Kontributi i Izet Gjinovcit për hendbollin kosovar dhe sportin kosovar në përgjithësi është vlerësuar lart.
Gjinovci vdiq të hënën në moshën 63-vjeçare. Ai prej vitit 2002 ka kryer punën e sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Hendbollit të Kosovës. Vlerësohet se kishte kontribut vendimtar në procesin e ndërkombëtarizimit të hendbollit kosovar dhe më pas në ngritjen e ekipeve përfaqësuese të Kosovës. FHK-ja është pranuar me të drejta të plota një dekadë para federatave të sporteve të tjera ekipore, ndërsa edhe me të drejta të plota u pranua para të tjerave. Kjo vlerësohet se ka ndodhur edhe falë kontributit të Gjinovcit.
Për të nderuar personalitetin e Izet Gjinovcit, të martën paradite në Prishtinë u mbajt komemoracion.
“Ai ka hyrë në histori të hendbollit dhe sportit kosovar me përkushtimin, angazhimin, ndihmën dhe përkrahjen e klubeve dhe të ekipeve kombëtare të hendbollit. Ishte e këndshme të punosh me Izetin edhe atëherë kur nuk kemi pasur mendime të harmonizuara. Por, një situatë e tillë kalohej për pak sekonda. Së bashku ia kemi dalë”, ka thënë presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini.
Saraçini ka folur për respektin që Gjinovci kishte në EHF dhe për bisedat që i bënte me presidenti e EHF-së dhe atë të IHF-së.
“Ai është prej njerëzve që ka dhënë shumë më tepër për hendbollin se ndoshta për familjen e tij. Është e vështirë të ndahemi me të në këtë mënyrë. Por, çdo pikë loti që na shkon është edhe gëzim që kemi pasur pranë një njeriu si ai”, ka shtuar Saraçini.
Në emër të institucioneve, për personalitetin e Izet Gjinovcit foli Daulina Osmani, zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Osmani e ka vlerësuar Gjinovcin doajen të hendbollit dhe sportit kosovar.
“Ishte frymëzim, shtyllë kyç e zhvillimit të sportit të Kosovës. Vepra e tij është motiv e frymëzim për gjeneratat e reja. Izeti ka qenë prej të paktëve nga komuniteti sportiv prej të cilit kam dëgjuar rrëfime për sportin e Kosovës”, ka thënë zëvendësministrja Osmani.
Bashkëshortja e të ndjerit, Valbona, ka thënë se hendbolli ishte dashuria më e madhe e Izet Gjinovcit.
“Ishte aq i fortë saqë nuk e mendonte sëmundjen, por vetëm rezultatet e hendbollit”, ka thënë ajo, duke falënderuar dr. Ilir Kurtishin për kujdesin e madh për plot tre vjet ndaj të ndjerit. Ka veçuar për kujdesin edhe Muhamet Arifin, asistentin e të ndjerit.