Sport

Vavalis beson se Drita do të vazhdojë me fitore

Pesë fitore në pesë ndeshje. 11 gola të shënuar dhe vetëm një i pranuar. Ky është bilanci i skuadrës së Dritës prej xhiros së gjashtë deri në xhiron e dhjetë të Superligës së Kosovës në futboll.

Kjo formë e mirë pa dyshim se e ka gëzuar trajnerin Akis Vavalis, i cili insiston se Drita mund të luajë edhe më mirë. Ai beson se skuadra gjilanase këtë do ta dëshmojë në xhirot e ardhshme.

Pas nëntë ndeshjeve të luajtura deri më tani, Drita ka tubuar 21 pikë, dy më pak se Ballkani që është lider. Drita ka gjashtë fitore e tri barazime.

Të dielën Drita e fitoi derbin e xhiros së dhjetë me Llapin në Podujevë, ndërsa para këtij dueli triumfoi edhe ndaj Malishevës, Gjilanit, Feronikelit ’74 dhe Prishtinës. Së bashku me Ballkanin, janë ekipet e vetme që këtë edicion ende nuk dinë për humbje në elitën e futbollit kosovar.

Drita ka mbrojtjen më të mirë në ligë, me vetëm katër gola të pranuar. Trajneri nga Greqia, Vavalis, thotë se ka pritur paraqitje të mira të Dritës dhe fitore në pesë ndeshjet e fundit. Ai i ka besuar punës së palodhshme që futbollistët kanë bërë në stërvitje.

“Sigurisht që jam më se i lumtur për formën që po e kalojmë. Lojtarët po punojnë shumë për çdo ditë në stërvitje dhe i kanë merituar këto rezultate. Personalisht kam pritur të bëjmë paraqitje të mira dhe kur luan mirë atëherë shpërblehesh më pikët që i kemi marrë”, ka thënë Vavalis.

Përkundër rezultateve të mira që i ka Drita, Vavalis insiston se ekipi i tij mund të përmirësohet edhe më shumë. Pranon se synimi është të vazhdojnë me fitore, por që nuk është aspak mision i lehtë.

“Po, mund të luajmë më mirë dhe do të përmirësohemi edhe më shumë pasi vazhdimisht po punojmë në këtë aspekt. Dëshira është që të vazhdojmë serinë e fitore, por është e pamundur të fitojmë çdo ndeshje. Gjëja më e rëndësishme është të vazhdojmë progresin e rritjes si ekip dhe të luftojmë në secilën ndeshje që e kemi”, u shpreh Vavalis.

Vavalis tha se forma që ka treguar Drita në ndeshjet e fundit e bëjnë atë kandidate për titullin e kampionit të Kosovës. Megjithatë tekniku grek shtoi se ende është herët që të mendohet për trofe për shkak se ka edhe shumë ndeshje deri në fund të edicionit.

“Synimi ynë është të jemi konkurrent për titull dhe kupë, sigurisht. Kemi shumë ndeshje deri në fund dhe është herët të flasim për trofe. Megjithatë, gjëja më e rëndësishme është të vazhdojmë me paraqitje të mira dhe të tejkalojmë rezultatet e dobëta kurdo që të vijnë”.

Duelin e radhës në Superligë, Drita e luan të dielën. E pret në Gjilan skuadrën e Lirisë, me të cilën luajti pa gola në Prizren. Pikë, Dritës deri më tani i kanë marrë edhe Dukagjini e Fushë Kosova.

Skuadra gjilanase nuk e ka luajtur ende ndeshjen e xhiros së tretë me Ballkanin, në të cilën është vendase.