Mesfushori i Kosovës, Idriz Voca ka debutuar me barazim në Superligën e Turqisë. Voca gjatë javës u transferua nga Luzerni zviceran te Ankaraguçu i Superligës turke, ndërsa debutoi të dielën. Ai luajti prej minutës së 62-të në barazimin pa gola në udhëtim ndaj Sivassporit.
Ndeshja i takoi xhiros së tretë të Superligës së Turqisë. Sokol Çikalleshi startoi te Konyaspor që fitoi 4:1 ndaj Beshiktashit. Ai u zëvendësua në minutën e 50-të. Jetmir Topalli luajti prej minutës së 79-të për Yeni Malatyaspor që pësoi 3:1 nga Trabzonspori.
Humbje kanë pësuar edhe Florent Hadërgjonaj e Loret Sadikun me Kasimpashan. Kasimpasha pësoi 1:0 nga Hatayspor. Hadërgjonaj e Sadiku startuan, por u zëvendësuan në pjesën e dytë.