Krerët e Federatës së Notit të Kosovës i arsyetojnë notarët për rezultate jo të kënaqshme në arenën ndërkombëtare. Thonë se me mundësitë që i kanë, po arrijnë të thyejnë rekorde personale. Kaq për drejtuesit duket e mjaftueshme.
Por, për ta është e papranueshme që edhe 20 vjet pas luftës notarët kosovarë nuk kanë një pishinë olimpike.
Nuk pritet edhe ta kenë një të tillë në të ardhmen e afërt. Pishina që nisi të ndërtohej dy vjet më parë në Prizren, e që tash është dashur të jetë në fazë finale të ndërtimit, nuk i përmbush kriteret për t’u quajtur pishinë olimpike, ndonëse e tillë vazhdon të vlerësohet nga Komuna e Prizrenit. Se kur do të hapet ajo, nuk ka ndonjë datë të caktuar.
Për t’u bërë pishinë olimpike, ushtruesi i detyrës së sekretarit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ibër Alaj, thotë se duhet bërë ndryshime të mëdha. Se ka mangësi e thotë edhe sekretari i Federatës së Notit të Kosovës, Astrit Haliti, derisa në Komunën e Prizrenit pranojnë se kompanisë që e ka fituar tenderin për ndërtimin e pishinës, i mungon përvoja dhe kapaciteti.
MKRS-ja është financuese kryesore e ndërtimit të pishinës që është vlerësuar 2.5 milionë euro, derisa Komuna e Prizrenit është hartuese dhe menaxhere e projektit.
Punimet në ndërtimin e kësaj pishine kanë filluar me një solemnitet më 20 korrik të vitit të kaluar me vendosjen e gurthemelit nga atëbotë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka.
“Gjatë implementimit të kontratës e kemi vërejtur që nuk është adresuar me kohë në institucionin përkatës, në vlerësime profesionale që t’i përmbushë kriteret qoftë të LEN-it qoftë të FINA-s dhe kemi konsideruar që nuk i ka përmbushur kriteret ashtu siç është thirrur si pishinë olimpike. Komuna e ka pasur atë projekt dhe e ka kontraktuar të njëjtin dhe ne, bazuar në realizimin punimeve sipas situacioneve të aprovuara nga organet mbikëqyrëse kompetente po ashtu edhe nga monitorues të MKRS-së, ne e kemi realizuar pagesën. Pishina gjatë ndërtimit nuk ka pasur dinamikë të kënaqshme, jo me fajin e MKRS-së, por autoritet për realizimin e kontratës është Komuna e Prizrenit që është dashur të monitorojë sipas planit dinamik të realizimit të kontratës”, ka thënë Alaj
Mst: Projekti i pishinës nuk është në përputhje me rregullat e FINA-s
Alaj insiston se pishina nuk mund të quhet olimpike përderisa projekti nuk është në përputhje me rregullat e Federatës Ndërkombëtare të Notit.
“Përveç pjesës së ku është uji, lartësisë, që mund të korrigjohet, pjesa tjetër organizative nga mbulesa deri tek aspekti funksional dhe sigurisë së pishinës në qasje për të hyrë qoftë sportistët në zhveshtore dhe pjesët të tjera të sanitarisë, duhet të ketë një organizim që është në pajtim me rregullat e FINA-s dhe në të njëjtën kohë duhet të ketë përmbajtje të aspektit të strukturës. Në projektin që është vlerësuar nga ekspertët, kemi vlerësuar se duhen ndryshime të mëdha në aspektin funksional që të arrijë standardin që të pranohet si pishinë olimpike nga FINA dhe LEN”, është shprehur Alaj.
Ai ka shtuar se projekti për ndërtimin e pishinës është hartuar pa u pyetur MKRS-ja dhe FNK-ja dhe se përgjegjëse për dështimin është Komuna e Prizrenit. Madje ka thënë se është dashur që t’i shkëputet kontrata kompanisë së ndërtimit, nëse nuk janë përmbushur detyrimet ligjore.
“Pa pyetur fare MKRS-në gjatë hartimit të projektit, ata kanë vendosur, ata kanë vlerësuar, ndërsa ne nuk jemi pyetur fare. Ata e kanë marrë dhe e marrin përgjegjësinë për projektin që janë duke u realizuar. Ne presim që kjo kontratë të përmbyllet dhe ne vetëm i kemi dërguar rekomandimet nga organizata përkatëse, por me gjasë që sugjerimet kanë hasur në vesh të shurdhër dhe nuk është marrë askush me ato sugjerime dhe konsiderojmë që është alarm te komunat të cilat ndërtojnë infrastrukturë dhe nuk konsultohen apo nuk marrin opinione profesionale nga MKRS-ja në këtë rast Departamenti i Sportit. Në bazë të kontratës ka qenë tre vjet, dhe është dashur që të shkëputet kontrata nëse nuk janë përmbushur detyrimet ligjore mes operatorit ekonomik dhe Komunës së Prizrenit”, ka theksuar Alaj.
“Pishina e Parregullsive”
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Prizrenit, Emilija Rexhepi ka treguar se ditë më parë është takuar me drejtues të Federatës dhe të klubeve prizrenase të notit. Ajo ka pranuar se janë dhënë disa vërejtje dhe sugjerime se si duhet të duket pishina për të mos pasur probleme në të ardhmen.
Ajo ka thënë se janë dakorduar që të shkojnë t’i shohin nga afër punimet për të parë mundësinë e përmirësimeve, nëse ka parregullsi.
“Deri më tani çdo gjë po shkon sipas planit, javën tjetër do të shkojmë në vend të ngjarjes. Por e dini si është këtu te ne në Kosovë, firmat që marrin përsipër projektet e mëdha kapitale, nuk kanë përvojë. Nuk mund të gjeni në Kosovë një firmë serioze që mund të ndërtojë një pishinë olimpike. Janë standarde evropiane, kritere që duhet të plotësohen si firmë. Kompania që punon tani, nuk ka kapacitet. Pse ajo e ka fituar projektin, kush e ka bërë selektimin, është tregim tjetër. Unë jam drejtoreshë tre muaj dhe në kufi të mundësive të mia dhe aftësive, do të jap maksimumin që pishina jonë olimpike të realizohet, që projekti të kryhet deri në fund. Do të jem e fokusuar edhe në stadiumin e futbollit, pasi e njëjta kompani punon edhe në stadiumin tonë”, ka thënë Rexhepi.
Në fakt, krerët e federatës në maj të vitit të kaluar kanë dhënë sugjerimet, por që sipas sekretarit të FNK-së, Astrit Haliti nuk janë marrë për bazë nga Komuna.
Haliti ka thënë se mund të jetë pishinë me dimensione olimpike, por pa ulëse dhe pa të gjitha objektet përcjellëse, nuk mund të quhet olimpike. Ai ka theksuar se pishina e planifikuar me thellësi prej 3 metrash, do të ishte problem për mirëmbajtje dhe se nuk mund të shfrytëzohej edhe gjatë stinës së dimrit.
“Pishina duhet të ketë ulëse brenda. Ne i kemi parë që nuk qëndrojnë brenda, janë jashtë pishinës. Ky është një problem që tregon se nuk është marrë një projekt që do t’u kishte shërbyer federatës dhe klubit të notit Prizreni, por edhe aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo është pishinë e parë me ato dimensione pas 20 vjetësh dhe të bëhet me ato nivele çfarë është tash, mendoj se është e papranueshme dhe nuk i shërben as Komunës së Prizrenit as notit në përgjithësi. Pastaj është thellësia e pishinës që është 3 metra e që do të jetë vështirë të ngrohet, sepse mendoj se pishina edhe me dy metra thellësi është me standarde ndërkombëtare dhe në të njëjtën pishinë mund të luhet edhe vaterpolo”, ka thënë Haliti.
Pesë organizata të shoqërisë civile kanë përpiluar një raport për gjetjet që janë hasur në procesin tenderues të projektit “Ndërtimi i Pishinës Olimpike” në Prizren. E kanë cilësuar si “Pishina e Parregullsive”.
Raporti është publikuar në nëntor të vitit të kaluar. Është konstatuar se Komuna e Prizrenit ka bërë disa shkelje procedurale gjatë nënshkrimit të kontratës, por edhe në menaxhimin e saj, pasi që ajo ka udhëhequr me procedurat e prokurimit. Grupi monitorues ka gjetur shkelje në fazën e parë të prokurimit, në procesin e vlerësimit të ofertave, por edhe menaxhimin e kontratës.
Në Kosovë vazhdimisht ka telashe me ndërtimin e objekteve sportive. Në infrastrukturë sportive investohen miliona euro, por pak punë kryhen si duhet. Kontrollimi i punimeve dhe mirëmbajtja e objekteve janë prej telasheve të mëdha. Madje, shumë objekte të reja funksionojnë pa ngrohje, që është një tjetër problem.