje në gara evropiane me gjeneratat e reja që tashmë kanë krijuar përvojë, të aktivizojmë edhe ekipe A. Kjo ishte ideja jonë, duke pasur parasysh se ne bazohemi vetëm te lojtarët vendorë për shkak se procedura e natyralizimit është shumë e komplikuar”.

Volejbollistët e Kosovës në kuadër të kualifikimeve do t’i zhvillojnë gjashtë ndeshje, tri në muajin gusht të vitit të ardhshëm dhe tri të tjera në qershor të vitit 2025. Edhe volejbollistet do t’i kenë gjashtë ndeshje, por që do të jenë të shpërndara në gusht e shtator të vitit 2024, si dhe tri të tjera në korrik të vitit 2025.

“Grumbullimi për të dyja ekipet do të jetë dikur në qershor të vitit të ardhshëm dhe do të bëhemi gati për një prezantim sa më të mirë. Po ashtu e kemi kthyer Gazmend Husajn, që do të jetë pjesë e Kosovës në këto kualifikime”, ka thënë Nikqi.

Krahas ekipeve A, Kosova vitin e ardhshëm do të paraqitet edhe në garat evropiane me përfaqësueset U18 në të dyja konkurrencat, si dhe ekipin U20 të volejbollisteve. Volejbollistët e ekipit U18 aventurën kualifikuese për “CEV U18” do ta nisin muajin tjetër, ku më datat 18-21 janar do të luajnë në Strumicë të Maqedonisë së Veriut. Kosova U18 është në grup me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë. Edhe volejbollistet U18 do ta nisin kampanjën kualifikuese më 17 janar, ku janë pjesë e grupit A së bashku me Rumaninë e Bullgarinë, ndërsa ndeshjet do të luhen në Sofje.

“Federata e Volejbollit e Kosovës do të paraqitet me plot 5 ekipe kombëtare, në kategori të moshave të ndryshme, në aktivitetet e kualifikimeve evropiane, për vitin 2024. Viti në të cilin do të hyjmë, do të jetë një prej periudhave me agjendën më të ngjeshur të Kombëtareve nga U18 deri në nivelin e Kombëtareve A, te djemtë e vajzat”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FVK-së.

Ndërkohë, edhe ekipi U20 i volejbollisteve do të paraqitet edhe në kualifikimet e evropianit për këtë gjeneratë. Kosova U20 bën pjesë në grup me Turqinë dhe Rumaninë, ndërsa ndeshjet do të luhen në Ankara nga 23 deri më 27 janar të vitit të ardhshëm.