Sport

Vëllaznimi shpreson t’i japë fund serisë së Pejës

Skuadra e Vëllaznimit do ta ketë një mision të vështirë në kuadër të xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në basketboll.

Forma e mirë që Vëllaznimi e ka shfaqur së fundmi do të testohet nga kampionia në fuqi, Peja. Vëllaznimi, i cili ka tri fitore në tri ndeshjet e fundit, e pret ekipin e vetëm që ende nuk di për humbje këtë edicion, Pejën.

Dueli mes Vëllaznimit dhe Pejës do të luhet të shtunën prej orës 17:00, në palestrën “Shani Nushi”, në Gjakovë. Me këtë ndeshje edhe starton xhiroja e tetë e elitës së basketbollit kosovar.

Pasi regjistroi katër humbje rresht, tri fitoret e fundit kanë bërë që ekipi i drejtuar nga Josip Plantak, Vëllaznimi, të ngrihet në vendin e pestë me 10 pikë të mbledhura. Katër pikë më shumë se Vëllaznimi i ka Peja që ka treguar formë të lartë në kampionat duke i fituar të gjitha ndeshjet deri më tani.

Te Vëllaznimi e kanë parasysh që ndaj Pejës i pret një duel shumë i vështirë. Këtë e ka pranuar edhe trajneri Plantak të premten. Kroati Plantak ka thënë se synojnë të bëjnë një tjetër paraqitje të mirë, por ka shtuar se do të jetë vështirë. Ai ka vlerësuar lart Pejën, për të cilën ka thënë se është favorite.

“Ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, patjetër. Peja aktualisht është ekipi më i mirë në Kosovë dhe luan basketboll shumë të mirë dhe tejet agresiv. Duhet të jemi shumë të fokusuar në sulm dhe agresiv në mbrojtje, por edhe të luajmë me dëshirë të madhe për fitore. Realisht Peja është favorite në këtë ndeshje, ndërsa neve na mbetet të luajmë sa më mirë për të tentuar diçka më shumë”, është shprehur Plantak.

Peja të mërkurën mbrëma pësoi humbjen e dytë në kuadër të FIBA Europe Cup, garë në të cilën ka edhe dy fitore. U mposht thellë në shtëpi nga Niners Chemnitzi i Gjermanisë, por ndaj Vëllaznimit synon ta vazhdojë formën e mirë që e ka treguar në Superligë. Përkundër kohës së shkurtër që kishin në dispozicion për t’u përgatitur, te Peja kanë bërë të ditur se drejt Gjakovës do të udhëtojnë për fitoren e tetë rresht në kampionat.

Të shtunën prej orës 19:00 zhvillohet edhe një ndeshje tjetër e xhiros së tetë. Në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, skuadra e Bashkimit e pret Golden Eagle Yllin.

Bashkimi nuk di për fitore në tri ndeshjet e fundit. Ka pësuar nga Peja, Trepça e Sigal Prishtina dhe ndaj Yllit synon fitoren e katërt këtë edicion. Ekipi nga Suhareka është i motivuar për këtë përballje, duke pasur parasysh se xhiron e shkuar e mposhti Trepçën në Mitrovicë. Aktualisht Ylli ka bilanc të njëjtë sikurse Bashkimi, me tri fitore e katër humbje.

Xhiroja do të vazhdojë të dielën me dy ndeshjet e tjera. Trepça llogaritet favorite absolute përballë Istogut, në ndeshjen që luhet të dielën prej orës 17:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Trepça është e dyta në tabelë me 12 pikë, katër më shumë se Istogu që zë vendin e fundit dhe ka vetëm një fitore karshi shtatë humbjeve.

Dueli i fundit i xhiros së tetë të elitës së basketbollit kosovar do të jetë ai ndërmjet Proton Cable Prizrenit dhe Sigal Prishtinës. Kjo ndeshje zhvillohet prej orës 19:00 të dielën në palestrën “Sezai Surroi”, në Prizren. Skuadra prizrenase vikendin e shkuar e mposhti Istogun, ndërsa Prishtina pësoi humbje nga Vëllaznimi. Aktualisht, Prizreni është i parafundit në tabelë me 9 pikë të mbledhura, dy më pak se Prishtina që është e treta dhe ka tri humbje deri më tani.

Superliga – VIII

E shtunë

Vëllaznimi – Peja (17:00)

Bashkimi – G.E. Ylli (19:00)

E diel

Trepça – Istogu (17:00)

P.C. Prizreni – S. Prishtina (19:00)

1. Peja 7 14

2. Trepça 7 12

3. S. Prishtina 7 11

4. G.E. Ylli 7 10

5. Vëllaznimi 7 10

6. Bashkimi 7 10

7. P.C. Prizreni 7 9

8. Istogu 7 8