Sport

Vëllaznimit i ka mbetur vetëm emri

Klubi me traditë në futbollin e Kosovës, Vëllaznimi nga Gjakova, është në gjendje të rëndë financiare, e po ashtu sa u takon rezultateve, sidomos në dy vjetët e fundit, nuk është pjesë e elitës së futbollit kosovar. Shkaku i gjendjes së krijuar në klub, ka pasur edhe bojkot të lojtarëve të ekipit të parë, të cilët nuk luajtën kundër Dukagjinit në humbjen e gjakovarëve 7:0. Vëllaznimi është paraqitur me juniorë. Trajneri Ekrem Radoniqi ka dhënë dorëheqje, kurse me ekipin aktualisht po punon ndihmëstrajneri, Luan Tabaku, deri në emërimin e trajnerit të ri. Pas situatës së vështirë, Vëllaznimi ka nisur një fushatë duke kërkuar ndihmë edhe nga qytetarët dhe të gjithë që e duan klubin.

Menaxheri Besnik Gojani, që po i qëndron afër klubit tash e dy vjet, ka thënë për KOHËN se po kalojnë momente të vështira, sidomos pas largimit të donatorit të vetëm, Shkëlzen Gashi.

“Para fillimit të kampionatit është paraqitur një donator, i cili shprehu dëshirën për ta ndihmuar Vëllaznimin deri në janar, kur edhe pritet të ndryshohet statuti i klubit, prej OJQ-së në Shoqëri Aksionare. Mirëpo ai nuk mundi t’i përmbushte kërkesat e klubit dhe me vonesë u deklarua se nuk është në gjendje ta mbajë klubin dhe na krijoi një kaos në klub. Ne ia kemi dalë që ta kryejmë një pagë e gjysmë për lojtarët dhe i bie që edhe një pagë e gjysmë duhet ta kryejmë”, tha Gojani. Ai shton se disa persona e kanë ndihmuar klubin, kurse Komuna e Gjakovës ka dhuruar 5 mijë euro.

“Klubi ka nisur të ndihmohet nga diaspora, nga qyteti i Osnabruckut dhe nga disa vende të tjera. Nga Zvicra kemi disa bashkatdhetarë që kanë paraqitur dëshirën për ta ndihmuar klubin, sepse ata e duan Vëllaznimin. Kemi marrë një donacion nga Komuna e Gjakovës, ku kemi pasur disa obligime për t’i kryer ndaj njerëzve që na kanë qëndruar afër. Kemi marrë mjete edhe nga Federata e Futbollit e Kosovës dhe disa bashkatdhetarë. E kemi një mik që dua ta falënderoj, e që është delegati i Vëllaznimit, Gazmend Boshnjaku, që na ka qëndruar afër në kohën më të vështirë”, u shpreh Gojani.

Ai megjithatë sheh dritë në fund të tunelit. Sipas Gojanit, që nga janari, gjërat do të rregullohen.

“Unë besoj shumë dhe po e shoh një dritë në fund të tunelit. Do të vijnë ditë të mira për Vëllaznimin, e që do t’ia kenë lakmi edhe klubet e tjera. Nga janari gjërat do të rregullohen dhe nuk do të kemi më probleme të tilla”, theksoi menaxheri i klubit gjakovar.

Kapiteni Ardit Vokshi ka konfirmuar se te Vëllaznimi ka pasur edhe bojkot të lojtarëve të ekipit të parë.

“Lojtarët kanë qenë të dëshpëruar, pasi situata edhe para gjashtë muajve ka qenë e njëjtë dhe më shumë pakënaqësia ka qenë ndaj tij, pasi është premtuar rroga dhe ajo ka qenë arsyeja se pse ka nisur bojkoti. Bojkoti nuk ka qenë për shkak të 15 ditëve apo një muaji, por për shkak se nuk kemi parë të ardhme, pasi kur ke probleme në muajin e parë, në të dytin, atëherë vazhdimësia është më problem”, deklaroi Vokshi, i cili beson se Vëllaznimi ka ekip të mirë, por duhet të rregullohet çështja e financave.

“Mendimi im është që duhet të ndërhyjë qyteti, duhet të ndërhyjnë të gjithë ata që e duan klubin, pasi u bë kohë e gjatë me probleme dhe kjo ndikon në rezultate dhe në të gjitha. Ekipi është shumë i mirë, ka lojtarë cilësorë dhe me përvojë, vetëm duhet të rregullohet aspekti financiar”, u shpreh Vokshi.

Vëllaznimi është e regjistruar si OJQ dhe Komuna e Gjakovës në dy vjetët e kaluar e ka ndihmuar me 85 mijë euro, kurse këtë vit me vetëm 5 mijë euro.

Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Gjakovës, Saranda Hyseni - Maloku, ka deklaruar se është e vështirë ta shohësh klubin në këtë gjendje. Ajo shton se Vëllaznimi çdoherë ka qenë klubi që ka përfituar më së shumti nga Komuna.

“Nuk është aspak e mirë për të gjithë ne që ta shohim klubin e Vëllaznimit në këtë gjendje, pasi është klub me traditë dhe emblemë e qytetit. Komuna e ka mbështetur vazhdimisht. Në vitin 2018, Vëllaznimi është mbështetur me 45 mijë euro, më 2019 me 40 mijë euro dhe këtë vit me 5 mijë euro dhe siç po e shihni, gati 45 për qind e subvencioneve totale të Komunës kanë shkuar për Vëllaznimin. Ne kemi paguar edhe obligime me përmbarim, borxhet e grumbulluara ndaj ‘KRU Gjakova’, borxh mbi 80 mijë euro”, tha Hyseni-Maloku, i cila shtoi se kanë pasur edhe ankesa nga klubet e sporteve të tjera për mënyrën e financimit. Sipas saj, tash e tutje, do të veprohet vetëm në bazë të sukseseve që arrijnë klubet dhe sportistët.

Vëllaznimi bën gara në Ligën e Parë të Kosovës në futboll, Grupi A, tash e dy edicione. Pas 10 xhirove të luajtura renditet në pozitën e fundit me 8 pikë. Herën e fundit ishte pjesë e Superligës në vitin 2018. Atë kohë klubi udhëhiqej nga kryetari Agim Cana, i cili u dorëzua dhe u largua nga klubi duke mos arritur ta mbajë në Superligë, e po ashtu as nuk ia doli që ta rikthejë në elitë nga Liga e Parë. Në kohën e Agim Canës, babai i Lorik Canës, Vëllaznimi dështoi dy herë në barazh, si dhe ishte edhe në finale të Kupës së Kosovës, ku humbi nga Prishtina pas gjuajtjes së penalltive.