Pasi arriti suksesin historik duke u kualifikuar në fazën grupore të Ligës së Kampionëve, Vllaznia e Shkodrës shpreson në një tjetër rezultat të madh në skenën evropiane.
Vllaznia u bë skuadra e parë shqiptare (vajzat) që siguroi fazën grupore të garës kontinentale për klube. Dhe tani do të sfidohet maksimalisht.
Skuadra shkodrane të enjten nga ora 18:45 në stadiumin “Loro Boriçi” e pret gjigantin spanjoll, Real Madrid.
Kjo ndeshje i takon Grupit A të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve. Në Grupin A bëjnë pjesë edhe Paris Saint-Germaini dhe Chelsea. Parisi e Chelsea luajnë nga ora 21:00.
Grupi vlerësohet shumë i vështirë për t’u kaluar. Kundërshtari i Vllaznisë, Real Madridi, ishte çerekfinalist në sezonin e kaluar. PSG-ja dy herë ishte mposhtur në finale, ndërsa Chelsea ishte finalist i edicionit 2020/21. Bëhet fjalë për gjigantë evropianë.
Vllaznia e siguroi fazën e grupeve pasi eliminoi kampionin sllovak, Spartak Myjava, në finalen e rundit të parë. Ndërsa në rundin e dytë triumfoi me rezultatin e përgjithshëm 3:2 ndaj skuadrës ukrainase, Vorskla.
Ndaj skuadrës ukrainase, vendimtare në kualifikim ishte mesfushorja Gresa Berisha. Berisha me supergol kishte vendosur duelin e dytë, 2:1. Të dyja ndeshjet ishin zhvilluar në “Loro Boriçi”. Ishte gol historik për Berishën, e historik ajo e vlerëson edhe takimin e së enjtes.
Gresa Berisha të mërkurën për KOHËN theksoi se atmosfera në skuadër është e mirë dhe ka plot besim për të arritur rezultat pozitiv.
“Kemi ardhur deri këtu me sakrificë dhe shumë punë të bërë për çdo ditë në stërvitje. Edhe një herë duam ta vërtetojmë që nuk jemi këtu rastësisht, por mund të bëjmë befasinë”, tha Berisha, që kërkon nga tifozët të jenë në numër sa më të madh të pranishëm në stadium. “Tifozët na kanë mbështetur në çdo ndeshje dhe duam që edhe këtë lojë të jetë lojtari i 12-të. Prania e tyre në stadium na jep zemër dhe na motivon për të shkuar para”, tha Berisha, që ballafaqimin kundër Realit e vlerëson si ndaj një rivali “të dyfishtë”. Ajo është tifoze e Barcelonës. Kjo e bën edhe më të veçantë ballafaqimin ndaj madrileneve.
“Është një eksperiencë që nuk e kam provuar më parë dhe normalisht që është ballafaqim shumë i veçantë, pasi jam tifoze e Barcelonës. Si tifoze po më jepet mundësia e drejtpërdrejtë për t’u përballur me ekipin ‘rival’. Por, motivimi më i madh për mua është logoja që mbaj afër zemrës, ajo e Vllaznisë. Jam e gatshme të sakrifikoj shumë për ekipin, së bashku me shoqet”, theksoi Berisha, që është një nga shumë futbollistet nga Kosova te skuadra shkodrane.
Mbrojtësja Sara Maliqi është një tjetër futbolliste e rëndësishme e Vllaznisë. Suksesi i skuadrës “kuqeblu” nga ajo vlerësohet “korrje e asaj që është mbjellë” ndër vite.
“Mendojmë se kemi një ekip me kualitet të lartë dhe jo rastësisht gjendemi këtu ku jemi sot. Normalisht që emri i Realit është i madh në futbollin evropian. Por, fusha është diçka tjetër dhe ndeshja nuk do të jetë formalitet. Të gjitha lojtaret do të luajnë me zemër dhe me sakrificë”, është shprehur Maliqi.
Real Madridi është emri më i madh në futbollin evropian. Por, në konkurrencën e femrave nuk ka shumë eksperiencë. Ka pak vite që është themeluar skuadra e futbollisteve. Vitin e kaluar debutoi në Ligën e Kampionëve dhe shkoi deri në çerekfinale.
Emër në skenën evropiane me rezultate në fushë synon të bëj edhe Vllaznia. Vëmendjen veçse e ka marrë nga mediumet e huaja. Për të ka shkruar gazeta e madhe spanjolle, “Mundo Deportivo”.
“Pavarësisht faktit se që nga viti 2013 ka qenë skuadra fituese e ligës së femrave dhe Kupës së Shqipërisë me vetëm dy barazime e asnjë humbje, ndeshja ndaj madrileneve shënon nisjen e rrugëtimit të ri. Vllaznia bën pjesë në mesin e 16 skuadrave më të mira evropiane”, shkruan gazeta spanjolle, teksa vlerëson Megi Doçin si një prej lojtareve më të rrezikshme të skuadrës.
“Për Megi Doçin, sulmuesen më të mirë shqiptare që ka shënuar 600 gola në gara në nëntë vjetët e fundit, ndeshja e së enjtes është shumë emocionuese. Ajo luan ndaj një skuadre që ka shumë fansa në Shqipëri”, thuhet tutje në shkrimin e “Mundo Deportivo”.
“Nëna ime ka qenë kundër që unë të merrem me këtë sport. Ajo donte një vajzë me fustan, me flokë të rregulluara dhe jo një vajzë që vinte në shtëpi çdo pasdite me gjunjë të lënduar”, ka thënë Doçi për mediumin spanjoll.
Te skuadra e Vllaznisë së Shkodrës ka edhe futbolliste nga Amerika, Mali i Zi e Greqia.
Dy të parët në grup avancojnë në çerekfinale.