Presidenti aktual i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, pritet ta fitojë edhe një mandat katërvjeçar për ta drejtuar organizatën kryesore sportive në vend. Krasniqi, deri më tani është kandidati i vetëm për president. Njëri prej nënpresidentëve aktualë të KOK-ut, Milaim Kelmendi, kishte njoftuar se do të kandidonte për president, por ndërkohë ka ndryshuar mendje. Kelmendi, që drejton Federatën e Skijimit të Kosovës, ka kandiduar zyrtarisht për pozitën e nënpresidentit.
Të martën mbrëma Komisioni Zgjedhor i KOK-ut njoftoi federatat sportive me kandidaturat e deritashme. Kandidaturat paraqiten pikërisht nga federatat. Dhe në raportin e këtij komisioni shkruan që kandidatura e vetme për kryetar është ajo e Ismet Krasniqit. Ai mori drejtimin e Komitetit Olimpik të Kosovës në vitin 2021. Më parë kishte drejtuar Federatën e Karatesë së Kosovës. Sipas raportit, Krasniqi bazën deleguese e ka nga atletika.
Për nënpresidentë të KOK-ut deri më tani kanë kandiduar Arben Fetahu i basketbollit, Fatmir Makolli i kikboksit, Gazmend Maxhuni i triatlonit, Gentiana Beqa Ahmeti e volejbollit, Milaim Kelmendi i skijimit dhe Musa Selimi i sportit universitar. KOK-u i ka katër nënpresidentë.
Për anëtarë të Bordit Ekzekutiv kandidaturë kanë paraqitur Astrit Hasani (peshëngritje), Agron Dida (autosporte), Agron Dubovci (sporti shkollor), Avni Nuha (çiklizëm), Avni Kuçi (aeronautikë), Bahri Gjinovci (volejboll), Bashkim Haxhimusa (not), Besire Domaniku (mundje), Bujar Turjaka (skijim), Florian Miftari (basketboll), Halil Sylejmani (atletikë), Jeton Hadërgjonaj (tenis), Teuta Beselica Berbati (ragbi) dhe Vjollca Krasniqi (futboll).
Asambleja Zgjedhore e KOK-ut mbahet më 7 shkurt.
Milaim Kelmendi kishte njoftuar më 11 dhjetor se do të kandidonte për president të KOK-ut. Madje për KOHËN ishte shprehur i bindur se do të fitonte.
“Po, është zyrtare. Jam kandidat për president të Komitetit Olimpik të Kosovës. E kam përkrahjen e madhe të komunitetit sportiv, prandaj edhe kam vendosur të kandidoj. Në fakt janë njerëzit e sportit që kanë kërkuar nga unë që të kandidoj për president dhe pas kërkesës që më është bërë dhe pas konsultimeve, kam vendosur të kandidoj. Përkrahjen e kam shumë të madhe. Jam i sigurt se në Asamble Zgjedhore do të shkoj me të paktën 85 vota”, kishte thënë Kelmendi më 11 dhjetor.
Derisa garë për president nuk ka, gara për nënpresidentë dhe anëtarë të Bordit vlerësohet shumë e fortë. Dhe lista e kandidatëve nuk është përfundimtare. Pritet të shtohen edhe disa kandidatë për nënpresidentë e anëtarë të bordit nga federata që i kanë kuvendet zgjedhore këtë javë.
Ka diskutime të shumta lidhur me bazën deleguese të disa kandidatëve e po ashtu për tendencën për rritje të ndikimit në KOK të mësimdhënësve të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit. KOHA ka mësuar se këtë tendencë nuk po e pranojnë lehtë federatat që tradicionalisht kanë pasur përfaqësim të madh në Komitetin Olimpik.
KOK-u organizon zgjedhje edhe për anëtarë të Komisionit të Arbitrazhit Sportiv (KAS) dhe anëtarë të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (GJAS). Një kandidat është paraqitur për të dy këto organe e madje është nominuar nga federata të ndryshme.
Por komisioni zgjedhor ka propozuar shtyrjen e zgjedhjeve për KAS e GJAS me arsyetim se “nuk është plotësuar kriteri për numrin minimal të kandidatëve”.