Sport

Vikendi në Angli, me ndeshje të Kupës e Premier Leagues

Vikendi në Angli është përzierje e ndeshjeve çerekfinale të Kupës FA dhe Premier Leagues.

Fituesi i Kupës FA, Chelsea, e viziton skuadrën Middlesbrough. Të drejtuarit e Thomas Tuchelit kanë bërë punë të mirë, pavarësisht turbullirave brenda klubit londinez, për shkak të gjetjes së pronarit të ri, në vend të rusit Roman Abramovich.

Middlesbrough po luan mirë nën drejtimin e trajnerit Chris Wilder, pasi e eliminoi Tottenhamin në raundin e fundit, ndërsa Manchester Unitedin e eliminoi para dy raundeve. Middlesbrough-Chelsea luhet të shtunën në orën 18:15.

Tri ndeshjet e tjera të çerekfinales së Kupës FA do të luhen të dielën. Crystal Palace, që e pret Evertonin në ndeshjen që nis në orën 13:30.

Manchester City do të luajë në udhëtim te Southamptoni në orën 16:00, kurse Liverpooli i shkon Nottingham Forestit.

Në Premier League, Leeds Unitedi vazhdon luftën për ta shmangur rënien. Fitoi ndeshjen dramatike ndaj Norwich Cityt javën e kaluar, ndërsa tani ka vizitë të vështirë te Wolvesi, që do të shkonte në topgjashtëshe në rast të fitores. Ndeshjet e Premier Leagues i takojnë xhiros së 30-të.

Arsenali duhet të rikuperohet nga humbja që e pësoi të mërkurën nga Liverpooli dhe tani viziton Aston Villan, të shtunën në orën 13:30.

Në këtë ndeshje do të ballafaqohen Philippe Coutinho i Aston Villas dhe Martin Odegaard i Arsenalit, lojtarë të cilët patën vështirësi të gjejnë hapësira te Barcelona dhe Real Madridi.

Dy fitoret rresht të Brentfordit e kanë ngritur skuadrën tetë pikë larg nga zona e rrezikshme. Të udhëhequrit e Thomas Frankut do të mundohen ta shfrytëzojnë lodhjen e lojtarëve të Leicester Cityt, që patën lojë në Ligën e Konferencës të enjten mbrëma. Leicester City – Brentford luhet të dielën në orën 15:00.

Ndërkohë, Tottenhami do të mundohet t’i mbajë gjallë shpresat për gjashtë vendet e para. Të dielën në orën 17:30, Tottenhami e pret West Ham Unitedin. Vizitorët janë të lodhur po ashtu pasi triumfuan vetëm pas vazhdimeve kundër Sevillas në Ligën e Evropës të enjten.