Me asistimin në fitoren e fundit të Torinos në kampionatin italian, Mërgim Vojvoda e ka konfirmuar formën e mirë që po e kalon këtë edicion.
Të shtunën Vojdova asistoi për kroatin Josip Brekalo, i cili shënoi golin e vetëm në ndeshjen që Torino e fitoi në udhëtim te skuadra e Veronës (1:0). Për Vojvodën 27-vjeçar, ky ishte asistimi i tretë në 29 paraqitje kampionale këtë edicion me fanellën e Torinos. Mbrojtësi i krahut në një intervistë për KOHËN, të dielën, ka thënë se është tejet i kënaqur me paraqitjet që ka bërë këtë edicion, i cili do të përfundojë vikendin e ardhshëm.
Vojvoda ka insistuar se tashmë e ka dëshmuar potencialin e tij dhe pranon se në vitin e dytë te Torino është rritur dhe përmirësuar më shumë si lojtar.
“Jam shumë i kënaqur me atë që kam treguar këtë sezon. Po ashtu, besoj se kam bërë edhe një hap më shumë në zhvillimin tim si lojtar, duke e dëshmuar potencialin që e kam”, ka thënë Vojvoda.
Edhe pse është mbrojtës i krahut të djathtë, Vojvoda këtë edicion është përdorur më shumë nga trajneri Ivan Juriq në krahun e majtë. Reprezentuesi i Kosovës zbulon se është ndier mirë edhe në këtë pozitë dhe përparësi është se tashmë ka mësuar më shumë ta përdorë këmbën e majtë. Mbi të gjitha, ai e konsideron veten si “ushtar” të trajnerit Juriq dhe do të luajë në cilëndo pozitë që do t’i kërkohet.
“Pozita ime natyrale është mbrojtës i djathtë, por këtë sezon kam luajtur më shumë si mbrojtës i krahut të majtë dhe mund të them se kjo pozitë më ka pëlqyer shumë. Jam ndier shumë mirë në këtë pozitë dhe kam mësuar më shumë ta përdor këmbën e majtë”, është shprehur Vojvoda. “Mirëpo, në fund unë jam lojtar i trajnerit dhe kudo që ai ka nevojë për të më aktivizuar, unë jam gati t’iu përgjigjem kërkesave të tij”.
Torino aktualisht zë vendin e dhjetë në tabelë, në të cilin pritet edhe ta mbyllë sezonin në të cilin ka mbetur edhe një xhiro për t’u zhvilluar. Edicionin Torino e përfundon në shtëpi më 22 maj kundër skuadrës së Romës.
Sipas Vojvodës, këtë edicion Torino ka pasur paraqitje shumë më të mira se sezonin e shkuar, ndonëse pranon se kanë mundur të ngjiten edhe me lart në tabelë.
“Besoj që si ekip e kemi bërë një hap të madh përpara në krahasim me sezonin e kaluar dhe duhet të jemi të gjithë të kënaqur me atë që kemi treguar. Jam i sigurt se do të kishim arritur edhe me lart, por këtë do ta lëmë për sezonin e ardhshëm”, insistoi Vojvoda.
Sa i përket edicionit të ardhshëm, Vojvoda beson se do të jetë pjesë e skuadrës së Torinos, me të cilën ka kontratë deri në verën e vitit 2024. Ai te Torino u transferua në vitin 2020 nga Standardi i Belgjikës dhe thotë se në futbllin italian është përshtatur shumë mirë. Gjatë këtij sezoni emri i Vojvodës ka qenë i lidhur me një transferim të mundshëm te dy skuadrat e tjera të Italisë, Milani e Roma.
“Kam edhe dy vjet kontratë me Torinon. Jam shumë i lumtur te Torino dhe më pëlqen shumë klubi. Kështu që njëherë përnjëherë mund të them se jam lojtar i Torinos”, ka thënë Vojvoda.
Ai gjithashtu ka folur edhe për ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës që e presin muajin e ardhshëm në kuadër të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve. Në fillim të muajit të ardhshëm Kosova do t’i luajë tri ndeshje dhe përzgjedhësi Alain Giresse pritet së shpejti ta bëjë publike listën e lojtarëve të ftuar. Vojvoda pa dyshim se do të jetë pjesë e Kosovës në ndeshjet e Grupit të dytë të Ligës C të Ligës së Kombeve. Më 2 qershor, Kosova do të jetë mysafire e Qipros, përpara se të përballet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me Greqinë dhe Irlandën e Veriut.
Vojvoda beson në start të furishëm të “Dardanëve”. Madje, ai thotë se synimi i Kosovës është ta fitojë grupin.
“Synojmë ta fitojmë grupin e Ligës së Kombeve, pasi i njohim kundërshtarët. Po ashtu, e kemi parasysh se të gjitha ndeshjet do të jenë të vështira, por jam i bindur se jemi konkurrentë të fortë për ta fituar grupin”, shtoi Vojvoda.