Vedat Muriqi e ka fituar çmimin kryesor të shtunën në ceremoninë “Laureatët e Vitit 2022” që u organizua nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Sulmuesi i Mallorcas ka fituar çmimin “Fadil Vokrri” dhe është shpallur lojtari më i mirë kosovar për vitin 2022.
“Ju uroj festat e fundvitit. Jam i lumtur dhe krenar. Falënderoj bashkëlojtarët e Përfaqësueses. Jam i sigurt se do të më përkrahni deri në fund të karrierës. Është hera e dytë që po zgjidhem si më i miri. Shpresoj që viti 2023 të jetë viti i Kosovës dhe të arrijmë majat, si në aspektin ekipor me Kosovën, por edhe në aspektin individual”, ka thënë Muriqi pasi pranoi çmimin.
Një tjetër çmim të rëndësishëm e fitoi edhe futbollisti i Ballkanit, Armend Thaqi. Ai u zgjodh futbollisti më i mirë i vitit në Superligë nga gazetarët sportivë.
Ilir Daja i Ballkanit u shpall trajneri i vitit, ndërsa kampioni i Kosovës, FC Ballkani, mori çmimin e klubit të vitit.
Marko Simonovski i Dritës pranoi çmimin e golashënuesit më të mirë të vitit.
FC Ferizaj u zgjodh si klubi më “fair-play” i vitit.
Genc Nuza u zgjodh për herë të shtatë si gjyqtari më i mirë i vitit.
Te femrat, EP COM Hajvalia u shpall si klubi më i mirë, ndërsa futbollistja më e mirë u zgjodh Lumbardha Misini. Shpresa e vitit në futbollin e femrave i takoi Aurora Racajt.
Në futsall, KF Liqeni e mori çmimin e klubit të vitit, ndërsa lojtari i kësaj skuadra, Dardan Topilla u zgjodh si më i miri.
Mirënjohje e veçantë për të arriturat në futboll iu dha të riut Larson Ferati, i cili i është bashkuar Bayer Leverkusenit në Gjermani në moshën 16-vjeçare nga Phoenixi i Banjës.
Formacioni i vitit 2022 në Superligë
Federata e Futbollit të Kosovës ka zgjedhur 11-shen më të mirë të vitit 2022 në Superligën e Kosovës.
Dominon kampioni Ballkani me gjashtë lojtarë. Drita ka dy lojtarë, ndërsa Gjilani, Llapi e Prishtina përfaqësohen me nga një lojtar.
Enea Koliçi (Gjilan); Ardian Limani (Drita), Astrit Thaqi (Ballkani), Lumbardh Dellova (Ballkani), Armend Thaqi (Ballkani); Endrit Krasniqi (Prishtina), Lindon Emërllahu (Ballkani), Ilir Krasniqi (Llapi), Ermal Krasniqi (Ballkani); Marko Simonovski (Drita), Albion Rrahmani (Ballkani).