Sport

Vëllaznimi synon fitoren e shtatë rresht dhe të parën ndaj Trepçës

Skuadra e Vëllaznimit ka një mision të vështirë për xhiron e 11-t të Superligës së Kosovës në basketboll, të cilin synon ta kryej me sukses. Ekipi gjakovar do të futet për fitore në ndeshjen ndaj Trepçës, ekipit të vetëm që nuk e ka mposhtur ende këtë edicion.

Me triumf eventual në këtë ndeshje, Vëllaznimi i Gjakovës do ta kompletonte serinë e fitoreve ndaj secilit kundërshtar në elitë dhe atë në shtatë ndeshje rresht. Megjithatë te Vëllaznimi e kanë parasysh se arritja te fitorja ndaj Trepçës do të jetë vështirë. Ekipi gjakovar është i motivuar pas paraqitjeve të mira që i ka treguar kohët e fundit. Në gjashtë xhirot e fundit Vëllaznimi nuk di për humbje dhe fitoren e shtatë e kërkon për t’u ngjitur edhe më lartë në tabelë.

Dueli mes Vëllaznimit dhe Trepçës zhvillohet të shtunën në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë dhe nis në orën 19:00. I takon xhiros së 11-të.

Trajneri i Vëllaznimit, Josip Plantak, pret që ekipi i tij të vazhdojë me paraqitje të mira. Tekniku kroat pret edhe përkrahje të fuqishme dhe atmosferë të zjarrtë në palestër për suksesin e radhës.

Sipas Plantakut, Trepça aktualisht është skuadra më e fortë në ligë dhe Vëllaznimit i duhet të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm për të pasur gjasa ta mposht ekipin nga Mitrovica. Ai thotë se ekipi gjatë tërë javës ka punuar mirë dhe është maksimalisht i motivuar për të dhënë gjithçka nga vetja.

“Trepça momentalisht është ekipi më i fortë në ligë. Luan shumë mirë dhe ka një përbërje të madhe të lojtarëve shumë cilësorë. Ne duhet të luajmë si është më së miri dhe mos të kursejmë asgjë nga vetja për të arritur një tjetër fitore, por nuk do të jetë lehtë. Madje duhet të japim më shumë se maksimumin për t’i bërë ballë Trepçës. Shpresoj që do të kemi një paraqitje të mirë dhe me përkrahjen e tifozëve të bëjmë diçka më shumë. Pres që atmosfera në palestër të jetë e zjarrtë”, tha Plantak të premten për KOHËN.

Serinë e fitoreve Vëllaznimi e ka nisur në xhiron e pestë kur mposhti Yllin, për të vazhduar me fitore ndaj Istogut, Sigal Prishtinës, Pejës, Bashkimit dhe Proton Cable Prizrenit. Ka tubuar 16 pikë, dy më pak se Trepça që prinë në tabelë dhe është në seri prej tri fitoreve.

Te Trepça e kanë parasysh formën e mirë të Vëllaznimit, por kanë insistuar se në Gjakovë udhëtojnë për fitore. Basketbollisti Mikaile Tmushiq thotë se Trepça mund ta mposhtë Vëllaznimin vetëm nëse aplikon lojë të disiplinuar, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.

“Pres një ndeshje shumë të fortë për faktin se Vëllaznimi po luan mirë, e sidomos në Gjakovë. Është në ritëm dhe seri të mirë të fitoreve, kështu që nuk do ta kemi lehtë duke pasur parasysh se kundërshtarët janë shumë të motivuar. Po ashtu do ta kenë edhe përkrahjen e tifozëve, por ne duhet të jemi të disiplinuar në sulm dhe mbrojtje, pasi vetëm kështu mund ta mposhtim Vëllaznimin”, tha Tmushiq.

Të shtunën do të zhvillohet edhe një ndeshje tjetër, me të cilën edhe do ta hapet xhiroja e 12-të e Superligës.

Prej orës 17:00, Peja përballet me Golden Eagle Yllin në palestrën “Karagaçi”. Peja është në seri negative prej tri humbjeve rresht, e cila ka bërë që të bie në pozitën e dytë në tabelë me 17 pikë. Ndaj Yllit, Peja synon të rikthehet te fitorja edhe pse ekipi nga Suhareka nuk di për humbje në pesë ndeshjet e fundit dhe ka vetëm një pikë më pak se kampionia në fuqi.

Edhe të dielën do të jenë në program dy ndeshje. Sigal Prishtina e pret Istogun prej orës 17:00 në kryeqytet. Prishtina llogaritet favorite përballë Istogut, i cili këtë edicion ka vetëm një fitore. Megjithatë, as forma e Prishtinës nuk është për t’u lavdëruar pasi prej xhiros së tetë nuk di për fitore.

Xhiroja do të mbyllet me derbin e qytetit të Prizrenit, i cili nis në orën 19:00. Proton Cable Prizreni është në cilësinë e vendësit ndaj Bashkimit, në ndeshjen ku të dyja skuadrat kërkojnë fitoren. Bashkimi ka 14 pikë, një më shumë se Prizreni, ekip tek i cili do të debutojë Arti Hajdari.

Superliga – XI

E shtunë

Peja – G.E. Ylli (17:00)

Vëllaznimi – Trepça (19:00)

E diel

S. Prishtina – Istogu (17:00)

P.C. Prizreni – Bashkimi (19:00)


1. Trepça 10 18

2. Peja 10 17

3. G.E. Ylli 10 16

4. Vëllaznimi 10 16

5. S. Prishtina 10 15

6. Bashkimi 10 14

7. P.C. Prizreni 10 13

8. Istogu 10 11