Sport

Vojvoda futbollisti më i mirë i vitit në Kosovë

Mërgim Vojvoda është zgjedhur futbollisti i vitit. Për mbrojtësin anësor të Torinos është hera e parë që e merr këtë çmim. Federata e Futbollit të Kosovës sonte në një mbrëmje gala ka zgjedhur më të mirët e vitit.

Vojvoda nuk ishte prezent në ceremoni, ndërsa kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ia dha çmimin ndihmës-trajnerit të Kosovës, Muharrem Sahiti.

“Dua të falënderoj të gjithë për këtë çmim. Do të kthehemi shumë shpejt në nivele më të larta e do të aspirojmë suksese më të mëdha. Këtë e meriton Kosova, FFK-ja, populli jonë e sidomos tifozët ‘dardanët’. Dua të falënderojë gjithë bashkëlojtarët, trajnerët e gjithë ata që kanë bashkëpunuar me mua. Faleminderit të gjithë. Kjo është Kosova, ju dua shumë”, ka thënë Vojvoda nëpërmjet një video-mesazhi.

Më i miri i Superligës së Kosovës në futboll u zgjodh Armend Thaçi i Ballkanit.

“Është motiv që në të ardhmen ta dëshmojë se e kam merituar këtë çmim. Shpresoj viti 2021 të jetë më i mirë për të gjithë ne. Për gjithë ne ka qenë vit shumë i vështirë. Gjithë ne i kemi shkelë kapak rregullat, pasi nuk na lejohet të pushojmë gjithë kohës. Është dashur të stërvitemi, e ajo puna shumë e madhe po jep frytet e veta”, ka thënë Thaçi.

Trajneri më i mirë i vitit u zgjodh Ardian Nuhiu i Dritës. Nuhiu me Dritën e fitoi titullin e kampionit të Kosovës stinorin e kaluar, ndërsa Drita është shpallur kampione vjeshtore edhe këtë stinor.

“Është dita më e lumtur në jetën time. Është një arritje e veçantë për mua. Një trajner shumë i ri dhe patjetër duhet të falënderojë shumë njerëz sonte këtu. E kishit theksuar se ka qenë kampionati më i vështirë, është shumë e saktë, pasi është nder e privilegj të marrë këtë çmim unë, në një konkurrencë të tillë siç kemi pasur në Superligë shumë trajnerë cilësorë. Por, gjithmonë duke falënderuar klubin tim Drita, e njerëzit kryesor pa të cilët nuk do të ishim këtu”, ka thënë Nuhiu, ndërsa i ka falënderuar krerët e klubit dhe po ashtu Intelektualët e futbollistët që tha se janë kryesorët për këtë çmim.

E klubi më i mirë u zgjodh Drita. 

Futbollistja më e mirë e vitit është zgjedhur Blerta Shala e klubit Mitrovica. Ajo me të pranuar çmimin ka falënderuar klubin dhe federatën dhe ka thënë se ky çmim e motivon të punojë më tepër.

Mitrovica u zgjodh klubi më i mirë në konkurrencë të femrave.

Golashënuesi më i mirë i vitit 2020, ishte Mirlind Daku i Ballkanit, ndërsa Feronikeli klubi më fer-plej. Jeton Rukovci i FC Prishtinës, u zgjodh lojtari më i mirë i vitit në futsal, e FC Prishtina klubi më i mirë në futsal. Referi i vitit u zgjodh Mervan Bejtullahu. 

Në ceremoni u zgjodh edhe formacioni më i mirë i vitit, e ku gjenden: 

Faton Maloku (Drita); Ardian Cuculi (Drita), Leutrim Bekteshi (Fc Prishtina), Armend Thaçi (Ballkan), Arbër Potoku (Ballkani); Hamdi Namani (Drita), Endrit Krasniqi (FC Prishtina), Gerhard Progni (SC Gjilani); Ermal Krasniqi (Ballkani), Xhevdet Shabani (Drita), Mirlind Daku (Ballkani); Trajner: Ardian Nuhiu (Drita)