Paraqitjet në tatami gjatë tërë vitit po shpërblehen edhe me çmime individuale për xhudistët kosovarë. Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, dhe trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, të shtunën fituan çmimet më prestigjioze të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF). Çmimet për Distrinë e Kukën këtë herë u fituan me ndihmën e shqiptarëve.
Distria Krasniqi, që kishte një vit të jashtëzakonshëm, është shpallur xhudistja më e mirë e vitit 2021. “Female Judoka of the Year”, quhet çmimi që e ka fituar kampionia olimpike në kategorinë deri 48 kilogramë.
Ndërkohë, Kukës i ka takuar çmimi për të arriturat më të mëdha gjatë vitit nga ana e trajnerëve. “Coaching Achievment of the Year” quhet në origjinal çmimi i Kukës. Pra, arritjet e tij janë vlerësuar më të mëdhatë për trajnerët e xhudos. Për ta thjeshtuar, Driton Kuka është trajneri më i mirë i vitit 2021 në sportin e xhudos.
Ka vite që Driton Kuka vlerësohet prej trajnerëve më të mirë në botë sa i takon xhudos. Sportistët që Kuka i drejton që prej 2013-s kanë nisur me suksese kulmore. Kanë fituar tituj botërorë e evropianë, medalje në këto ngjarje e po ashtu medalje të artë olimpike në “Rio 2016”, nëpërmjet Majlinda Kelmendit.
Sukseset kanë shkuar duke u rritur dhe këtë vit është prekur kulmi. Kosova ishte përfaqësuesja më e suksesshme në Evropian, për nga numri i medaljeve. Më pas u fitua një medalje në Botëror, ndërsa suksesi në Lojërat Olimpike në Tokio ishte i jashtëzakonshëm. Dy medalje të arta për një vend me më pak se dy milionë banorë, është bilanc i çmuar nga të gjithë. Pos Distrisë të artë fitoi edhe Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kilogramë. Ndërsa, Akil Gjakova u rendit i shtati, që po ashtu është sukses i lakmueshëm.
Konkurrenca e fortë
Federata Ndërkombëtare e Xhudos më 25 nëntor kishte shpallur nominimet për më të mirët e vitit. Kuka ishte prej pesë të nominuarve për trajnerin më të mirë të vitit. Pos Kukës të nominuar ishin austriakja Yvonne Boenisch, suedezi Robert Eriksson, japonezi Kosei Inoue dhe francezët Larbo Benboudaoud e Christophe Gagliano, që ishin si ekip.
Votimi është bërë në faqen zyrtare të IJF-së, deri më 10 dhjetor. Një person ka pasur të drejtë të votojë njëherë brenda 24 orëve. Dhe shqiptarët i janë përgjigjur mirë votimit. Thirrjet për të votuar Tonin e Distrinë ishin të shumta. Atyre, ndër të tjera, u ishte bashkuar edhe KOHA, duke vlerësuar se sukseset gjatë 2021-s meritojnë të vlerësohen edhe me çmime individuale.
IJF-ja ka njoftuar se kishte pranuar plot 90 mijë vota për “IJF Judo Awards 2021”. Dhe për trajner të vitit më së shumti kanë shkuar për Driton Kukën.
Nuk ka pasur ndonjë ceremoni madhështore nga IJF-ja për shpalljen e më të mirëve. Për shkak të pandemisë, shpallja është bërë “online”. Në lidhje direkte ishin të nominuarit, që kanë folur për nderin që u është bërë me përfshirjen në pesë më të mirët. Me të gjithë në lidhje, është shpallur më i miri, Kuka. Të tjerët kanë duartrokitur, Kuka është shprehur krenar.
“Faleminderit shumë për çmimin. Jam shumë i lumtur. Është privilegj i madh të jem në pesëshen e trajnerëve më të mirë në botë. Është shumë e rëndësishme. Secili nga ne e meritonte të shpallej më i miri. Jam me të vërtetë i lumtur që ky çmim shkon në vendin tim, në Kosovë. Është çmim për shtetin tonë të vogël dhe njerëzit e mirë të cilët i ka. E di që kemi pasur mbështetje të madhe në votim, jemi shtet i ri dhe të gjithë duan më të mirën për ne. Jam shumë i entuziazmuar për këtë çmim. Ka pasur ekipe me rezultate më të mira se Kosova, por nëse e shohim numrin e popullsisë, besoj që kemi bërë punë të mirë. Jam i lumtur dhe i emocionuar. Dëshiroj t’i uroj kolegët dhe u dëshiroj çdo të mirë në të ardhmen”, ka thënë Kuka në lidhjen direkte.
Befasimi i Distrisë
Konkurrencë shumë të fortë kishte edhe Distria Krasniqi, që tani karrierën e vazhdon në kategorinë deri 52 kilogramë. Ajo kishte vit të madh në kategorinë deri 48 kilogramë.
Në janar fitoi të artën në Masters, ku mblidhen xhudistët më të mirë. Më pas në prill fitoi të artën në Kampionatin Evropian. Në Botëror u rendit e pesta, në qershor. Shkëlqeu më pas në Lojërat Olimpike. Së fundi udhëhoqi Galatasarayn drejt titullit në Ligën e Kampionëve.
Prezantuesi i IJF-së ka konfirmuar se gara për xhudisten më të mirë të vitit 2021 ishte shumë e fortë. Por, në fund më e mira u shpall Distria.
“Jam shumë e lumtur që jam nominuar, që jam në pesë më të mirat. Jam krenare me sukseset që i kam pasur. Paraqitja ime ka shkuar duke u përmirësuar gjatë vitit dhe ndihem shumë, shumë mirë që jam e nominuar”, ka thënë Krasniqi derisa po flisnin secila prej të nominuarave.
Dhe prezantuesi më pas thirri emrin e Distrisë si fituese. Ajo fitoi para Uta Abes së Japonisë, Anna Maria Wagner të Gjermanisë, Jessica Klimkait të Kanadasë dhe Clarisse Agbegnenou të Francës. Në këtë listë vend mund të ketë pasur edhe për Nora Gjakovën, por IJF-ja ka vendosur për nga një garuese për shtet. Nora fitoi të artën olimpike dhe kishte medalje edhe në Botëror e Evropian.
Distria është dukur pak e befasuar që u shpall më e mira e vitit në botë.
“Nuk e kam pritur, të jem e sinqertë. Nuk e kam pritur fare. Por i falënderoj ata që më kanë votuar. Jam pa fjalë. Dua t’i falënderoj të gjithë ata që më kanë votuar. Kjo më motivon të jem edhe më e mirë në xhudo. Jam shumë e lumtur”, ka thënë Distria Krasniqi.
IJF-ja për herë të dytë ka shpallur më të mirët e vitit në xhudo, me manifestimin “Judo Awards”. Më herët kishte bërë vlerësime më ndryshe, përmes ranglistës, për shembull.
IJF-ja ka ndarë edhe çmime të tjera. Është shpallur xhudisti më i mirë i vitit, Ipponi më i mirë i vitit, momenti i vitit, ylli i së ardhmes e disa çmime të tjera.
Me punën që bëhet nga trajneri Kuka dhe xhudistët e tij, Kosova edhe në të ardhmen pritet të jetë pjesë e “Judo Awards”. Ashtu siç është tashmë pjesë e podiumit në thuajse secilën ngjarje të madhe.