Një vit i madh i xhudos kosovare mbyllet në një garë të madhe.
Të shtunën (sot) e të dielën, në Guangzhou të Kinës mbahet turneu Masters në të cilin paraqiten vetëm 16 xhudistët më të mirë të ranguar nëpër kategori.
Për nga pikët që ofron, Mastersi është garë dukshëm më e madhe se për shembull Kampionati Evropian apo turnetë Grand Prix e Grand Slam në të cilët kanë shkëlqyer xhudistët kosovarë këtë vit.
Vetëm Kampionati Botëror për Seniorë ofron më shumë pikë se Mastersi në ranglistën botërore.
Vendi i parë në Botëror siguron 2000 pikë, ndërsa vendi i parë në Masters 1800 pikë. Grand Slami ofron 1000 pikë për fituesin e së artës, ndërsa Evropiani dhe turnetë Grand Prix nga 700 pikë.
Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) ka vendosur që Mastersi të jetë gara e fundit e vitit, për një përmbyllje me spektakël të vitit. Suksesin në Mastersin në Guangzhou e kërkojnë edhe tre xhudistë kosovarë, Nora Gjakova, Distria Krasniqi e Akil Gjakova.
Të tre garojnë të shtunën (sot). (Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)